Drejtoria e ALUIZNI-t do të nisë matjet në terren për 50 mijë ndërtime pa leje. Bëhet fjalë për dosje, ku qytetarët rezulton të kenë paguar faturën e legalizimit, por nuk janë kryer matjet në terren nga ALUIZNI.
Si pasojë pronarët e këtyre ndërtimeve informale nuk kanë marrë lejen e legalizimit. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare pranë ALUIZNI- t, të cilat bëjnë të ditur se, brenda pak ditësh do të zyrtarizohet formula e re për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Në platformën që do të marrë firmën e kryeministrit, do të përcaktohet, jo vetëm mënyrat e pagesës, por edhe ndryshimi i procedurave të degazimit.
Për momentin është e sigurt se, të gjithë personat që kanë për të legalizuar ndërtime pa leje do të marrin shërbimin falas, çka do të thotë se pagesa e dy faturave që shkonte deri në 10 mijë lekë nuk do të jetë më detyrim.
Dosjet
Dosjet e magazinuara, me pagesa të përfunduara, datojnë që nga viti 2006 dhe janë të shpërndara në kohë deri në qershorin e vitit të shkuar.
Zyrtarë të ALUIZNI- t bëjnë të ditur se grupe pune do të shpërndahen në terren, do të kryejnë matjet, të cilat do të ballafaqohen të dhënat që janë në dosje dhe më pas këta persona do të përfitojnë lejen e legalizimit.
I gjithë ky proces do të realizohet pa asnjë detyrim financiar për përfituesin pasi të gjithë faturat rezultojnë të shlyera.
Burime nga ALUIZNI bëjnë të ditur se do të nisë shqyrtimi për dosje që janë përfunduar dhe nuk janë dhënë lejet, brenda një muaji dhe për dosje të arkivuara që nga viti 2006, që janë paguar faturat dhe nuk është dhënë leja, për dosje për të cilët është miratuar edhe leja, por aplikuesi nuk është njohur me vendimin.
E drejta e pronës dhe legalizimi Shtyllat kryesore ku do të mbështet procesi i legalizimit dhe kthimit të pronave janë kompensimi i pronave private, Agjencia e Legalizimeve, Zyra e Hipotekës dhe pronat publike në nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore.
Sipas projektit të qeverisë, e cila në fund të janarit do ta konkretizojë projektin, mësohet se do të ndërmerret një ristrukturim i gjerë i sistemit të menaxhimit të pronës në Shqipëri, e cila do të nisë me riorganizimin e të gjitha agjencive që merren me administrimin, regjistrimin dhe dokumentimin e pronave
(si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ALUIZNI, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike).
Legjislacioni
Ligji për legalizimet do të rishikohet me qëllim përcaktimin e rregullave të qarta dhe të drejta që do të shërbejnë për përfundimin e procesit të legalizimit dhe parandalimin e ndërtimeve të paligjshme në të ardhmen.
Në strategjinë e qeverisë është parashikuar dhënia përparësi procesit të kompensimit në natyrë, në raport me kompensimin financiar, në mënyrë që të ulet fatura financiare për buxhetin e shtetit si dhe orientimi i procesit të privatizimit të pasurive publike drejt kompensimit të ish-pronarëve.
Një tjetër pikë e rëndësishme është saktësimi i fondit të kompensimit për ish-pronarët, i cili do të operojë në mënyrë transparente sipas një skeme të qartë dhe të barabartë për të gjithë të interesuarit.
Për të zgjidhur me efektivitet çështjen e kthimit dhe kompensimit të trashëgimtarëve të pronarëve, qeveria do të nisë punën me kryerjen e një analize të plotë dhe gjithëpërfshirëse të kuadrit normativ në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e tij.
Sipas programit kjo analizë do të identifikojë problemet reale që e pengojnë këtë proces dhe do të rekomandojë nisma ligjore e politike për ta përfunduar procesin e kthimit dhe kompensimit brenda një kohe të përshtatshme, në përgjigje të rekomandimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
270 mijë vetëdeklarime janë për ndërtimet informale. Prej tyre janë kualifikuar rreth 240 mijë, ndërsa të tjerat janë skualifikuar.
Bilanci
Tirana është kryeqendra e ndërtimeve informale ku janë ka rreth 92 mijë vetëdeklarime. Pas saj vjen Durrësi me 37 mijë ndërtime, Fieri me 27 mijë objekte të tilla, Vlora me 24 mijë objekte, Elbasani 24 mijë objekte, Korça 11 mijë objekte e kështu me radhë në qytete të tjera.
Ndërkohë që janë evidentuar rreth 80 mijë ndërtime pa leje, shtesa pallatesh, të cilat me anë të një akti normativ qeveria “Berisha” vendosi t’i legalizojë.
Aplikimet për këtë kategori ku përfshihen shtesa dhe ndërtime pas vitit 2006 kanë vijuar deri para pak ditësh, por dosjet nuk janë marrë ende në shqyrtim nga zyrat e ALUIZNI-t në rrethe.