A vijme te gjithe nga Marsi?

A vijme te gjithe nga Marsi?
Shkencëtarët e NASA-s kanë njoftuar së fundi se kanë zbuluar një organizëm që përdor arsenikun në vend të fosforit për metabolizmin tij. Gjeologu Dirk Schulze-Makuch, në një intervistë rrëfen për pasojat e një zbulimi të tillë dhe mundësinë e ekzistencës së jetës në planetë të tjerë

Shkencëtarët e NASA-s kanë zbuluar një baktere shumë të çuditshme në Kaliforni. Mikrobi funksionon me arsenik, që është një lëndë shumë helmuese për të gjitha format e jetës. Madje, arseniku ndodhet në qelizat e kësaj qenieje. A mund të themi se ato vijnë nga një planet tjetër?

Jo. Kjo është më se e sigurt. Bakteri i arsenikut nuk jeton i pavarur nga organizma të tjerë në Tokë. Si të gjitha mikrobet e tjera, ato shumëfishohen më mirë kur kanë fosfor rrotull. Këto baktere e përdorin arsenikun kur nuk ka mjaftueshëm fosfor. Por, ato janë një shembull i mrekullueshëm i mënyrës së adaptimit të mikroorganizmave.

Cila është domethënia e një zbulimi të tillë për kërkimin e jetëve jashtëtokësore?

Bakteri i arsenikut na ndihmon që të zgjerojmë horizontet. Nëse gjejmë një organizëm kaq ekzotik në Tokë, imagjinoni sa qenie të çuditshme mund të ekzistojnë në planetë të tjerë. Ne duhet që të çlirohemi nga ideja se format e jetës në planetë të tjerë i ngjajnë atyre në Tokë.

Çfarë dallimi mund të imagjinosh?

Fiksimi ynë me idenë se oksigjeni është thelbësor për jetën, është një fiksim dritëshkurtër. Ky element shumë agresiv shkakton dëme në qelizat tona në formën e radikaleve të lira. Ndoshta organizma të ndryshëm, diku gjetkë në hapësirë, kanë gjetur mënyra të tjera për të siguruar jetën, madje më të buta se tonat. Kur dërgojmë sonda eksploruese në botët e tjera, duhet që të mbledhim mendjen që mund të gjejmë gjërat më të paimagjinueshme. Jeta mund të shfaqet kudo, në çdo lloj mjedisi.

Ku mund të jetonin mirë bakteret në fjalë?

Mikrobet e arsenikut do të ndiheshin fare mirë, për shembull, në planetin tonë fqinj, Mars. Mënyra e tij e jetesës i shkon shumë për shtat kushteve të këtij planeti. Provat e mbledhura nga robotët e dërguar në Mars mund të konsiderohen edhe si prova të jetës bakteriale. Megjithatë, mund të ndodhë që format e jetës në Mars të mos jenë në fakt aliene, por të kenë lidhje me ne.

Çfarë doni të thoni?

Thuajse 4 miliardë vjet më parë, Marsi ishte një planet me kushte të përshtatshme për të pasur jetë. Kishte lumenj dhe liqene shumë të mëdhenj. Në atë epokë, u shfaqën në Tokë edhe organizmat e parë primitivë. Këto forma njëqelizore të jetës, ka shumë mundësi që të kenë ardhur nga planeti fqinj përmes meteoritëve. Gjithsesi, mund të jenë vendosur në Tokë. Ka gjithashtu mundësi se pasardhës të këtyre baktereve të jenë strehuar gjatë gjithë kësaj kohe edhe në pjesë të ndryshme të Marsit deri në ditët tona. Jeta mund të ketë ekzistuar në Mars dhe prej andej ka ardhur në Tokë. Kjo do të bënte që të shtronim pyetjen: A jemi të gjithë marsianë?

Cili planet në sistemin tonë diellor ka më shumë shanse që të mbartë jetë, për shkak të ndryshueshmërisë së madhe me kushtet e jetës në Tokë?

Titani i largët është një Hënë e Saturnit, dhe duket tërësisht i ndryshëm nga ne. Temperatura e sipërfaqes së tij është minus 160 gradë dhe atmosfera e tij nuk ka oksigjen. Në vend të ujit, liqenet e tij janë të mbushur me gaz të lëngët. Nga qielli bie shi metani dhe i gjithë peizazhi të jep përshtypjen sikur sapo ka dalë nga një katastrofë kozmike. Nëse do të arrinim që të zbulonim jetë në këtë planet, atëherë me siguri që format e jetës do të ishin krejtësisht të ndryshme nga ato në Tokë.

A ka shanse për një gjë të tillë?

Ka, dhe janë të mëdha. Në një ishull në Karaibe ka një rezervë natyrore asfalti të quajtur ‘Pitch Lake’, e cila ushqehet nga substanca oleagjene që vijnë nga korja e tokës. Është në fakt, një vend që frekuentohet shumë nga turistët. Kushtet e saj janë të ngjashme me atë të liqeneve të Titanit. Unë dhe grupi me të cilët bashkëpunoj kemi mbledhur mostra nga ky terren për të kërkuar për shenja jete.

Keni pasur ndonjë rezultat?

Shumë çuditërisht kemi gjetur masa të mëdha bakteresh që e transformonin hidrokarbonin në metan, në liqen. Është, sigurisht, një mister mënyra e tyre e mbijetesës në kushte të tilla. Kjo mund të ndodhë shumë mirë edhe në Titan.

Por, pa dyshim që një gjë e tillë është e vështirë që të provohet?

Jo. Ne do ta sqarojmë një gjë të tillë sapo një sondë e jona të eksplorojë Titanin. Zbulimi i bakterit të arsenikut dhe i atyre që jetojnë në liqen, tregojnë se jeta zhvillohet në forma nga më të çuditshmet nëse arrin që të gjejë mënyra adoptimi dhe mbijetese. I vetmi problem që kemi është se nuk e dimë se si filloi jeta në Tokë, dhe aq më pak nuk dimë për të njëjtën fazë në planetët e tjerë. Por, kjo i takon së ardhmes.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama