Çdo vit, pothuajse në të njëjtën kohë, mediat tona risjellin edhe njëherë në vëmendje të të gjithëve çështjen e aborteve selektive në bazë të seksit të foshnjës. Kështu ndodhi edhe vjet, kështu ndodh edhe sivjet. Shkëndija që vë në lëvizje hallkat, deri tek Ministria e Shëndetësisë, si edhe gjoja-fokusin tek ky fenomen, edhe kësaj radhe, ishte politike. Ashtu siç ndodh jo rrallë me çështje e të dhëna sociale, që menjëherë përthithen e përdoren si ua ka enda ligjvënësve tanë.
Sivjet, shkak u bë një studim i kryer nga World Vision dhe UNFPA, i cili e rendiste Shqipërinë në vendin e tretë në Ballkan lidhur me përhapjen e këtij fenomeni, si dhe e cilësonte si një nga vendet më problematike ndërkombëtarisht, duke qenë se të dhënat shifrore flisnin për një raport 111.7 meshkuj dhe 100 femra të lindura, të devijuar me 6.7% në favor të djemve, krahasuar me normën e caktuar botërore (105 meshkuj/100 femra). Alarmi i radhës nuk vonoi dhe brenda pak kohe edhe ministria e Shëndetësisë e bëri adetin e saj me prezantimin e një raporti me titull “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në Shqipëri”. Pastaj u fol edhe njëherë për Ligj te ri (sipas zërave do të konsiderohet në janar 2013) që duhet t’u ndalojë mjekëve të tregojnë seksin e fëmijës.
Po njësoj, fiks një vit më parë, një raport i Këshillit të Europës, konstatonte se në Shqipëri lindin 112 meshkuj për çdo 100 femra. Shifra, e cilësuar si joproporcionale, i delegohej më së shumti fenomenit, jo dhe aq apriori, të abortit selektiv në vend. Në vijim të këtij konstatimi erdhi edhe miratimi i një rezolute, e cila u kërkonte shteteve anëtare të KE-së të ndërhyjnë në legjislacionin përkatës duke marrë masa që prindërve të mos u lejohet të dinë gjininë e foshnjës deri në momentin e ardhjes në jetë. Dhe tamam këtu lindi edhe ideja e ligjit që presim të diskutohet së shpejti në parlament.
Ndërkaq, nga vjet në sivjet, raporti i lindjeve femra/meshkuj është pothuaj i njëjti. Ka nga ata që besojnë se kjo traditë prapanike është akoma shumë e fortë. Ka dhe të tjerë që e konsiderojnë atë një fenomen të minimizuar, deri në mosmarrjen fare në konsideratë të tij. Nga ana e tij, komuniteti i mjekëve specialistë, sjell argumenta pro dhe kundër këtij vendimi. Shumë prej tyre e mohojnë kategorikisht që abortet selektive gjinore të përbëjnë fenomen.
E megjithatë, në një pikë bashkohen të gjithë në të njëjtin mendim. Kjo nuk është një çështje që zgjidhet me ligje të reja. Mbi të gjitha ka të bëjë me emancipimin e shoqërisë, me ndërgjegjësimin e njerëzve që ende në kultin e pjellorisë vendosin djalin, birin, pasardhësin...
Po ta vëresh hollë këtë punë, (marrim të mirëqenë që situata është vërtet në stade alarmante) e kupton kollaj se, për t’i shpëtuar edhe bebet femra nga terri i abortit, nuk është fare nevoja e daljes së një ligji të ri që u ndalon mjekëve të tregojnë seksin e saj. Mjafton të kontrollohet siç duhet zbatueshmëria e ligjit që prej kohësh është në fuqi, i cili ndalon abortin pas javës së 12 të shtatzënisë. Dhe e vërteta e madhe është që seksi i foshnjës është i dukshëm pas kësaj moshe të barrës. Për të qenë më të saktë, vetëm pas javës së 15 mund të duket qartë nëse ajo që pritet është një vajzë apo një djalë.
E me gjithë ligjin, me sa duket abortet selektive vazhdojnë të kryhen. E nëse nuk respektohet ky, atëherë pse u dashka besuar se do respektohet ai i mostregimit të seksit?! Nëse një mjek nuk ngurron të kryejë abortin e një shtatzënie 4 muajshe, edhe pse ia ndalon ligji, pse u dashka të ngurrojë për një llaf goje kur të thotë se ç’gjini ka foshnja në ekranin e ekografisë?!
Po le të themi që na duhet ajo e uruar shtesë në ligj, që t’i tregojmë KE-së se dimë të marrim masa (ligjore vetëm), pa abortet atë punë kanë... Edhe nëse raporti vazhdon të qëndrojë 112djem/100 vajza, nëse kemi nxjerrë ligjin, atëherë mund t’ju themi se shqiptarët dinë të lindin më shumë djem.