Adi Krasta Shqiptari i televizionit

Adi Krasta, Shqiptari i televizionit
Krenaria e brishtë e Adi Krastës shfaqet në formën e një buzëqeshje artisti ku rrezatohet madhështia e thjeshtësisë: duket sikur në të synohet zgjimi i ambicies kolektive për sukses. Mesazhi i pathënë është i qartë: Suksesi për njerëzit që punojnë fort në një vend të vështirë, ku puna intelektuale nuk sjell gjithmonë gëzim dhe arritje, nuk është thjesht një sukses, por një sfidë autoriteti profesional.

A.Mullaj: Kush është Adi Krasta për ju?

A.Krasta: Krasta, pas 22 vjetësh në jetën publike të vendit të tij, është një djalosh që profesionin e sheh me shumë seriozitet. Ai nuk ndërton marrëdhënie servile me dashamirësit e tij dhe nuk frigohet nga dashakeqët.

A.Mullaj: Vetëdija e fshehur në heshtjen shumëthënëse të njeriut që i ka shtuar krenari dhe publicitet intelektual jetës publike të vendit të tij, rrëmben gjithmonë vëmendje të re dhe përshtypje të re... A jeni ju një adhurues sureal i vetvetes? A do të donit të ndryshonte diçka në imazhin tuaj?

A.Krasta: Po të kisha marrë një pozicion “politikisht korrekt” do kisha thënë se nuk kam qenë kurrë një adhurues i vetes. Kjo nuk do kishte qenë plotësisht e vërtetë. Më ka pëlqyer vetja (adhurimi është ndjenjë ca e fortë për mua si natyrë), sa herë që kam bërë diçka të vlerësueshme. Sa herë që nga aksioni im vetjak janë vendosur fate pozitive të aktiviteteve ku kam qenë pjesë. Por, faktin se edhe tani i jap të drejtë të gjithë atyre që duan të më ndryshojnë ose përmirësojnë, e konsideroj jo vetëm të mbarë, por edhe fatlum. Le të ndryshojë çfarëdo qoftë e vjetër, e gabuar dhe e pavend në imazhin tim, në ecjen përpara!

A.Mullaj: Ju keni ngjitur shkallët e arritjeve tuaja pas zgjedhjes për të sfiduar pengesat, xhelozitë dhe vështirësitë, duke synuar energji të reja drejt qëllimeve finale dhe ja keni dalë... A mendoni se potencialet intelektuale dhe talentet në vend kanë vështirësi afirmimi dhe publikimi?

A. Krasta: Shqipëria, megjithatë, nuk është ferri i fatit të talentit. Nuk është vendi më i keq në botë dhe natyrisht, talentet e saj nuk janë të persekutuar. Ka në këtë vendin tonë të vogël disa vështirësi specifike që e bëjnë daljen mbi dallgë disi të vonuar, sidoqoftë. Shqipëria, ashtu rurale, e kursyer, e ngadaltë dhe sidomos, shpesh e dobët, nuk harron të vlerësojë.

A. Mullaj: Pra, doni të më thoni që ekzistojnë mundësi reale për potencialet intelektuale dhe talentet në vend?

A Krasta: Televizioni është një fushë bujare për blatimin e famës dhe vëmendjes së përgjithshme. Gazetaria e shkruar është më e pafuqishme, ndërsa letërsia, aristokratike dhe primadonë, është si të thuash, jashtë loje. Në televizion bëhesh i famshëm brenda natës dhe fama nuk vdes brenda natës së ardhshme edhe nëse bëhet fjalë për një qenie të përçudnuar ose thënie skandaloze.

A.Mullaj: A mendoni se elita shqiptare është ajo që do të duhej të ishte bazuar në logjikën se, një elitë duhet të jetë në përpjesëtim të drejtë me aftësitë, intelektin dhe talentet e vërteta të pjesëtarëve të saj?

A Krasta: I janë bërë shumë atentate elitës shqiptare. Sot do ishte më me vend të flisnim me sinqeritet për një surrogate të vetë elitës. Asgjësimi fizik gjatë periudhës komuniste, bjerrja e integritetit dhe mbi-militantizimi i asaj çka kishte mbetur prej një gjysmë-elite të dikurshme, e ka bërë pothuaj të pamundur që elita shqiptare të mbajë një pozicion, apo aq më pak, të imponohet. Sot ka përpjekje për të futur në zonën elitare hajdutë ordinerë me çizme, që kanë vjedhur këto 20 vjet dhe vazhdojnë të vjedhin, edhe ndërsa flasim, pasuritë e Shqipërisë.

A.Mullaj: Është e vërtetë, ju jeni nga të rrallët njerëz publikë në Shqipëri që duket se keni fiksuar një ekuilibër shpërfillës ndaj politikës së ditës, duke mos marrë pjesë i pozicionuar në të? Ç’mendoni për politikën shqiptare?

A.Krasta: Politika shqiptare është aq e sëmurë, sa me gjithë afrimin e Europës, nuk do isha çuditur të kishte ndodhur i njëjti revolucion si ai i viteve ‘90 për ta pastruar atë nga gangrena. Kadare e ka quajtur politikanin shqiptar, arrogant, fodull, fshataresk dhe të trashë. Por ai, që nga përcaktimi kadarean, ka ndryshuar shumë. Tashmë ai i bën dëm Shqipërisë në forma shumë më të rrezikshme dhe të sofistikuara. Pothuaj të gjithë politikanët e lartë janë pasanikë, sensi i tyre i hajdutërisë më kujton çetat e zhvatësve të viteve 1700 në monopatet e pasigurta të fshatrave të perandorisë. Kërkojnë të bëjnë trafik favoresh dhe të ndryshojnë historinë e tyre personale e familjare (shpesh të dyshimtë). Nuk është vet-mospozicionim ky i imi. Është qëndrim i largët, qesëndisës, tallës, pak si më budallallëk dhe përsëri i largët për të mos u ndotur.

A.Mullaj: E përjashtoni mundësinë ju të jeni ndonjëherë në politikë?

A.Krasta: E përjashtoj hyrjen time në politikë. Djemtë dhe vajzat e reja të politikës (që për fat të keq sapo prekin dyshemenë gjithë bajga të kësaj arene, fillojnë në mënyrë të papërmbajtshme të Lajëzohen - Laja është një personazh i një gruaje komuniste që u burrërua për t’u krahasuar me burrat), do t’u duhet të bëjnë martesa të çuditshme me interesa dhe realizime problematike. Ka prej tyre që janë idealistë. Ka që janë arrivistë. E keqja është se në finish, të dyja grupimet sillen njësoj.

A.Mullaj: Ju i takoni një brezi që përjetoi emocionin e ndryshimit mes dy epokave. Ç’raport, ç‘perceptim, ç’përshtypje keni ju, me dhe për periudhën e para viteve ’90?

A.Krasta: Kur mendoj se sa shumë kanë vuajtur shumë familje në vendin tonë, si janë vrarë pa gjyq, si janë zhdukur, burgosur, tradhtuar, tallur, bëhem natyrshëm një mbështetës për një analizë të madhe, të plotë, të thellë dhe të pakthyeshme për atë kohë. Diktatura e Enver Hoxhës ishte jashtëzakonisht e rëndë. Diktatura komuniste i thau shtyllën kurrizore djaloshare Shqipërisë. Tranzicioni haxhiqamilesk po e kthen atë në një shtet transvestit. Më rezulton se nuk kemi nxjerrë konkluzione nga diktatura.

A.Mullaj: Si prezantues, si e përjetoni mbështetjen publike të popullit të Kosovës?

A.Krasta: Si komunikues i masës, nuk mund t’i drejtohem vetëm një pjese të saj. Për të qenë i plotë, më duhet ta konsideroj atë si një të tërë. Kosova është plotësimi i tregut të munguar mediatik. Shqiptarët e kësaj treve shqiptare sjellin freski në thelbin e shqiptarizmit. Vëmendja e kësaj pjese të popullsisë i jep çdo figure publike një mbështetje të domosdoshme. Kur një program është i bukur ose me vlera, pa reagimin dhe komplimentet e qytetarëve kosovarë duket se është e paplotë dhe e pavlerësuar plotësisht.

A.Mullaj: Familja. Dashuria. Liria. Krijimi. Leximi. Ekrani. Spektakli. Miqësia. Meditimi. Sporti...Çfarë do të ndryshonit në radhën e mësipërme? Keni ju një përkufizim ‘adikrastian’ të dashurisë, me fraza që nuk janë thënë ndonjëherë? Besoni se, mes gjithë marrëzive që ndodhin në jetën e njeriut, dashuria është e vetmja që ka një dozë hyjnore, qiellore, dhe e vetmja që në këtë botë, vlen seriozisht?

A.Krasta: Po e provoj me radhën: Familja, Liria, Dashuria, Krijimi, Miqësia, Leximi, Ekrani, Spektakli, Meditimi, Sporti.

Nuk kam mundur t’i bëj asnjëherë një përkufizim të veçantë dashurisë. Gati nuk kam bërë as përpjekjen e duhur, duke qenë pothuaj i bindur se është për mua një detyrë mbi fuqitë e mia. Por, jam i lumtur se kam dashuruar dhe dashuroj të njëjtën grua, që vajzë 23-vjeçare e kam parë fare rastësisht të kalonte në korridorin e Radio Tiranës, 15 vjet më parë. Quhet Brikena Darova Krasta.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama