Më pas, me rënien e numrit të lindjeve, gjërat nisën të ndryshojnë. Urimi “me një djalë” gradualisht nisi të zëvendësohej me “çfarë të ketë shkruar Zoti”, apo edhe “kush ka vajza, botën ka”. Paralelisht me këtë kapërcim u shfaq edhe një tjetër fenomen. Abortet, që më parë nuk lejoheshin, nisën të shiheshin si një metodë mjaft e mirë e planifikimit familjar. Me gjithë kostot fatale psikologjike e fizike për një femër, numri i tyre u shtua frikshëm. Tepër i lartë dhe i pakontrolluar mbetet dhe sot. Kundrejt një pagese nga 50- 90 mijë lekë, fare lehtë mund të shkatërrohet që në javët e para një embrion. E, mes dhjetëra arsyeve, në çiftet e sapomartuara janë të shpeshta rastet kur dëshira për një djalë bëhet shkak për të marrë vendimin e heqjes së një fëmije të ngjizur me seks të kundërt. Autoritetet shëndetësore pranojnë se kjo praktikë është e goxha e përhapur.
RAPORTI I KËSHILLIT TË EUROPËS
Këtë mendim kanë edhe ndërkombëtarët. Sipas një raporti të fundit të Këshillit të Europës, në Shqipëri lindin 112 meshkuj për çdo 100 femra, një shifër mjaft joproporcionale në krahasim me raportin e rritjes natyrore demografike. Shqipëria ka një situatë të ngjashme në disa vende të tjera kaukaziane, ndërsa Kosova është ndër vendet më problematike në Ballkan. “Zgjedhja e gjinisë së fëmijës është një problem i madh dhe ka qenë praktikuar për dekada në disa vende aziatike. Megjithatë, ka dëshmi të forta se kjo ndodh edhe në disa shtete anëtare të Këshillit të Europës, si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia”, thuhet në raportin e datës 16 shtator të vitit të kaluar. Sipas tij, zgjedhja e seksit para lindjes është për t’u dënuar si një fenomen që gjen rrënjët në një kulturë të pabarazisë gjinore dhe përforcon një klimë të dhunës kundër grave. Ajo ka pasoja të dëmshme, duke përfshirë zhbalancimet të popullsisë, rritje të kriminalitetit dhe trazirat sociale.
REZOLUTA
Në nëntor, Këshilli i Europës miratoi rezolutën sipas së cilës, shtetet anëtare rekomandohen të bëjnë ndërhyrje në legjislacion dhe të hartojnë politika duke marrë masa që kufizojnë përdorimin e diagnozave para lindjes për gjininë e foshnjës, me përjashtim të rasteve kur ato janë të domosdoshme nga ana mjekësore. “Përveç kësaj, qeveritë e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanin dhe Gjeorgjisë janë ftuar që të marrin hapa të mëtejshëm me qëllim trajtimin e shkaqeve të përzgjedhjes seksi prenatale, mbledhjen e të dhënave të besueshme në këtë fenomen dhe ngritjen e vetëdijes në mesin e profesionistëve publikë dhe shëndetësorë”, thuhet në raportin e KE. Por, nga raportimet që autoritetet shqiptare kanë bërë pranë Këshillit të Europës, ky fenomen është cilësuar si sporadik. Pavarësisht kësaj, vendi ynë renditet ndër të vetmet në Europë ku mungojnë të dhënat për numrin e aborteve në klinikat private. Ndaj, të dhënat e abortit rrjedhimisht nuk janë reale dhe studimet e kryera janë të projektuara vetëm mbi ato të dhëna që merren nga spitalet publike.
Moisiu: Fenomeni ekziston, por abortohet te privatët
Drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Mosiu, pohon për gazetën se fenomeni i aborteve selektive sipas gjinisë ekziston në Shqipëri. Pavarësisht se ajo e sheh si një masë të mundshme fshehjen e gjinisë së foshnjës për ta reduktuar, sërish pohon se situata është komplekse. ”Fenomeni ekziston, por jo në spitalet publike. Të paktën ne nuk na janë referuar raste të tilla. Pavarësisht se kemi hasur gjatë vizitave nëna që pohojnë se do të abortonin po ta kishin beben vajzë, praktikisht nuk ka ardhur asnjëra që të regjistrohet për të abortuar. Mendoj se raste të tilla i drejtohen klinikave private”, tha Mosiu për gazetën. Sipas saj, është e vështirë të cenohet e drejta e gjithë pjesës tjetër të shoqërisë, që është jashtë këtij mentaliteti. ”Janë një mijë e një arsye pse një prind do të dijë gjininë e fëmijës së tij, edhe pse nuk do të përbënte ndryshim nëse do të ishte vajzë apo djalë. Prandaj është e vështirë të cenohet kjo e drejtë. Duhen marrë në konsideratë të gjitha argumentet përpara se të merret një vendim”, tha Moisiu. Sipas saj, është i rëndësishëm të dihet me saktësi sa është numri i aborteve në Shqipëri, dhe kjo mund të arrihet vetëm duke disiplinuar privatët.
“Gjinia e foshnjës deri në javën e 12-të është 20% e saktë”
“Seksi i foshnjës nuk ka pse t’u tregohet prindërve për aq kohë sa dyshohet kryerja e një aborti selektiv. Megjithatë, dua t’ju sqaroj se ligjërisht një abort nuk mund të kryhet pas javës së 12-të të shtatzënisë. Deri në këtë hark kohor, ekografikisht siguria për përcaktimin e gjinisë së bebes është në masën 20%, ndërsa mundësia e gabimit është 80%. Pra në institucionet publike nuk mund të kryhet një abort selektiv”, sqaroi mjeku obstetër-gjinekolog, Arian Alikaj. Sipas tij, ndërhyrje pas javës së 12-të kryhen vetëm në raste e anomalive, me firmat e një komisioni mjekësh”. Aborte pas javës së 12-të kryhen vetëm në raste të veçanta, kur ka deformime gjenetike të rënda. Për këtë merren 3 firma mjekësh. Në maternitet ekzistojnë të gjitha mekanizmat e kontrollit. Kryhen aborte kundrejt pagesës për arsye kryesisht ekonomike, por për shkak të gjinisë është e pamundur”, tha Alikaj. Ai shtoi se nga 560 aborte të kryera në vitin 2011, asnjëri prej tyre në maternitetin “Koço Gliozheni” nuk është i regjistruar si selektiv. ”Nëse ndodhin kryhen në klinikat private. Për to nuk mund të mbajmë përgjegjësi. Mendoj se duhet të ndërmerren masa për të ndërhyrë në përmirësimin e shërbimit që ofrojnë ato”, tha Alikaj.
MINISTRI
Vetëm dy ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në deklaratën e tij e la të hapur mundësinë e ndërhyrjes në legjislacion. Sipas tij, vendimi për të ndaluar prindërit të mësojnë për gjininë e foshnjës para lindjes do të merret pas një konsulte të gjerë me ekspertët e fushës. Ai u përqendrua më shumë te masat që do të merren për të parandaluar abortet pas javës së 12-të, që lejon ligji. “Koha legale në të cilin ne kryejmë abort në Shqipëri dhe që janë 12 javët e para të shtatzënisë, nuk përputhet me kohën e përcaktimit të seksit, i cili nuk ndodh në javë të mëvonshme. Ndaj, çdo lloj ndërhyrjeje që do të bëhej përtej kësaj moshe, sepse seksi konstatohet më vonë se kaq, do të quhet ndërhyrje kriminale.
FENOMENI
Megjithëse abortet selektive kryhen në qytete, shumica e grave që zgjedhin t’i japin për këtë arsye fund shtatzënisë, vijnë nga zonat rurale. “Gratë që më së shumti kanë tendencë të ndërpresin shtatzëninë kur dëgjojnë se ato janë në pritje të një fëmije femër, zakonisht vijnë nga Veriu i vendit. Edhe pse jetojnë në qytet tani, ata vazhdojnë të veprojnë sikur të ishin ende në fshatrat e tyre malore”, shprehet një mjeke gjinekologe e punësuar në një klinikë private në Tiranë. Sipas sociologëve, shoqëria shqiptare është karakterizuar nga një polarizim në rritje. Ata që jetojnë në qytetet e mëdha tentojnë ta klasifikojnë çështjen me shpejtësi si tipike e Veriut të vendit.