Për të fikur "motorin" e Gjermanisë duhet të nxjerrësh jashtë loje atë që në të gjitha rastet e furnizon skuadrën me benzinë.
Antonio Konte e kishte përqendruar vëmendjen e tij te mesfushori Toni Kros, i cili është regjisori i lojës së Lëvit. Që nga minuta e parë e ndeshjes të gjithë lojtarët italianë filluan të punonin mbi këtë fakt, për të ndërtuar një "kafaz" për gjermanin.
Lëvizjet mes sulmuesve dhe mesfushorëve italianë ishin të studiuara me kujdes dhe u realizuan në mënyrë perfekte duke paralizuar lojën e Krosit, por edhe të Ozilit, i cili nuk gjeti kurrë hapësirë për të dhënë pasimet e zgjuara.
I pari që e sulmonte Krosin ishte sulmuesi Pele, ndërsa pas tij Eder. Ky i fundit është i pari në listë për t'u sakrifikuar.
Di ta bëjë mirë këtë punë dhe lëviz shumë mirë për të mbuluar zonat që lënë të lira shokët e skuadrës. Nëse Eder dështonte për të mbyllur manovrën e gjermanëve në mesfushë, detyrat i kalonin Sturaros.
Mesfushori i Juventusit duhet të bënte presion shumë lart për të mos u dhënë mundësi pasimi gjermanëve. Pa gjeometrinë e Krosit dhe me Ozilin dhe Mylerin të larguar shumë nga mesfusha, Gjermania e pati shumë të vështirë të prodhonte rrezik konstant në drejtim të portës së Bufonit.
Pasimet e shumta u kryen në zonën e tyre dhe ishin shumë të lexueshme. Në fund të sfidës, gjermanët e dominuan mbajtjen e topit, por për aq kohë sa Kros nuk u vu në shërbim të skuadrës ekipi vuajti shumë.
"Luftë" - Nëse dëshiron të luash në formacionin titullar të Kontes, duhet të sakrifikohesh shumë dhe diçka të tillë e bëjnë Eder dhe Pele.
Të gatshëm për të vrapuar dhe për të zbritur deri në zonën e tyre për t'u shndërruar në mbrojtës të parë. Ata kishin grintën dhe dëshirën për të bërë presion deri te mbrojtja gjermane, por kjo nuk ishte arma më e mirë sepse Italia qëndroi shumë poshtë thuajse gjatë gjithë ndeshjes dhe nuk i ndihmoi dy sulmuesit.
Për këtë fakt, ata humbën edhe shumë energji duke mos qenë të saktë përpara portës kundërshtare. Dy sulmuesit bëjnë spondën për të tjerët, por nuk kanë mbështetjen e duhur nga mesfusha.
Më shumë se kaq, Italia nuk mund të bënte me ata futbollistë që kishte në dispozicion.
Surpriza e Lëvit - Gjermania kishte vendosur të luante me të njëjtën skemë si Italia 3-5-2, duke paralizuar në këtë mënyrë avancimet e shpeshta të mesfushorëve të krahut.
Florenci dhe De Shiljo nuk depërtuan, nuk ishin të rrezikshëm përpara dhe u kujdesën vetëm për të mbuluar aksionet dhe sulmet e shpeshta të Kimishit dhe Hektorit.
Duke mbajtur shumë lart dy mesfushorët e krahëve, Lëv kishte vendosur të bllokonte lojën e Italisë. Duke aktivizuar Ozilin, Mylerin dhe Gomezin thuajse në vijën e parë të sulmit, Gjermania nuk lejoi as Bonuçin dhe as Parolon për të nisur me qetësi lojën.
Lëv e kishte studiuar mjaft mirë lojën e Italisë ndaj Spanjës, ku mesfushori qendror dhe Bonuçi merrnin frenat e lojës sa herë të donin. Shpeshherë në ndeshjen ndaj Gjermanisë, ishte Barzalji ai që merrte përsipër të ndërtonte lojën, por ai nuk shquhet për diçka të tillë, edhe pse pasimet i ka të sakta.
Gjermania pësoi një shok në momentin kur u largua Khedira, i cili i njeh më mirë lëvizjet e mbrojtjes juventine dhe Shvajnshtaigerit iu desh pak kohë për të kuptuar që ishte në fushën e lojës në këtë ndeshje të rëndësishme.
Rol të rëndësishëm në formacionin gjerman kishte edhe Mario Gomez, i cili kërkoi ta vinte në vështirësi mbrojtjen italiane.
Në momentin kur ai doli nga fusha, treshja "BBC" mori frymë lirisht dhe filloi të shtynte përpara. Ajo që u luajt në Bordo ishte një nga ndeshjet më të luftuara taktikisht. Lëv u kualifikua, por "mjeshtri" i skemës 3-5-2 mbetet Antonio Konte.