Ekonomistët dallojnë me njëri-tjetrin në lidhje me përcaktimin e termit recesion, por zakonisht recesion konsiderohen 2 tremujore të njëpasnjëshme gjatë të cilëve shënohen rritje negative ekonomike, pra konstatohen rënie në Prodhimin Kombëtar Bruto. Për shkak të mungesës së të dhënave të besueshme, askush nuk mund të thotë saktësisht se cili ka qenë recesioni më i gjatë në histori, por ndërkohë ka pasur disa shembuj të famshëm.
Greqia dhe Irlanda, vitet 2000
Sipas qeverisë greke, pra shifrave të saj, ekonomia së pari u kontraktua në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe që nga ai moment ka ardhur duke u tkurrur dhe reduktuar. Kjo do të thotë se Greqia aktualisht është në vitin e katërt të recesionit. Ka disa që janë të mendimit se Greqia kishte hyrë në një spirale negative që në vitin 2006. Por Banka Botërore thotë se vendi pati vitin e plotë të recesionit në vitin 2008.
Ndërsa ekonomia e Irlandës së pari u kontraktua në vitin 2006, dy vite para Greqisë dhe ka pasur një rritje ekonomike më të gjatë dhe më negative se ajo e Greqisë, por ndërkohë programi i masave shtrënguese në Greqi do ta zgjasë shumë periudhën e rënies ekonomike dhe do të kalojë shumë kohë para se Greqia ta marrë veten. Gjithsesi, sipas ekonomistëve me përvojë, shifrat e Prodhimit Kombëtar Bruto duhen parë gjithmonë me shumë kujdes, sepse gjërat ndryshojnë.
Nëse Greqia do ta lërë Eurozonën do të ketë një shans më të madh për rritjen ekonomike dhe Prodhimin Kombëtar Bruto edhe pse më parë vendi do të duhet që të përjetojë një tronditje të mprehtë dhe të shkurtër. Pra edhe nëse Greqia do t’ia dalë mbanë do të ketë kaluar ndërkohë një periudhë 5 ose 6-vjeçare recesioni, tkurrjeje ekonomike para se ekonomia të marrë veten, të mëkëmbet dhe të ecë qetësisht.
Depresioni i Madh, SHBA 1930
Depresioni i Madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një pikë e përbashkët reference për diskutimin dhe debatet në lidhje me krizën financiare aktuale. Zyra Amerikane e Analizës Ekonomike filloi që të mblidhte të dhënat për Prodhimet Kombëtare Bruto vetëm në vitin 1930. Pra ky ishte viti i parë, viti pas përmbysjes së Wall Street dhe sipas këtyre të dhënave të para ekonomia amerikane u tkurr, ose u kontraktua sipas termave që përdoren aktualisht, për katër vitet në vijim të kësaj krize të rëndë. Dhe në këtë situatë, prodhimi kombëtar bruto ra me thuajse një të tretën.
Kontraktimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte shumë më i rreptë se ai në Greqi aktualisht edhe pse të dy recesionet shumë të rënda edhe nuk janë vendosur në një rrafsh krahasimor. Ndërkohë, një tjetër shkallë e vështirësisë ishte se recesioni u përsërit sërish në vitin 1937-1938 pra pas një rimëkëmbjeje të shkurtër ekonomia shumë shpejt u zhyt sërish në recesion. Por nëse do të hedhësh vështrim te dy sektorët privatë te Greqia sot dhe SHBA, në atë kohë atëherë për sa u përket kontraktimeve, apo tkurrjes ajo është thuajse e të njëjtave përmasa. Kjo sepse sektori privat grek sot është më i madh se sektori privat amerikan në kohën e krizës së madhe të shekullit të kaluar.
Shtetet e Bashkuara në vitin 1870
Ndoshta edhe më e gjatë dhe më e lodhshme se kriza, apo depresioni i vitit 1930 ishte ai i vitit 1870 që konsiderohej si “Depresioni i Madh” derisa kjo shprehje nuk u përdor për situatën e krizës financiare në vitin 1930 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra 60 vjet më vonë. Kjo krizë rrënoi bankën amerikane “Jay Cooke&Company” dhe shkaktoi një panik të jashtëzakonshëm financiar edhe në të gjithë Europën. Zyra Kombëtare Amerikane e Kërkimeve Ekonomike vlerëson se ekonomia amerikane në atë periudhë u kontaktua për plot 65 muaj me radhë nga tetori i vitit 1873 e deri në mars të vitit 1879 pra 22 muaj më shumë se në rastin e Depresionit të Madh të viteve ’30 të shekullit të kaluar.
Por Albrecht Rischl, profesor i historisë ekonomike në Shkollën Ekonomike të Londrës thotë se ashpërsia e këtij depresioni është rivlerësuar në vitet në vijim. Gjithsesi, pavarësisht riparjes bëhet fjalë për një situatë jo vetëm të rëndë, por edhe shumë të gjatë.
Taxhikistan 1990
Një nga krizat më të gjata financiare në vitet e fundit ka ndodhur në Taxhikistan, që sipas vlerësimeve dhe studimeve të Bankës Botërore zgjatin 9 vjet. Pra bëhet fjalë për 9 vite gjatë të cilave nuk u shënua asnjë rritje ekonomike dhe në një situatë të ekonomisë së tregut. Lufta civile nisi në maj të vitit 1992 dhe që nga ajo periudhë deri 9 vite më pas vendi u zhyt në një paqartësi të madhe ekonomike, krizë dhe zvarritje reformash që e ndaluan rritjen ekonomike. Kjo zgjati ekzaktësisht deri në vitin 2000. Në atë vend gjysma e ekonomisë ishte në treg të zi dhe Taxhikistani ndërkohë është një nga ekonomitë që varet më shumë nga remitancat në botë, ndërkohë varet edhe nga të ardhurat e emigrantëve që mbajnë me para nga vendet e tjera të botës familjet që kanë në vend.
Liberia 1980 - 1990
Nga viti 1980 deri në vitin 1997 vendi i Afrikës Perëndimore, Liberia që është edhe republika më e vjetër e kontinentit afrikan, përjetoi një krizë shumë të gjatë ekonomike. Bëhet fjalë për 17 vite gjatë të cilave nuk u shënua asnjë lloj rritjeje ekonomike. Gjithsesi, si edhe në raste të tjera, shifrat duhet që të shihen më me kujdes. Gjithçka filloi me grushtin ushtarak në vitin 1980 të Samuel Does, i cili solli me vete një periudhë destabilizimi dhe lufte civile.
Të tjera kriza të gjata
Shumë ekonomistë e konsiderojnë recesionin si “deviacionin më këmbëngulës” nga punësimi dhe rritja ekonomike. Një ekonomi e avancuar duhet të rritet me 1.8 deri në 1.9% në vit ndaj nëse do të kemi rritje prej 1% për shembull kjo do të konsiderohet si recesion. Periudha të tilla kanë pasur shumë vende në botë duke filluar nga Britania e Madhe në vitet 1920 dhe 1921, por gjithsesi janë rikuperuar më pas. Zvicra ka pasur për shembull një rritje të ngadalshme ekonomike që nga viti 1990, por problemi është fshehur pas shifrave të larta të punësimit. Të vetmet vende që duhet aktualisht të shqetësohen janë Italia dhe Spanja, sepse në to rritja po vihet re në shifra shumë të ulëta që nga viti 2000.