Shoqëria e Librit Shqip ka dalë dje në një konferencë për shtyp, për të denoncuar atë që e kanë quajtur aferë korruptive me fondin publik për librat. Sipas tyre, fondi që qeveria ka vënë në dispozicion për Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrat Arsimore të rretheve (ZA) përmes Ministrisë së Arsimit, për blerje librash për bibliotekat e shkollave publike të arsimit parauniversitar, ndahet në mënyrë klienteliste, duke favorizuar botues të caktuar. Ardian Klosi, si kryetar i SHLSH-së, ka thënë se ky fenomen i përsëritur shihet që në tre lista që ata kanë mundur të sigurojnë për Mallakastrën, Librazhdin dhe Lezhën. Fondi për këtë vit kap shifrën e 70 milionë lekëve të reja. “MASH ka shpërndarë listën rekomanduese të autorëve dhe titujve, prej së cilës shkollat e ndryshme të vendit mund të bëjnë porositë e tyre. Vetë listat ofrojnë një numër të madh titujsh, autorësh, tematikash, sikurse kanë edhe mungesa e probleme, për shembull me preferimin e disa botuesve dhe mënjanimin e botuesve të tjerë, edhe pse këta mund të kenë botuar libra me rëndësi për kulturën shqiptare dhe më gjerë; ose hyjnë si ‘autorë të shquar’ emra që fare pak njihen në publik dhe kanë hyrë në këto lista në rrugën preferenciale që zgjidhet për shtëpitë botuese.
Në përgjithësi preferohen shtëpi botuese që njihen si ‘të djathta’, d.m.th. që janë pranë pushtetit aktual. Megjithatë, nuk është ky problemi kryesor. Problemi dhe shqetësimi kryesor i shoqatës sonë është që me fondet e vëna në dispozicion nga MASH një numër drejtorish rajonale dhe zyrash arsimore i bëjnë porositë për bibliotekat e shkollave, përmes një sistemi klientelist dhe korruptiv të qartë”, ka thënë Klosi. Sipas tij, nga 84 titujt që porosit DAR Librazhd, 68 janë nga vetëm një botues dhe pikërisht nga “Uegen”. Në listën e të preferuarve ata kanë shtuar “Edualba”, “Morava”, “Neraida”, etj. Arlinda Dudaj, si drejtuese e shtëpisë botuese “Dudaj”, ka thënë se ky është një problem i përsëritur. “Edhe vjet e parvjet, ka qenë i njëjti problem. Ne kemi reaguar dhe më parë dhe shpresojmë që me këtë dalje publike të ndalojmë këtë aferë për të cilën nuk është reflektuar fare.
Lista e librave që sugjerohen nga Ministria e Arsimit ka shumë mangësi e probleme, por ka edhe një problem të madh, që asnjë nga Drejtoritë Arsimore Rajonale nuk japin informacion për këtë fond që është publik”, ka thënë Dudaj. Në konferencë u tha se jashtë këtyre listave janë lënë shtëpi botuese serioze, të cilat kanë vite që punojnë në këtë drejtim. “Favorizimi i katër shtëpive botuese për të gjithë Shqipërinë ka dëmtuar konkurrencën në treg. Për më tepër jashtë listave të librave nuk janë përfshirë fare autorë shqiptarë, si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Çabej, apo edhe autorë të letërsisë klasike”, ka thënë Irena Toçi, drejtuese e “Toena”-s. Piro Misha, drejtues i IDK-së e ka quajtur këtë një krim kundër sistemit arsimor. Shoqëria e Librit Shqip i ka bërë thirrje Kryeministrit Berisha që të zgjidhë këtë problem e po ashtu kanë kërkuar që të ndërhyjë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Duhet të ndërhyjë Prokuroria dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse kemi të bëjmë me vjedhje nga nëpunës të shtetit”, ka thënë Misha.
Në fakt, në listat e librave të porositur, nuk gjenden ose janë tek-tuk edhe shtëpi të tjera botuese, pjesë e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Për mospraninë e tyre në konferencë, Klosi u shpreh se kjo ishte një konferencë e realizuar shumë shpejt për të sensibilizuar opinionin mbi këtë problem, por sipas tij është i sigurt se edhe botuesit e tjerë do të reagojnë, pasi preket veprimtaria e tyre. Për më tepër, ai iu referua mungesës së përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit. Duke qenë se më parë përmendën Prokurorinë, Klosi tha se nuk është detyra e tyre të bëjnë kallëzim, por u takon institucioneve përgjegjëse si Ministrisë së Arsimit, e cila, sipas tij, duhet ta anulojë këtë tender. Po ashtu, ai tha se do t’u drejtohen organizmave ndërkombëtare për këtë rast. Përfaqësuesit e Shoqërisë së Librit Shqip e kanë mbyllur konferencën, duke mbetur në pritje të reagimeve nga institucionet shtetërore.