Tani duhet të ulemi me etnografët dhe të bisedojmë për të gjitha problemet që kemi.” Një muze veç ekspozimit të vlerave ka funksionin që të ruajë nga dekompozimi objektet. “Që një ditë Muzeu Kombëtar të ketë kushte ekspozimi pa menduar se mund të ketë dekompozime objektesh duhen 200 mijë dollarë në vit. Por prej 20 vitesh ky sistem nuk ekziston më.” Prandaj sipas tij “ndriçimi apo temperatura konstante janë kushte të parealizueshme plotësisht në asnjë muze në Shqipëri”. Ai shton se “në Muzeun Historik ndiejmë nevojën e etnografëve, të piktorëve, restauratorëve sipas periudhave, pasi çdo gjë jemi duke e bërë me forcat tona.”
Më parë ambienti është përdorur për objektet e periudhës së socializmit. Por tashmë pothuajse nuk ka më asnjë shenjë të ngelur prej saj. Me përjashtim të një pikture me portrete partizanësh sa një faqe muri. Kurse korniza të mëdha me fotografi bardhë e zi janë rrëzuar përtokë. Mjafton pastrimi i fundit në ambientet e pavijonit që të hidhen poshtë. Pavarësisht dritës jeshile që u hap me paraqitjen e platformës shkencore të hartuar nga etno- grafia Afërdita Onuzi në vitin 2011, përsëri zvarritja vazhdoi. Por kësaj rradhe Pavijoni Etnografik i mbështëtur nga UNDP do të përfundojë seriozisht. Më parë ka ekzistuar për pak kohë një pavijon i përkohshëm brenda atij të mesjetës me disa veshje, objekte tekstili dhe punime argjendarie që sot ka lënë vetëm disa gjurmë.
Ndërrimi i titullarëve të institucionit gjatë kësaj kohe, ndryshimi i idesë së projektit, mos përputhja e ideve të specialistëve me projektin e firmës ndërtuese, e shtynë ngritjen e pavijonit për pesë vjet. Janë 1200 metra katrorë në Muzeun Historik Kombëtar që i janë dhënë pavijonit të etnografisë, ekzaktësisht kati i parë dhe kati i dytë. Janë pothuajse gati vitrinat dhe vendi që do të përcjellin tek publiku një panoramë të jetës ekonomike në fshatin dhe qytetin shqiptar të shek XIX-XX, që nga banesa te veglat e punës. Do të paraqitet ekonomia tradicionale, burimet kryesore ekonomike të jetës në fshat dhe në qytet. Në fshat, bujqësia, blegtoria dhe mjeshtëritë, veshjet popullore, mjediset e banesave, një odë miqsh e Shqipërisë verilindore, një ambient i brendshëm kulle i Shqipërisë veriore, një odë grash e Shqipërisë së Jugut dhe një kuzhinë tradicionale. Po ashtu do veprohet edhe me qytetin, veçse aty nuk kemi bujqësinë, blegtorinë, por mjeshtëritë popullore, kemi "industrinë".
Pavijoni Etnografik gati për 10 ditë
-Punimet për ngritjen e Pavijonit Etnografik janë në fazën e përfundimit të ndërhyrjeve fizike. Aktualisht janë vendosur vitrinat në të dy katet, janë bërë gati dhomat e manekinëve, si edhe është realizuar sistemi i ndriçimit dhe ajrosjes. Pas kësaj specialistet e muzeut do të kryejnë vendosjen e artifakteve nëpër salla si dhe do të hartojnë shpjegimet përkatëse. “Ne jemi të interesuar për një pavijon dinjitoz, i cili do të lidhë më mirë qytetarët shqiptarë me muzeun e tyre historik.” Entela Lako, analistje e programit të UNDP, tha se projekti ka kaluar nëpër fazat përkatëse që janë përfshirë në kontratën për realizimin e punimeve. Krahas ngritjes së Pavijonit Etnografik, mbështetja e UNDP- së në Muzeut Historik është më e gjerë. Është hartuar plani për përmirësimin e menaxhimit të muzeut, është rishikuar struktura e muzeut, është studiuar qëndrueshmëria fizike e godinave që përbëjnë këtë kompleks muzeal, si edhe është përmirësuar salla kryesore e konferencave në muze etj.
A ka pasur një afat kohor brenda të cilit duhet të përfundonte realizimi i projektit për Pavijonin Etnografik?
Mbështetja e Muzeut Historik Kombëtar për ngritjen e Pavijonit të Etnografisë kryhet në vijim të Programit të Përbashkët të UNDP dhe UNESCO, “Kultura dhe Trashëgimia për Zhvillimin Social dhe Ekonomik”, një program tri-vjeçar i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri i financuar nga Fondi i Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Programi ka kryer me sukses ndërhyrje të rëndësishme në mbështetje të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, përfshi qendrat historike të Beratit e Gjirokastrës dhe disa parqe arkeologjike në vend, mbështetjes së marketingut dhe diplomacisë kulturore të Shqipërisë, fuqizimit të artizanatit, përmirësimit të informacionit turistik, përmirësimit të kapaciteteve menaxhuese të trashëgimisë kulturore, promovimit të rolit të Shqipërisë në Aleancën e Qytetërimeve e kështu me radhë.
Cila është ndihma juaj në Muzeun Historik Kombëtar?
Mbështetja në Muzeun Historik është më e gjerë se thjesht ngritja e Pavijonit të Etnografisë. Nëpërmjet këtij programi është hartuar plani për përmirësimin e menaxhimit të përgjithshëm të muzeut. Është rishikuar struktura e muzeut, janë dhënë sugjerime për administrimin si edhe për përmbajtjen e plotë të këtij institucioni të rëndësishëm të trashëgimisë historike dhe kulturore, është studiuar qëndrueshmëria fizike e godinave që përbëjnë këtë kompleks muzeal, si edhe është përmirësuar salla kryesore e konferencave në muze.
Po konkretisht për Pavijonin e Etnografisë?
Ngritja e Pavijonit Etnografik është një përpjekje serioze e specialistëve të Muzeut Historik në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike, ku UNDP ka mbështetur hartimin e konceptit nëpërmjet angazhimit të ekspertizës vendase dhe të huaj. Ka financuar rehabilitimin e plotë të mjediseve ku do të shtrihet pavijoni, pajisjen e tij me vitrina ekspozimi, dhe restaurimin e plotë të artifakteve që do të ekspozohen në pavijon.
Në çfarë faze janë këto punime?
Aktualisht punimet për ngritjen e pavijonit janë në fazën e përfundimit të ndërhyrjeve fizike, të cilat pritet të mbyllen në fund të muajit shkurt. Pas kësaj specialistët e muzeut, nën drejtimin e kuratores së pavijonit do të kryejnë vendosjen e artifakteve nëpër salla si dhe do të hartojnë shpjegimet përkatëse. Ky është një proces që kërkon kohën e tij dhe specialistët e muzeut janë ata që mund të japin një përgjigje të saktë për kohën e nevojshme deri në përfundimin e plotë të pavijonit. Ne jemi të interesuar për një pavijon dinjitoz, i cili do të lidhë më mirë qytetarët shqiptarë me muzeun e tyre historik.
Për specialistët e MHK puna nis në fund të shkurtit?
Pikërisht pas kësaj faze fillon procesi i aranzhimit të artifakteve nëpër salla dhe specialistët e muzeut janë ata që e kanë në dorë këtë proces.
Ka pasur edhe vonesa në tenderime. A ka qenë i mjaftueshëm fondi i akorduar për realizimin e këtyre punimeve?
Ne jemi në përfundim të punimeve të cilat janë kryer në përputhje me procedurat administrative të UNDPsë në Shqipëri. Kuptohet që procesi i tenderimit u paraprin punimeve, kështu që kjo është një fazë e tejkaluar. Fondi i akorduar për projektin e muzeut ka mundësuar kryerjen e të gjitha punimeve të deritanishme të cilat janë në zbatim të konceptit të pavijonit, hartuar nga ekspertë vendas e të huaj nën drejtimin e kuratores së pavijonit dhe në miratim nga organet drejtuese të muzeut.
Çfarë mbetet e parealizueshme rreth këtij projekti dhe përse?
Ka një shqetësim të ngritur javën e fundit nga specialistët e artifakteve për disa nga manekinët që ekspozojnë veshjet e krahinave të ndryshme, të cilat janë konceptuar që të shoqërojnë dhomat tematike të pavijonit. Si të tilla ka qenë e pamundur të futen në vitrina të mbyllura individuale. Por kjo është diçka krejtësisht e realizueshme dhe i mbetet Muzeut që ta ndjekë në të ardhmen.
Temperatura dhe ndriçimi në pavijon si do të jenë?
Për sa i përket temperaturës dhe kushteve të ajrit në pavijon, është ndërtuar sistemi i ri i ngrohje-ftohjes, i cili do të sigurojë temperaturë konstante në sallë. Ky sistem është pajisur me filtra pastrimi të cilët kryejnë rregullimin e cilësisë së ajrit që hyn në sallë.