AFP 20 perqind e shqiptareve bashkepunuan me Sigurimin

AFP: 20 perqind e shqiptareve bashkepunuan me Sigurimin

Lajmi për miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve është raportuar edhe nga shumë media perëndimore. Më poshtë një raport i agjencisë franceze, AFP. Parlamenti shqiptar miratoi të enjten një ligj për të hapur dosjet sekrete të policisë për civilët, të cilat kanë qenë të mbyllura që prej rënies së regjimit të frikshëm komunist.

Burime jozyrtare përllogarisin se rreth 20 përqind e shqiptarëve kanë bashkëpunuar me Sigurimin famëkeq, duke informuar për aktivitete të ‘dyshimta’ të miqve, fqinjëve, kolegëve, madje edhe anëtarëve të familjes. Burime të inteligjencës perëndimore besojnë se mbi 10 mijë njerëz kanë punuar për organizatën sekrete gjatë periudhës komuniste.

Sigurimi, një mjet i fuqishëm në duart e diktatorit Enver Hoxha, u krijua sapo ai erdhi në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore, për të shtypur kundërshtarët dhe opozitën.

Pas rënies së regjimit në vitin 1991, gjashtë vjet pas vdekjes së Hoxhës, Sigurimi u shpërbë dhe u zëvendësua nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Ligji lejon aksesin në dosje të atyre njerëzve që janë monitoruar nga regjimi, që kanë bashkëpunuar me regjimin dhe për të gjitha institucionet e interesuara. Dosjet do ekzaminohen nga një komision prej pesë anëtarësh, që do i bëjë të mundur për ata që interesohen.

Komisioni do të ofrojë edhe certifikata të mos-bashkëpunimit për të gjithë ata që kërkojnë një post në administratën shtetërore ose që garojnë për një post. Ligji i ndalon ish- sigurimsat që të marrin një post publik, por kjo nuk përfshin personat që bashkëpunuan me policinë sekrete prej viteve 1944 deri në vitin 1990. Legjislacioni që parandalonte këtë gjë u miratua në vitin 2008, por u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe u kundërshtua nga Bashkimi Europian. Sipas ekspertëve, një pjesë e madhe e dosjeve të policisë sekrete janë shkatërruar në vitin 1991 dhe 1992, ndërsa komunistët ishin në pushtet, dhe gjatë vitit 1997, kur ndodhi një rebelim i armatosur në Shqipëri.

Të paktën 7 mijë kundërshtarë të regjimit komunist u vranë dhe mbi 100 mijë u dërguan në kampe pune, ku shumë prej tyre vdiqën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama