Pjesë e hetimeve të Prokurorisë, në zbardhjen e elementeve të vrasjes së biznesmenit 58-vjeçar Artan Santo, janë edhe veprimet dhe mosveprimet e 4 efektivëve, 2 të policisë rrugore dhe 2 të sallës operative të Policisë së Tiranës në detyrë paraditen e të enjtes kur ndodhi krimi. Për hetimin e punonjësve të policisë janë angazhuar edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Drejtoria e Standarteve Profesionale.
Prokurorët mësohet të kenë konstatuar luhatje në dëshmninë e punonjësit të policisë në shërbim pranë kryqëzimit të bankës Kredins në Bllok ku ndodhi krimi, i cili ka deklaruar se është kërcënuar me armë nga autorët në momentin e krimit dhe se ka ndjekur aq sa ka mundur motorrin Suzuki V-Storm të autorëve, nga Blloku deri te Komuna e Parisit. Po ashtu edhe për efektivin e policisë në kryqëzimin e Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të cilit vetëm mëngjesin e të enjtes i ka kaluar disa herë pranë i pashqetësuar motori pa targa i vrasësve, të cilët për shkak të veshjeve dhe maskimit të tyre binin lehtë në sy.
Pjesë e grupit të punonjësve të policisë, të cilëve po u verifikohen veprimet dhe mos veprimet janë edhe dy policë të sallës operative, për të parë nëse njoftimi i dhënë në radio ka qenë në kohë apo i vonuar. Të njëjtat burime thanë se të tilla hetime janë të zakonshme për ngjarjet e bujshme apo ku ka pretendime për reagimin e policisë, ndërsa pritet përfundimi i procesit të verifikimeve dhe hetimeve për të parë nëse ka elementë të shkeljeve administrative në detyrë apo elementë të përgjegjësisë penale.