Ishte pothuaj e lajmëruar heqja e përmendores së dëshmorëve shqiptarë në Preshevë. Por, ndërsa serbët i bënin hapat një nga një, shqiptarët këtej e matanë kufirit vazhdonin me retorikën e tyre. Propozimi i fundit për ta vendosur memorialin në oborrin e ndonjë xhamie në Preshevë, ishte një lloj make-up i fundit i serbëve. Siç mund të merrej me mënd, shqiptarët nuk e pranuan. Atëherë serbët me argumentet e tyre, që kjo përmendore fyente kushtetutën, ndërmorën aktin e paramenduar të heqjes së tij, duke futur në qorrsokak shumë gjëra.
Ajo që rrodhi më pas dihet. Politikanët e Shqipërisë anatemuan homologët sllavë, kurse këta të fundit kinse as e vunë ujin në zjarr! Ajo që i shqetëson të gjithë tashmë është e ardhmja e bisedimeve shqiptaro-serbe parë nga objektivi i ri, ku të gjithë faktorët e huaj po këmbëngulin për qetësi. Me sa duket publiku shqiptar është krejt i painformuar. Fillimisht prej zyrtarëve të vet dhe së dyti nga fshehtësia me të cilën po bëhen llogaritë në kancelaritë ndërkombëtare. Akti i Preshevës nuk besohet se ka qenë i papritur për Kosovën, e cila disa ditë më vonë do ketë takimin e parë në rang presidentësh me Serbinë, ashtu si nuk ka qenë fare e paparashikuar për Tiranën me lëvizjet e tanishme, që e ka më afër politikën serbe. Duket se ajo që nuk thuhet pak nga pak po ndodh.
Shqipëria në këtë vit të vërtetë të 100 vjetorit të saj, po i ravijëzohet udha e një lloj natyralizimi të saj. Ngërçi institucional dhe funksional i Kosovës, mosfunksionimi i Maqedonisë, po tregojnë se Shqipëria e artikuluar së fundmi do ketë hapësirën e dikurshme ( atë që simbolikisht një nga idhujtarët e Shqipërisë natyrale e thotë si bashkim të ish-vilajeteve të dikurshme), në atë që duhet të jetë Shqipëria e ëndrrave të patriotëve. Këtë e dinë mirë politikanët e sotëm serbë, që edhe pse vinë nga mënga e Sllobos dhe Shesheljit, kanë mësuar se trendet e zakonshme të historisë dhe konjukturat ndërkombëtare nuk i ndalon dot. Ndaj, ndërsa u tregojnë fare ‘të vegjëlve’ të Preshevës se duhet binden, nga ana tjetër shpejt do lëshojnë pe për të ardhmen e tyre si fqinjë historikë të vetëm një shteti të vërtetë shqiptar. Mbase ky aktëz i vogël ishte një nga lehtësitë e fundit që po i bëhet kapriçiozit të vogël sllav në Ballkan.
U ofrova të negocioja, por s’më pranuan
Ombudsmani serb Sasha Jankoviç flet ekskluzivisht për “JAVA”. E vlerëson popullin e Preshevës dhe ata që kanë vdekur në luftë, por ama jo ata që e kanë ideuar këtë luftë?! Vetë ai, pretendon se ka ofruar ndërmjetësimin e tij, por nuk është marrë parasysh...
Sasha Jankoviç është Ombudsmani i parë në historinë demokratike serbe dhe kujtojmë se pak muaj më parë është rizgjedhur për një mandat tjetër të dytë pesëvjeçar. Ai është zgjedhur në korrik të vitit 2007 nga grupi parlamentar partisë Liberal-Demokrate, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa ka pasur mbështetje të fortë dhe nga partitë e tjera. Dikur gazetar, ai nuk ka hezituar të flasë për “Javën”, por në mënyrë tepër të përmbledhur.
Zoti Jankoviç, a mendonit se ekzistonin dhe forma të tjera nga qeveria serbe dhe jo të vepronte me heqjen e memorialit në Preshevë?
“Gjithmonë ka më shumë se një zgjidhje për çdo problem dhe të paktën, njerëz të ndryshëm do të donin më së shumti të kishte dhe preferonin zgjidhje të ndryshme”.
Si e shikoni aktin e popullit të Preshevës për të ndërtuar një monument të tillë dhe nga ana tjetër reagimin e qeverisë serbe?
“Unë, i kuptoj të dyja perspektivat e qëndrimeve. Sinqerisht, e kuptoj nevojën e popullsisë lokale për të kujtuar dhe nderuar të afërmit e vet, miqtë dhe fqinjët, që humbën jetën duke luftuar për çështjen në të cilën besonin, por për aq kohë sa ata nuk u angazhuan në ndonjë luftë apo në krime të ngjashme. Por, po ashtu kuptoj dhe jam me pozicionin që reflekton më së shumti qëndrimin e kushtetutës serbe dhe ndjenjat për të.
Unë, vetë, besoj si pjesa më e madhe e qytetarëve të Republikës së Serbisë se atje s’mund të jetë një monument për anëtarët e ‘Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjez’ sepse kjo lë të nënkuptohet që Policia dhe Ushtria serbe ‘pushtuan’, territorin e tyre dhe vepruan si ‘agresorë’ kundër popullit të tyre. Anëtarët e të ashtuquajturës ushtria Çlirimtare e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes janë falur nga ligji për pjesëmarrjen e tyre në rebelimin me armë dhe përpjekjet që të ndryshonin me dhunë kufijtë e Serbisë, por kjo s’do të thotë që e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare ishte legale apo një udhë e pranueshme për të arritur në qëllimet ndarëse të cilët tanimë mund të glorifikohen”.
A bëtë ju vetë ndonjë përpjekje si institucion për të negociuar mes të dy palëve?
“ Unë ofrova ndërmjetësinë time, por s’pati asnjë pranim për të”
Harta e rajonit tonë, jo e përfunduar por e arrnuar
Koço Danaj, Kryetar i Listës për “Shqipërinë Natyrale” shprehet se po frynë erëra të mira për Shqipërinë natyrale. Dhe, politika shqiptare duhet të hipi sa më shpejt në këtë tren, e përgatitur dhe e vendosur. “Politika shqiptare e të gjitha ngjyrave dhe nënngjyrave ka ardhur koha të kuptojë një gjë: Nuk do të ketë integrim evropian të kombit shqiptar, pa integrim ndërshqiptar, pa u bashkuar në një shtet”, shprehet ai
Si e shikoni “ftohtë” prishjen e memorialit të Preshevës, një lloj sinjali të mostolerancës serbe apo përpjekje dëshpëruese?
“Janë që të dyja, edhe intolerancë, por edhe përpjekje dëshpëruese. Por, nuk janë këto kryesoret. Kemi të bëjmë në mënyrë figurative me kronikën e një ngjarje të paralajmëruar. E para, para 4 muajsh, një nga institutet më të mëdha në Evropë, që këshillon qeverinë gjermane, prognozonte se shumë shpejt në trekëndëshin Maqedoni, Kosovë, Shqipëri do të ketë ndryshime kufijsh. Me përjashtim të disa mediave që e dhanë si lajm, askush nga politika shqiptare nuk u mor seriozisht. E dyta, Beogradi dënon 9 shqiptarë nga Lugina e Preshevës me 116 vjet burg, për gjoja krime kundër njerëzimit.
E treta, Beogradi arrin të realizojë përçarjen e shqiptarëve në Bujanoc, të cilët megjithëse kanë shumicën në Kuvendin lokal, koalicionin e krijojnë me partinë e Nikoliçit. E katërta më 28 nëntor 2012, në Vlorë, kombi shqiptar shpalli bashkimin faktik dhe krijimin real të Shqipërisë natyrale. Ka edhe të tjera, por edhe kaq mjaftojnë për të arritur në një konkluzion real që është: Kemi të bëjmë me zbatim të Platformës serbe ndaj shqiptarëve. Kohërat ndryshojnë, por Platforma në thelb nuk ndryshon, ajo thjesht i përshtatet realitetit. Pra është një skenar i mirëorganizuar, me synim kryesor spastrimin etnik të shqiptarëve”.
A mendoni se politikanët aktualë të Shqipërisë, Kosovës e madje dhe të Maqedonisë janë disi inferiorë për sa i përket politikës së të ardhmes së shqiptarëve...karshi politikës sllave?
“Nuk janë disi, janë tërësisht inferiorë. Reagimi vetëm me deklaratë mediatike, është më shumë ‘larje’ shpirti se sa reagim. Qeveria e Tiranës dhe Prishtinës, nuk kanë Platformë për të sotmen dhe të nesërmen e kombit shqiptar. Kanë vetëm deklarata. Por vetëm me ato, nuk përballohen dot Platforma dhe skenarët serbë. Prandaj, në mjaft raste politika shqiptare në Tiranë, Prishtinë apo Shkup qëndron në mbrojtje, kur duhet të jetë e kundërta.
Po sjell në vëmendjen tuaj disa detaje, para dhe pas heqjes së lapidarit, kryeministri Daçiç bëri disa provokime të paramenduara, të cilat deri tani që flasim bashkë janë pa përgjigje. E para: Daçiç synoi të paraqesë UÇPMB-në si Al-Kaeda. Ju kujtohet besoj krahasimi i tij midis Monumentit të dëshmorëve të UÇPMB-së dhe Al-Kaedas. Ai ju drejtua SHBA-së duke thënë: “A do ta lejonit ju, ngritjen e monumentit të Al-Kaedës në Nju Jork?”. Pra, vuri shenjën e barazimit. A ju kujtohet që një nga propozimet serbe për zhvendosjen e Monumentit ishte vendosja e tij në ndonjë oborr xhamie?! Nesër, të njëjtën gjë, ai do ta thotë për UÇK-në në Kosovë.
E dyta, Daçiç në konferencë me gazetarë, u shpreh së në Luginë kishte vetëm flamuj të Shqipërisë dhe asnjë të Kosovës, u shpreh se Kosova është shtet i rremë prandaj Serbia duhet të negociojë me Tiranën për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Por deri tani nuk ka përgjigje, ka vetëm deklarata. Prandaj sa kohë politika shqiptare do të jetë pa një Platformë të përbashkët kombëtare, aq kohë, ajo do të jetë inferiore, mbrojtëse, thjesht do të jetë politikë vilajetesh Neo-otomane. A nuk e dëgjuat një politikan shqiptar nga Prishtina të thotë se me çështjen e Preshevës duhet të merret më shumë Tirana se sa Prishtina? A doni shembull me tipik të një politikani Vilajeti? Dhe e fundit, ka disa javë që ka filluar një konflikt i ashpër në Maqedoni midis Gruevskit dhe Cërvenkovskit. Me çfarë kemi të bëjmë, thjesht me luftë për pushtet apo me diabolizëm politik për t’i nxjerrë shqiptarët në periferi të politikës dhe vendimmarrjes politike? Askush nuk flet, askush nuk analizon. Politikanët e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit janë të vetmit politikanë në Evropë ‘që i dinë të gjitha’. Të vetmet ‘këshilla’ që mund të kërkojnë janë ato të servilizmit”.
Duket me një lloj “bonsensi” paradoksalisht qeveria e re e Beogradit, që dukshëm mbizotëron nga nacionalistët e Nikoliç. A ndoshta parashikohen era të mira për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve, apo serbët janë të diktuar të veprojnë në këtë mënyrë?
“Pyetje e saktë. Dua t’ju kujtoj një detaj: Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë me Greqinë u vendosën kur në Greqi qeveriste Junta ushtarake. Dhe, u vendosën në mënyrë urgjente. Le të vijmë në Beograd në gjykimin e qeverisë së ish-radikalit Nikoliç me ish ultra-nacionalistin Daçiç, pasi që të dy kanë ngritur problemin e zgjidhjes përfundimtare të problemeve midis serbëve dhe shqiptarëve duke thënë se në Rajon është e pazgjidhur çështja shqiptare dhe ajo serbe. Nuk kemi të bëjmë me Platformë të re, por kemi të bëjmë me më shumë vendosmëri. Duke kërkuar me vendosmëri zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe, ata synojnë njëkohësisht të marrin ç’të marrin nga Kosova, duke synuar më shumë Republikën Srpska në Bosnjë e cila qysh tani vepron si shtet më vete.
Pra, dyshja Nikoliç-Daçiç synon Republikën Srpska, synon autonomimë e Veriut të Kosovës, natyrisht me një emër të ri, synon pastrimin etnik të Kosovës Lindore, me synim që pas spastrimit etnik të Medvegjës të realizojë edhe spastrimin etnik në Bujanoc, për t’ju lënë shqiptarëve vetëm atë që quhet rëndom “Lugina e Preshevës” e cila është vetëm një e pesta e Kosovës Lindore. Pas kësaj, ajo nuk shqetësohet fare për bashkimin e trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë. Dhe duket se ata do ta realizojnë një gjë të tillë, pasi kanë edhe bekimin e Moskës, Brukselit dhe Uashingtonit”.
Si një nga ideologët e Shqipërisë natyrale dhe hartues i Platformës së saj, si mendoni a mund që kjo situatë të përshkallëzohet deri në trazira apo konflikte të armatosura?
“Ka një problem i cili, ka nevojë të evidentohet. Harta e rajonit tonë, nuk është e përfunduar, ajo është e arnuar. Ajo është diku e rregulluar, por nuk është e riformatuar tërësisht. Por që të ndodhë kjo, ka nevojë të riaktivizohet me forcë arbitri ndërkombëtar, që në rastin konkret është SHBA dhe Rusia. Studimi i fundit i ekspertëve të CIA-s dhe GRU-së, mbi krijimin e Shqipërisë Natyrale, tregon që ky arbitër ndërkombëtar i ka ndarë zonat e influencës. Fitorja e forcave proruse në Gjeorgji është një ogur i mbarë për çështjen shqiptare.
Pra, raporti i botuar tregoi Planin e shërbimeve sekrete amerikano-ruse në Ballkan, duke mos treguar datën e saktë. Dhe, kjo është normale kur flasim për plane të shërbimeve sekrete, gjithmonë tregohet plani, por asnjë-herë data e saktë se kur ndodh ky plan. Se sa ky plan do të realizohet paqësisht apo do ti paraprijë ndonjë trazirë diku në rajon, kjo ka nevojë për studim dhe analizë, kjo ka nevojë që Tirana, Prishtina dhe Shkupi të kenë një qendër të përbashkët prognozash. Kështu do të bëhen më seriozë në çështjen kombëtare, por do të kursejnë edhe me shumë jetë njerëzish. Në politikën aktuale duhet zvogëluar sa më shumë pasoja e devizës së dikurshme: ‘E çfarë rëndësie kanë viktimat kur ato të sjellin përfitime politike’. Politika shqiptare në rajon duhet të shndërrohet nga ‘zjarrfikëse” siç ka qenë deri tani, në paqebërëse. Lufta nuk bëhet sa herë që të duan shqiptarët apo edhe dikush tjetër”.
Si i shikoni hapat parazgjedhore të Berishës, Ramës, LSI-së, AK-së dhe FRD-së në lidhje me çështjen kombëtare? A mendoni se ka sinqeritet në këto qëndrime?
“Sinqeritet ka, por Platformë nuk ka. Ka vetëm deklarata, ka shpesh herë retorikë nacionaliste, ka sharje dhe akuza të ndërsjella. Pra është një nacionalizëm i ndrojtur. Ndërkaq, problemi shtrohet thjesht dhe qartë: Kombi shqiptar, në 28 nëntor 2012 e shpalli Shqipërinë natyrale. Tashmë duhet që politika shqiptare ta legalizojë atë juridikisht. Problemi shtrohet përsëri qartë; kombi shqiptar e bashkë me atë edhe politika shqiptare sapo festuan 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë natyrale me kufij nga Presheva në Prevezë e nga Durrësi në Shkup. Ndërkaq, këtë vit në datën 29 korrik, kemi 100 vjetorin e kësaj Shqipërie që jetojmë. Sot kombi shqiptar jeton në tre Vilajete Neo-otomane: të Tiranës, të Prishtinës dhe të Shkupit dhe në disa kaza.
Por ata që merren me analizë politike e dinë se Vilajeti prodhon ose totalitarizëm ose autoritarizëm. Vetëm se asnjëherë demokraci. Çfarë do të bëjmë, do ta festojmë apo do ta denoncojmë dhe do të kërkojmë anulimin e mbledhjes famëkeqe të Londrës 1913?! Çfarë do të bëjmë, do ta kapim ‘demin nga brirët apo nga bishti’, do të kërkojmë bashkimin e tre Vilajeteve në një të vetëm apo do të merremi me abetare e liga futbolli? Dhe e fundit; askush nuk arrin të kuptojë përse politika e Tiranës që e ka të sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar, nuk ka një Platformë për këtë çështje, askush as nga të huajt, por as nga shqiptarët?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje. Deri tani nuk kanë marrë. Dhe, nuk kanë marrë pasi ose ka ndrojtje, ose ka paaftësi për ta përballuar një çështje kaq të madhe siç është Shqipëria natyrale, ose mungon mentaliteti që përballon këtë problem madhor, ose ka frikë, ose politika shqiptare është më komode me qeverisje autoritare se sa me qeverisje demokratike. Por, gjithsesi “Treni i bashkimit kombëtar të shqiptarëve” është nisur. Uroj që Politika shqiptare të hipi sa më shpejt në këtë tren e përgatitur dhe e vendosur. Politika shqiptare e të gjitha ngjyrave dhe nënngjyrave ka ardhur koha të kuptojë një gjë: Nuk do të ketë integrim evropian të kombit shqiptar, pa integrim ndërshqiptar, pa u bashkuar në një shtet. BE nuk pranon Vilajete Neo-otomane, por shtete-komb”.