ALUIZNI Prishen objektet qe nuk legalizohen

ALUIZNI: Prishen objektet qe nuk legalizohen

Qeveria miratoi dje shkurtimin e numrit të drejtorive të ALUIZNI-t në qarkun e Tiranës nga 7 në 3 drejtori, ndërsa në qarqet e tjera nga dy në një drejtori. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, kreu i ALUIZNI- t, Artan Lame, thekson se praktikisht ishte arritur në një abuzim dhe ekzagjerim të paimagjinueshëm për numrin e drejtorive.

Sipas kreut të ALUIZNI- t, reforma ka si qëllim shkurtimin në njëfarë mase të gjithë njerëzve të tepërt si dhe për të përqendruar dhe për të harmonizuar punën në rang qarku. Drejtori Artan Lame, i pyetur për numrin e objekteve që rrezikohen të prishen, thekson se ekspertët janë duke bërë përllogaritjet. Sipas tij, do të nxirren shifrat e sakta duke i paralajmëruar të gjithë qytetarët të cilët preken nga aksioni kombëtar.

A ndikon në punën e ALUIZNI-t shkurtimi i numrit të drejtorive në qarqe?

 Praktikisht ishte arritur në një abuzim dhe ekzagjerim të paimagjinueshëm për numrin e drejtorive. Ishin 25 drejtori në rang republike që nuk besoj se do të ketë institucion tjetër që të ketë 25 drejtori poshtë e përpjetë dhe produkti i tyre ishte i paimagjinueshëm. Unë kam bërë një përllogaritje të përafërt që i bie që secili prej të punësuarve të ALUIZNI-t të ketë prodhuar gjithsej 3 dosje e gjysmë në 8 vjet.

 Është e turpshme që të mendonim që të vazhdonim me këtë efiçencë pune. Kjo bëhet, e para, për të shkurtuar në njëfarë mase të gjithë njerëzit e tepërt. E dyta, për të përqendruar dhe për të harmonizuar punën në rang qarku dhe e treta që të koordinohen me njëra–tjetrën shumë lehtësisht dhe shumë më shpejt. Gjithë ky koordinim do të vazhdojë me fazën e dytë të reformës që ka të bëjë me mënyrën se si rregullohen raportet midis drejtorisë qendrore dhe këtyre 14 drejtorive rajonale. Për shkak të fluksit të punës, numrit të ndërtimeve të Tiranës, u lanë 3 drejtori. Ju lanë tre, por të mos harrojmë që kishte 7 drejtori. Të gjithë qarqet e tjera kanë nga një drejtori.

 Në media ka dalë lajmi që janë 30 mijë banesa që rrezikohen?

 Unë nuk e di ku i kanë numëruar. Është thjesht abuzim. Unë nuk di të them që janë as 30 mijë, as 300 mijë, as 3 mijë. Ne jemi duke bërë përllogaritjet dhe të gjitha këto shifra janë abuzuese për t’i lënë njerëzit pa gjumë. Ne do të nxjerrim shifrën e saktë duke i paralajmëruar të gjithë qytetarët të cilët preken. Megjithëse një pjesë e mirë e qytetarëve e dinë shumë mirë vetë se kush preken, sepse kanë aplikuar në zyrat e ALUIZNI-t duke iu kthyer apo u është thënë që nuk mund të legalizohen sepse keni këtë apo atë problem. Nuk mund të themi që qytetarët nuk dinë asgjë. Kushdo që është i interesuar, e di shumë mirë nëse legalizohet ose jo.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama