AKEP Operatori i katert hyn ne treg ne qershor

AKEP: Operatori i katërt hyn në treg në qershor
Pritet që shtimi i numrit të operatorëve të rrisë konkurencën në tregun e telekomunikacioneve duke i ardhur në shërbim publikut nëpërmjet uljes së tarifave. Gjatë parashtrimit të raportit vjetor në Kuvend, Drejtori i AKEP-it Piro Xhixho, theksoi se ka një pritshmëri prej konsumatorëve për uljen e mëtejshme të tarifave të telefonisë së levizshme.

Krahas uljes së tarifave të shërbimit nga komanitë ceulare, një nismë tjetër që do t'u vinte në ndihmë qytetarëve në këtë drejtim është edhe shërbimi i bartjes së numrit.

Ka më shumë se një vit e gjysmë, që konsumatorët shqiptarë privohen nga e drejta e ndërrimit të kompanisë nga e cila merr shërbimin pa ndryshuar numër. Ky shërbim, i bën të mundur qytetarëve që për arsye të ndryshme si, çmimet e favorshme, mbulimi më i gjërë i territorit, shërbimi më i mirë, arsyet familjare, etj., të mund të ndërrojnë kompaninë celulare por pa ndërruar numrin që kanë në përdorim.

Një nga arsyet kryesore që i pengon abonentët të ndërrojnë numrin për momentin është kostoja që do të duhet të paguanin ata për të rivendosur nga e para kontaktet me të njohurit e tyre.

Ofrimi i këti Shërbimi duhet të ishte bërë i mundur që në muajin qershor të vitit 2009. Ligji Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë e përcakton qartë kohën në të cilën tre kompanitë celulare në vend duhej te fillonin së ofruari këtë shërbim por në verën e vitit të shkuar çështja mbeti peng e një firme të Këshillit Drejtues të Bordit të AKEP-it.

Referuar kuadrit ligjor, ndryshe nga më parë kur numri ishte në pronësi të shtetit ku ky i fundit ia shiste kompanive celulare dhe këto abonentëve të tyre, tashmë ai konsiderohet vetëm pronë e konsumatorit dhe ai ka të gjitha të drejtat që pa e ndërruar të mund të zgjedhë shërbimin që mendon se është më i leverdisshmi.

Kreu i AKEP-it mori dje përsipër për të bërë të mundur ofrimin e shërbimit të bartjes së numrit ndaj konsumatorëve por nuk bëri të ditur kohën në të cilën do të fillojë aplikimi në terren. Por krahas lehtësive që u ofron konsumatorëve, bartja e numrit shoqërohet me kosto për kompanitë celulare.

Për të ofruar këtë shërbim është e nevojshme ngritja e një dispecerie të përbashkët, ku secila kompani të dërgojë specialistët e saj bashkë me aparaturat e duhura. Në këtë mënyrë do të bëhet e mundur njëkohësimi i veprimeve duke ulur kohëzgjatjen e bartjes së numrit.

Brenda vitit hyn në shërbim teknologja '3G'

TIRANË- Tregu i telekomunikacioneve në vend pritet të ofrojë shërbimin e teknologjisë "3G" brenda këtij viti. Agjencia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare raporton se tashmë ka mbaruar studimi për këtë shërbim ndërkohë që pritet ofrimi i këtij shërbimi gjatë muajve në vijim.

Teknologjia '3G' "Gjenerata e Tretë e Telefonisë Celulare" mundëson shkëmbimin e të dhënave me një intensitet më të lartë si foto, video, internet, TV, etj. Por për ofrimin e këtij shërbimi kompanitë duhet të kryejnë investimet të tjera në rrjetin e tyre të shpërndarjes duke montuar apartura që e mundësojnë këtë shërbim. Teknologjia "3G" ka filluar së shërbyeri që në vitin 2000, ndërkohë që tashmë është shtrirë në një serë shtetesh të globit.

Emirjon Senja  : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama