Show ishte i ndërtuar në stilin ‘Celentano’, dmth kish monologje ku Krasta kish rast të hidhte spica, të bënte humor e të mbante qëndrime, kish intervista të shkurtëra me të ftuar të ndryshëm (të ftuarit e djeshëm ishin të huaj të lidhur në mënyra të ndryshme me Shqipërinë), kish një skenografi jo shumë të rënduar, që Adit vetë i pëlqente ta kualifikonte si të periudhës Belle Epoque, kish disa monitorë të mëdhenj, të cilët ishin edhe dekorativë, edhe funksionalë (ai “dialogonte” vazhdimisht me këta monitorë ku shfaqeshin thënie, batuta, karakterizime, portrete, denoncime, etj), kish një orkestër që luante live (ish ajo me emrin Gaspër Çuçia), etj. Mungonin këngët, por këto i kish zëvendësuar me një trupë të mirë baleti.
Publiku u duk sikur e shijoi show-n, i cili u mbajt nën kontroll gjatë gjithë kohës nga Krasta (duke përjashtuar intervistën me personazhin e televizioneve italiane, Platinette). Shkurt, nëse Krasta duhet të ketë pasur ndonjë merak, s’duhet ta ketë më. Gjëja i shkoi shumë mirë.