At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kombit shqiptar. Në veprat e Gjergj Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftëra titanike për të mbijetuar. Aty gjenë luftërat e mëdha të drangojve ose të luftëtarve shqiptarë për të zbardhur faqën kombit për një të ardhme më të mirë kundër kulshedrës ose armikut të Shqiptarëve. Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925, se ‘’mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit komtar mbi mbshtetjen e gjuhës komtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme. Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vëgjelë; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh.’’
Këjo mënyrë ‘’luftarake’’ e shprehjes së ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri --sidomos ndaj politikës së Fuqive të Mëdha karshi shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të kombit shqiptar -- në fjalimin që ai kishte përgatitur për tu lexuar në një konferencë në Paris, në vitin 1916.
Më poshtë janë disa pjesë të fjalimit të përgatitur nga At Gjergj Fishta, lexuar në frëngjisht nga Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkvit të Lezhës, në Universitetin katolik të Parisit në Qershor, të vitit 1916. Në atë fjalim, që është një mbrojtje e fortë në përkrahje të të drejtave të kombit të ‘’pa-përkulun’’ shqiptar në atë kohë dhe sot, At Gjergj Fishta, përveçse u ‘’difton se kush janë e shka janë Shqyptarët’’, dhe se cilat janë të drejtat e tyre, ai në të njëjtën kohë kritikon Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, përfshirë edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë gjeografikë dhe etnikë të kombit shqiptar në Ballkan.
‘’Prej brigjeve gjimuese t’ Euksinit e me borë t’ amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e më karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra banote, si zotnija e juej mirë e din, ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në za në histori të fisevet e të kombeve.’’
Fishta vazhdon duke thënë se nga këjo familje e madhe trako-ilire, ‘’atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjall nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike a se nen hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kerthnesta – banë e përmallueshme e hzjvet të moshës prrallyore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerzore.’’
‘’Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejn të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojn shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë.‘’
At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, flet për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: ‘’ Mbi ta, po, randoi pesha e fuqis rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsis azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndrruan njinin e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta. Po, ky popull i papërkulun kurr, ene gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh....’’.
Dhe vazhdon. ‘’ E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të malevetë te veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta. Ene Sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ene s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare.......’’.
Fishta më tej flet mbi parimet Uilsonjane për pavarësi të popujve , duke bërë pyetje: ‘’E njimend: e po i cili popull në Ballkan ka ndiesi ma të thella për liri të vet se populli shqyptar? A dro asht Sllavi i kadalshëm e i ngathtë..... E po, a thue asht Greku – ai skilja e vjetër – që gjithmonë si nji bimë parasite ju njesh ma të fortit....apo asht Shqyptari, që pshtetë të gjith shpresën në fuqi të vet e m’ate të armve të veta: qe i drejtë me miq, bukëdhanës me të huej, i rrebtë me anmiq... ene deri më sot nuk i asht përmysë njaj force të huaj.... Kjenë, po pushtuesa mbi Shqypni, por nuk kjen kurr zotnuesa mbi Shqyptarë...’’.
Në fjalimin e tij , At Gjergj Fishta u përgjigjet akuzave të armiqëve të kombit shqiptar dhe përkrahësve të tyre, që i tregonin shqiptarët si ‘’barbarë’’ dhe jo të denjë të lirisë dhe pavarësisë së tyre, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se ata kanë thyer e shkelur çdo të drejtë ndërkombëtare e njerëzore. ‘’Serbt, kohen e luftës ballkanike, me shpata kanë çilë nanat shqyptare e foshnjet e nxjerruna prej sosh i kanë ndezë si pisha, për me shndritë natën me to, e sot Konferenca ka trefishue shtetin e tyne. Grekt kanë kryqyue gjinden shqyptare shi në XX qindvjetë, e sot Konferenca ka menden me u u dhanë mandatin me shtrue e me gjytetnue dis akombe të tjera: pse tash Shqzptari, i cili s’i njef kto mizori në vetvedi, s’mundet me dalë shtet mbë vedi, i lirë e i pamvarshëm?’’
At Fishta përfundon fjalimin e tij mbi të drejtat e shqiptarëve duke nënvijuar se sipas parimeve të Presidentit amerikan Uilson, ‘’ashtë punë e arsyeshme , që shteti shqyptar të përshtrihet gjeografikisht der ku mbrrin kombsija e popullit shqyptar e vijueme e e pandame prej centrit të vet..... Prandej, çdo pakësim i tokës së Shqypnisë, që të mos jetë bamë mbas ktyne parimeve, do mbajtë i dhunshëm dhe i padrejtë.’’
‘’Populli shqyptar flet nji gjuhë krejtë të veten... prandej s’ka si të mohohet se të gjith njata që flasin shqyp, janë kombsijet shqyptare; e se për ket arsye shteti shqyptar do të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype.’’
Për të kundërshtuar ato që ai e cilëson si ‘’gënjeshtra të pa-përmbajtuna e të pahijshme, shoshitë prej anmiqëve’’ të kombit shqiptar, At Fishta citon artikullin e shkrimtarit francez Rene Pinot, i cili kishte vizituar Shqipërinë, e që ishte botuar në revisten ‘’Revue Des Deux Mondes, e që duke folur për kufijt e Shqipërisë shkruante këto:
‘’Prej fushave të Vardarit e mb’Adriatik, prej Thesalijet e mb’ Mal të Zi, zot toket ashtë Shqyptari, në daç pse ky hini mbrendë ma i pari, në daç se ky ndodhi ma i forti.’’
Fishta përfundon fjalimin e tij të gjatë në Universitetin e Katolik të Parisit në Qershor 1916, me një referencë ndaj statistikave etnologjike të kohës duke thenë:
‘’Të tanë krahina e Kosovës, pra, që prej Konferencet të Londonit (1913) i kje lshue Serbis, e mbarë Epiri i Nordit, të cilit i lakmon Greqia, janë banue kryekput prej Shqyptarësh , e prandej e drejta e lypë që të njihen me shtet shqyptar.....Qyshë se serbt kanë vra me qinda mijash njerëz në Kosovë, e Grekt kanë djegë qinda e qinda katundesh n’Epir të Nordit, duket kjartsisht, se as banorët e Kosovës s’janë Serb, as ata t’Epirit të Nordit s’janë Grek. Jo, po Zotni; janë vra gjindja me qina mijash në Kosovë e janë djegë me qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, sepse Serbt e Grekt duen me shue faren shqyptare n’ato krahina, për me mujt me i thanë masandej Konferencës së Paqit, se atje s’ka Shqyptarë. ‘’
At Fishta e përfundon fjalimin duke thenë se të gjitha pretendimet e fqinjëve karshi tokave shqiptare janë bërë, në bazë gënjeshtrash dhe pa kurrfarë turpi dhe deklaron se:
‘’Konferenca e Paqit kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk i nxuer e nuk ia këthei Shqypnisë ato tokë, që Konferenca e Londonit, kundra çdo gjygjit e drejtsijet, vjetin 1913 ia shkputi, per me jau lshue Grekvet e Serbvet.’’
140 vjetë më parë, këtë muaj, lindi Poeti i kombit shqiptar At Gjergj Fishta. U shënua aty këtu me ndonjë kremtim ose shkrim përkujtimor. Por do të ishte me vend që, në prak të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, veprat dhe veprimtaria e At Gjergj Fishtës në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të trojeve shqiptare, të mos lihen pas dore, por në një mënyrë dinjitoze të nderohet poeti, i cili nderoi dhe mbrojti pavarësinë e kombit shqiptar në një prej periudhave më kritike të ekzistencës së tij, kur armiqtë e kombit jo vetëm donin t’i mohonin pavarësinë kombit të ri, por përpiqeshin ta ndanin Shqipërinë copa copa