Acidi folik, i njohur ndryshe si vitamina B9, është zbuluar në vitin 1939. Nuk prodhohet nga organizmi, ndaj duhet të merret përmes ushqimeve. Nevojat e përditshme, në gjendje normale, janë rreth 0.2 mg. Në dhjetëvjeçarët e fundit, është cilësuar si thelbësor në parandalimin e keqformimeve te të porsalindurit, sidomos ato që lidhen me tubin nervor e që nisin në fazën e parë të zhvillimit të embrionit. Gjatë shtatzënisë, nevoja për acid folik dyfishohet, sepse fetusi përdor rezervat e nënës.
Por studimet e shumta kanë treguar se ai nuk është i domosdoshëm vetëm në shtatzëni. Ndikon në uljen e tensionit të lartë të gjakut, në parandalimin e zhvillimit të kancerit në prostatë, në punën e zemrës dhe performancave fizike.
Studimi
Gratë, sidomos ato që merren me sport dhe stërviten çdo ditë, mund të përballen me ndonjë situatë amenorreje, d.m.th. bllokimin e ciklit menstrual, që gjithmonë shoqërohet me rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiake. Por ky problem mund të evitohet përmes suplementeve të acidit folik, sipas një studimi të publikuar në “Clinical journal of sport medicine”. Kështu, kërkuesit e “Medical College of Wisconsin a Milwaukee” në SHBA kanë zbuluar se acidi folik mund të përmirësojë fluksin e gjakut nëpër arterie, duke rritur kështu fluksin e gjakut në zemër.
Doktoresha Anne Hoch dhe kolegët e saj kanë përfshirë në studim rreth 20 vajza me moshë nga 18 deri në 35 vjeçe, që merreshin vazhdimisht me vrapim e që kishin përshkruar mesatarisht 32 km në javë gjatë vitit të kaluar. Numri më i madh i grave që morën pjesë në studim vuanin nga amenorreja. Ato që bënin pjesë te grupi i kontrollit, që nuk merreshin me atletikë, kishin menstruacione normale. Nga analizat doli se vajzat që ishin prekur nga amenorreja kishin një ngushtim të enëve të gjakut, njëlloj si gratë në menopauzë. Për të vlerësuar efektet e acidit folik te të gjitha gratë pjesëmarrëse, si tek atletet dhe tek ato të grupit të kontrollit, iu dhanë nga një dozë të përditshme acidi folik në masën 10 mg për një periudhë prej 4 javësh.
Në përfundim të periudhës së marrjes së acidit folik, rezultatet treguan se pas kësaj kishte pasur një normalizim të funksionit vaskular te gratë e prekura nga amenorreja. Përkundrazi, te gratë e grupit të kontrollit nuk ndodhën ndryshime të denja për t’u marrë në konsideratë. “Shenja e parë e një sëmundjeje zemre mund të matet me një ngushtim të arteries që pengon thithjen e oksigjenit dhe furnizimin normal me gjak”, tregon doktoresha Hoch. Edhe pse hapi tjetër do të jetë ai i vlerësimit të dozës së duhur të acidit folik për të marrë maksimumin në trajtimin e amenorreas, suplementet e kësaj substance treguan se mund të përmirësohet si shëndeti i zemrës ashtu edhe performanca atletike.
Hipertensioni Sipas studimeve mjekësore që janë bërë në SHBA gjatë vitit 2004, acidi folik ndikon pozitivisht në parandalimin e tensionit të lartë. Rëndësia e tij është e shumëfishtë. Shkaku qëndron tek aftësitë e mëdha të këtij acidi, të parandalojë hipertensionin arterial, i cili manifestohet me çrregullime të mëdha në sistemin kardiovaskular. Është konstatuar se sasia e mjaftueshme ditore është rreth 400 µg (mikrogram). Përdorimi racional i këtij acidi ndihmon në stabilizimin e tensionit të gjakut.
Në shtatzëni
Acidi folik përdoret nga trupi për krijimin e gjakut shtesë, për të cilin ka nevojë organizmi gjatë shtatzënisë. Të gjitha gratë duhet të konsumojnë 0.4 mg acid folik në ditë. Ju duhet të filloni të merrni acid folik para se të ngeleni shtatzënë. Defektet e tubit nervor zakonisht zhvillohen shumë herët në shtatzëni, shpesh përpara se gratë ta kuptojnë që janë shtatzënë. Nëse jeni shtatzënë dhe nuk keni marrë acid folik, ju mund të filloni menjëherë për të parandaluar çdo defekt nervor që mund të zhvillohet në tre muajt e parë të shtatzënisë. Mungesa e acidit folik rrit mundësinë e një defekti të tubit nervor, që shoqërohet me defekte në zhvillimin e palcës kurrizore. Defektet më të zakonshme janë anencephaly, të cilat ndodhin brenda javëve të para të zhvillimit. Spina bifida është rezultat i lidhjes jo të mirë të shtyllës kurrizore të bebit, ndërsa anencephaly është çrregullim zhvillimor, që çon në vdekjen e foshnjës, pasi shumica e turit të tij mungon.
Ushqimet ku gjendet
Një dietë e pasur me acid folik duhet të përmbajë domosdoshmërish prime me gjethe jeshile, si spinaqi, brokoli, asparagët dhe lakra. Po ashtu, portokajtë, drithërat, agrumet dhe fruta si limoni, kivi, apo luleshtrydhet. Por duhet pasur kujdes, sepse është vërtetuar se gjatë gatimit shkatërrohet pjesa më e madhe e acidit folik që gjendet tek ushqimet.