Projekti i gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, është investimi më i madh i këtyre 23 viteve në Shqipëri, me një vlerë që i tejkalon 1 miliard euro. Por International Balkan News Agency ka pyetur kryeministrin Edi Rama dhe ish- kryeministrin për këtë çështje dhe duket se ka një problem, që mund ta lërë Shqipërinë duarthatë nga ky projekt. Rama thotë se qeveria e mëparshme ka bërë një marrëveshje shumë diskriminuese për vendin.
“Qeveria e Shqipërisë nuk ka bërë asgjë për të përfshirë në marrëveshje gazifikimin e Shqipërisë,” thotë ai. Problemi është tek mungesa e një rrjeti të gazifikimit në Shqipëri, që nuk u ndërtua në 50 vitet e regjimit komunist, por as nuk është bërë ndonjë përpjekje këto 23 vite. Sali Berisha thotë se Shqipëria duhet të ndërtojë vetë rrjetin e gazifikimit dhe TAP nuk ka asnjë lidhje me këtë.
I pyetur se përse nuk ka bërë asgjë për rrjetin e gazifikimit në vend gjatë qeverisjes së tij, Berisha thotë se ata kishin deklaruar se vitet 2013- 2017 do të ishin vitet e gazifikimit të Shqipërisë. Berisha thotë se Rama nuk e ka lexuar marrëveshjen, pasi aty saktësohet se ata kanë kërkuar furnizim të garantuar me gaz për vendin. Rama e akuzon Berishën edhe se nuk ka bërë asgjë për të përfshirë Kosovën në marrëveshjen e TAP. Por Berisha thotë se ky është një problem tjetër, pasi Azerbajxhani nuk e ka njohur Kosovën sepse ka problemet e veta me krahinën e Nagorni Karabak.
Ai thotë se në të ardhmen Kosova do të përfitojë nga gazsjellësi, ndërsa e sfidon Ramën: “Shko tek azerët dhe bindi për këtë çështje”.