Abetarja e perbashket teksti fitues me 23 prill

Abetarja e perbashket, teksti fitues me 23 prill
Aktualisht, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë dorëzuar 7 alternativa për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë nga 7 shtëpi botuese të ndryshme. Këshilltari i ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, sqaron se afati i fundit për dorëzimin e tyre në MASH ishte data 3 prill, kështu që procesi i propozimeve të Abetares së përbashkët është mbyllur zyrtarisht në këtë datë. Kristiqi thotë se procesi i vlerësimit të teksteve do të nisë shpejt, ndonëse nuk dihet ende një datë konkrete për shkak se specialistët e MASH në vendin tonë janë në pritje të mbërritjes së komisionit vlerësues nga Kosova. E megjithatë, thuhet se shpallja e tekstit fitues do të bëhet më datë 23 prill.

Sipas të dhënave të deritanishme thuhet se shpërndarja e Abetares së përbashkët në shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë do të nisë më datë 28 gusht, ndërsa në Kosovë më datë 20 gusht.

Këshilltari i ministrit të Arsimit shpjegon se risia që do të sjellë Abetarja e përbashkët është standardi i njëjtë gjuhësor dhe metoda unike gjuhësore që kanë përdorur shtëpitë botuese gjatë hartimit të tekstit. Sipas Kristiqit, pavarësisht varianteve që do të konkurrojnë, komisioni i vlerësimit do të shpallë fituese vetëm një prej abetareve. Ndërkohë, zyrtarisht sqarohet se teksti fitues duhet të përmbushë të gjitha kriteret e përcaktuara nga dy ministritë përkatëse. Duke iu referuar kushteve të përcaktuara në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Shqipërisë dhe Kosovës rezulton se kriteri kryesor është që hartimi i çdo alternative të jetë realizuar nga një shtëpi botuese shqiptare në bashkëpunim me një shtëpi botuese kosovare, duke respektuar edhe çmimin e përcaktuar nga institucionet përkatëse.

Sipas këshilltarit të ministrit të Arsimit, abetarja e përbashkët nuk do të prishë rregullat e tregut në territorin shqiptar. Ai thekson se kjo Abetare do t’i bashkëngjitet tri abetareve ekzistuese alternative në Shqipëri të cilat përzgjidhen çdo vit shkollor nga mësuesit. Kështu, alterteksti do të vazhdojë të ruajë vlefshmërinë në Shqipëri. Pas marrëveshjes së parë për hartimin e Abetares unike pritet që Kosova dhe Shqipëria të nisin reformat për unifikimin e programeve edhe për tekste të tjera shkollore. Kristiqi thekson se fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në diasporë do ta përfitojnë Abetaren e përbashkët falas nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Bazuar në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit, dorëzimi i teksteve pranë këtyre institucioneve është bërë më datë 3 prill, ndërsa shpallja e fituesve më datë 23 prill. Fill pas përfundimit të periudhës së ankimimit në datën 29 prill, do të bëhet certifikimi i tekstit që është shpallur fitues në datat 1-5 maj, ndërsa porosia e Abetares do të bëhet në datat 27-31 maj. Ndërkohë, specialistët e arsimit sqarojnë se Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe Kosovës, do të lidhin kontratat me shtëpitë botuese fituese, proces që do të realizohet në datat 10-20 qershor.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama