A mund te gjesh pune nese nuk ke mik?

A mund te gjesh pune nese nuk ke mik?
Të gjesh një vend punë me ato çfarë përmban cv-ja juaj është bërë gjithmonë e më e vështirë. Ose duhet të kesh një mik të "fort", siç rezulton nga një studim i kryer pak kohë më parë nga Lëvizja MJAFT!, ose duhet të presësh në rradhën e gjatë të të papunëve që kryqëzojnë gishtërinjtë për një fat më të mirë. Këtu fillon edhe stresi dhe gjithkush pyet veten; a jam apo jo i aftë? Presioni i families dhe ngacmimet e prindërve që u thonë fëmijëve: Ke mbaruar një mal me shkollë, çfarë je duke bërë...!?.

Në studime të ndryshme që janë kryer ka rezultuar se shumica e personave që janë pyetur kanë marrë një përgjigje klishe kur janë prezantuar diku për një vend punë; një buzëqeshje standarde dhe fjala, do ju marrim në telefon!. Më këtë situatë janë duke u përballur mijëra të rinj të cilët pas marrjes së diplomës së dëshiruar, ulen në tavolinë dhe planifikojnë kërkimin e një vendi pune.

Të terrorizuar nga refrenet mediatike për pasigurinë e gjendjes ekonomike dhe të tregut të punës dhe të vetëdijshëm për këtë moment krize që trumbetohet nga gazetat, të rinjtë hidhen në sulm për të gjetur punën e parë me të cilën duan të shpëtojnë nga fantazma e papunësisë. Por të gjithë atyre që janë të prekur nga ky "hall" lind pyetja çfarë strategjie duhet përdorur në këtë rast? Gjithçka fillon me përgatitjen e curriculum vitae, një lloj vitrine ku njerëzit prezantojnë vetveten.

CV-ja duhet të përmbajë të gjitha të dhënat personale, arsimin dhe eksperiencat eventuale te mëparshme profesionale, përfshi dhe stazhit dhe bashkëpunimet.

Njëri sy nga gazeta dhe tjetri nga kompjuteri

Pas përgatitjes së cv-së, mund të fillojë kërkimi i vërtetë, domethënë gjuetia e lajmërimeve për punë. Dy janë mjetet që duhen përdorur: gazeta dhe kompjuteri. Shumë lajmërime publikohen në gazetat e përditshme dhe në gazetat e specializuara për këtë punë. Shumica e gazetave kanë një rubrikë që i kushtohet ofertave për punë. Duhen parë me një vëmendje të veçantë gazetat që kanë të bëjnë me ekonominë dhe me financën të cilat janë të preferuara nga ndërmarrjet që publikojnë aty ofertat e tyre për vende pune me një profil të lartë. Shpesh gazetat i kalojnë këto lajmërime për punë edhe në adresat e tyre në internet.

Nga një anketim që "Shekulli" ka bërë në kryeqytet (janë pyetur 30 të rinj dhe njerëz të sapo diplomuar), rezulton se shumica e tyre që kërkojnë punë pohojnë se: Sot duhet të kesh njohje dhe mik për të zënë një vend punë.

Pse jo një letër?

Pas përcaktimit të lajmërimeve dhe ndërmarrjeve të cilat do ju dërgohet cv-ja, duhet përgatitur një letër shoqërimi. Ajo duhet shkruar dhe duhet të nxjerrë në pah motivet dhe aftësitë që tregojnë se pse autori i letrës është kandidati i duhur për atë vend punë.

FAKTE

Në Shqipëri ka sot një numër gjithnjë e më të madh të faqeve online të cilat sugjerojnë mënyrat më të mira si të shkruhet një CV, si të kihet kujdes gjatë intervistës me punëdhënësin, etj. Duket se këto janë hapat e parë në vendin tonë për të prezantuar praktikat e këshillimit dhe konsultave profesionale. Megjithatë jo kushdo që kërkon punë ka information se ku mund të gjëjë këshilla praktika dhe të mira. Në këtë numër, Shekulli përpiqet t'u vijë atyre në ndihmë.

CV ideale

1. Përshtypja e parë: Kompanitë marrin një numër shumë të madh CV çdo dite dhe kanë një kohë të shkurtër për të përzgjedhur. Kush është kandidati qe i plotëson nevojat e tyre? Një përmbledhje e shkurtër e aftësive tuaja do të ishte një prezantim fillestar mjaft efikas.

2. Paraqitja Vizuale: Paraqitja vizuale e CV- së tuaj është mjaft e rëndësishme. Mos ngjishni shumë informacion në hapësira të kufizuara. Lini hapësira të bardha, vendosni tituj të përshtatshëm dhe organizoni informacionin sipas kategorive te caktuara.

3. Sa e gjatë duhet të jetë një CV: Zakonisht preferohet që CV-ja të jetë vetëm një faqe format A4 e gjatë, megjithatë mund të ketë përjashtime. Kjo varet nga eksperienca dhe specializimi i kandidatëve si dhe nga preferencat e kompanive punëdhënëse..

4. Organizimi i informacionit në CV-në tuaj: Nëse CV përmban informacion të çorganizuar, pa rrjedhë logjike lexuesi do të hasë vështirësi për të krijuar një imazh mbi ju. Punëdhënësi nuk ka kohë të lexojë gjithë historinë tuaj profesionale.

5. Pasaktësi ose informacion jo i plotë: Nëse informacioni që keni dhënë në CV ka pasaktësi, rekrutuesi mund ta refuzojë aplikimin tuaj. Eshtë mirë të informoheni mbi vendin e punës dhe kërkesat e kompanisë e më pas të organizoni eksperiencat tuaja profesionale në mënyrë respektive.

365 ditë janë maksimumi i ditëve kur shteti mund të japë një asistencë për personat që kanë ngelur të papunë. Pas kësaj dite, pra në përfundim të vitit të parë të papunësisë, i papuni mund të përfitojë një ndihmë sociale që është pothuajse në kufijtë e së pamundurës për të përballuar jetën: vetëm 40 dollarë në muaj.

Vox Pop

"Jam në stres"

"Jam studente në vitin e tretë në degën "Kimi Ushqimore", ajo që më shqetëson çdo ditë e më shumë është fakti se së shpejti diplomohem por ende nuk di se çfarë do bëhet me mua, ku do të punoj dhe do e ushtroj profesionin për të cilin edhe po mbyll këtë cikël shkollor. Ka filluar të më kap stresi që tani". Eglantina Belishaku, 21 vjeç

"Hallakatem prej dy vjetësh"

Kam dy vjet që hallakatem dyerve për një vend punë dhe ende nuk jam stabilizuar. Kam përfunduar studimet për frëngjisht dhe të tregohem e sinqertë me ju ajo diploma më duket e pavlefshme po nuk pate një mik apo një të afërmin tënd ne vendin në të cilin drejtohesh për të punuar. Gentiola Hoxha, 25 vjeç

"I duan goca të reja"

Kam punuar ekonomiste dikur, por si shumë të tjerë edhe mua më kapi reforma. Tani jam e pa punë. Kam trokitur gjithandej por i duan goca të reja. Unë nuk dua ta mbyll veten që tani në shtëpi, pasi dua të jem aktive dhe të punoj. Por si po merr puna edhe mund të iki te djali në Greqi. Shpresa Levendi, 51 vjeç

S'do shkencë për ta zgjidhur

Lëvizja Mjaft, me mbështetjen e Bankës Botërore zhvilloi pak kohë më parë një projekt të titular "Unë Punoj", kohëzgjatja e të cilit ishte vetëm një vit, për shkak të mungesës së fondeve. Kordinatorja e këtij projekti Eniana Koçiaj tha se projekti synonte të ndërtonte një faqe ëebi, të organizonte dy panaire punësimi në Korçë dhe në Vlorë dhe të publikonte një studim për sfidat e të rinjve në tregun e punës.

"Nevoja për një mënyrë të tillë rekrutimi është shumë e madhe dhe projekti sinqerisht ka qënë shumë i mirë, ka patur shumë interes nga punëkërkuesit veçanërisht, sepse pothuaj të gjithë ishin studentë të sapodiplomuar dhe nuk kishin fare njohje në Tiranë", tha Koçiaj. Megjithatë, po sipas këtij studimi rezulton se 63 përqind e të punësuarve kishin patur një mik pa ishin punësuar!

Shifrat konfuze të papunësisë

Shifra zyrtare e papunësisë në vend që deklaron INSTAT, është 13.49 përqind, por burime të tjera nga shoqëria civile sugjerojnë se papunësia mund të jetë dyfish më e lartë. Plaga bëhet më e rëndë kur konstaton se janë pikërisht të rinjtë ata që vuajnë nga papunësia, e cila sipas Organizatës Botërore të Punësimit përkufizohet si: pamundësi për të gjetur një punë, ndonëse ke më shumë se një vit që e kërkon. Gjithashtu, 2 nga 3 të papunët shqiptarë rezulton të jenë të papunë afatgjatë. Nga ana tjetër mijëra familje jetojnë sot me ndihmë ekonomike, përafërsisht 40 dollarë, ndonëse minimumi jetik sipas OKB-së duhet të jetë jo më pak se 2 dollarë për frymë.

63 përqind e atyre që u anketuan nga Banka Botërore në një projekt të zbatuar nga Lëvizja MJAFT! Pak kohë më parë u përgjigjën se e kishin gjetur punën përmes një të afërmi, të njohuri apo miku. Problemi bëhet më serioz për faktin se pjesa më e madhe e të papunëve në Shqipëri rezulton të jenë të rinj.

Mos u dekurajoni

Edhe pse shumë njerëz përfundojnë në një punë të rëndomtë, sërish ka shpresë. Shumë persona kanë mundur të punësohen vetëm falë aftësisë së tyre dhe pasi kanë ndërtuar një CV të mirë e janë treguar të mençur në intervistën me punëdhënësin. Mos harroni se Qëllimi i CV-së është që ta bëjë kandidatin sa më "tërheqës" në sytë e kompanisë. Punëdhënësi do të rekrutojë vetëm ata kandidate që përmbushin nevojat e tyre.

Pra përshtatini arritjet dhe aftësitë tuaja profesionale sipas nevojave dhe kërkesave të shprehura nga kompania. Tregojini se c`mund të bëni për ta. Por kujdes, jepni informacion te besueshëm dhe të vërtetë mbi aftësitë tuaja. Nëse rekrutuesit do të konstatonin informacion te rreme në CV, kjo do të dëmtonte reputacionin tuaj. Veç kësaj, gjatë intervistës, fjalë të caktuara përcjellin më shumë se një përshkrim të thjeshtë të aftësive tuaja profesionale dhe personale. Përdorimi i tyre në CV apo dhe gjatë intervistës do të tërheqë vëmendjen e rekrutuesit dhe do të ngjallë më shumë interes mbi ju.

Ja disa prej tyre: ambicie, i motivuar, konfidencë, aftësi koordinuese, i vendosur, kreativ, efektiv, i përkushtuar, i organizuar, praktik, tolerant, korrekt, i arsyeshëm, miqësor, bashkëpunues, pune ne grup, i adaptueshem, aktiv, vëmendje ndaj detajeve, zgjidhje problemesh, ndjenjë të lartë përgjegjësie etj..

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama