Administrata 72 kandidatura per 8 vende pune

Administrata, 72 kandidatura per 8 vende pune

72 kandidatë janë në garë për të fituar një nga 8 vendet vakante të shpallura në administratën shtetërore. Janë përkatësisht 5 vende vakante në institucionet në varësi të Ministrisë së Kulturës nga të cilat vetëm për 3 pozicione ka 22 kandidatë si dhe 5 poste në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKShI), të cilat nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Kulturës, ende nuk ka asnjë kandidaturë për postin e drejtorit të Cirkut Kombëtar, vendi bosh i të cilit është shpallur tre ditë më parë dhe afati i aplikimeve mbyllet të premten. Është shpallur vakant dy ditë më parë dhe posti i titullarit të Muzeu Historik Kombëtar. Ndërsa 50 kandidatë janë për 5 postet e shpallura vakant nga AKShI.

Kultura

Burimet zyrtare nga Ministria e Kulturës sqarojnë për “Shekullin” se me shpalljen e vendeve vakante  kanë kaluar në fazën e dytë 10 kandidatura për të drejtuar Teatrin e Operas dhe Baletit, 8 kandidatura për Galerinë Kombëtare të Arteve dhe 4 për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve. Ndërkohë që dje dosjet kanë kaluar në kolegjium për vlerësimin e kandidaturave, i cili do të zgjedhë 3-4 emra për secilin pozicion për t’ia përcjellë më tej ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, që do të firmosë dhe emrin e fituesit. Edhe pse janë shpallur vakante postet, nuk ka ende kandidatura për pozicionin e titullarit në Cirkun Kombëtar dhe të Muzeu Historik Kombëtar. Kjo ministri kërkon të punësojë po me konkurs edhe një koordinator projekti me kohë të plotë, për Parkun e Butrintit, një Asistent Koordinator Projekti, me kohë të plotë, punë që zgjat deri në fund të muajit gusht 2015, si edhe një oficer finance.

AKShI

“Mbi 50 kandidatë kanë aplikuar për 5 vende vakante të shpallur nga AKShI, pozicione këto që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil”, - ka sqaruar ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito. Vendet bosh në këtë Agjenci për të cilat tashmë ka përfunduar dhe procesi i aplikimit, janë përkatësisht ajo e drejtorit të Drejtorisë së Sistemeve e-Gov, përgjegjësit në sektorin e Administrimit të Rrjetit GovNet në Drejtorinë e Sistemeve e-Gov, përgjegjësit të Sektorit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Drejtorinë e Komunikimeve Elektronike e Postare, specialistit të Sektorit të Aplikimeve e-Gov në Drejtorinë e Sistemeve e-Gov si dhe specialistit të Sektorit të Koordinimit të Projekteve në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve dhe Databazave. Për drejtor të Drejtorisë të Sistemeve e-Gov janë përzgjedhur për fazën e dytë 8 kandidatura, 7 emra janë në listën e kandidatëve që kanë kaluar në fazën e dytë për pozicionin e përgjegjësit të sektorit në Administrimin e Rrjetit GovNet dhe 6 kandidatë për postin e specialistit të Sektorit të Koordinimit të Projekteve në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve dhe Databazave. Këto kandidatura po shqyrtohet tashmë nga komisionet përkatëse të cilat do t’i intervistojnë për të kaluar më pas në tryezën e titullarit të institucionit i cili do të firmosë dhe emrin e fituesit.

Punësimi në administratë, procedurat e garës

Aplikimet për poste në administratë

8 kandidatë për postin drejtor i Drejtorisë së Sistemeve e-Gov (faza e dytë)

7 kandidatë për postin përgjegjës i Sektorit të Administrimit të Rrjetit GovNet në Drejtorinë e Sistemeve e-Gov (faza e dytë)

6 kandidatë për postin specialist i Sektorit të Koordinimit të Projekteve në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve dhe Databazave (faza e dytë)

10 kandidatë për postin drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit

8 kandidatë për postin drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve

4 kandidatë për postin drejtor i Qendrës Kombëtare të Fëmijëve

0 kandidatë për postin drejtor i Cirkut Kombëtar, (aplikimet mbyllen të premten)

0 kandidatë për postin e drejtorit në Muzeun Historik Kombëtar, (aplikimet mbyllen të premten)

Harito: I lirë të aplikojë çdokush që plotëson kriteret e përcaktuara

Përzgjedhja e fituesve për një vend pune në administratë bëhet në bazë të kritereve të mirëpërcaktuara. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, sqaron për “Shekullin”, hallkat që ndiqen në këtë proces, nga aplikimi, përzgjedhja dhe intervistat me komisionet e posaçme dhe më pas firma përfundimtare nga titullari i institucionit. Sa u përket aplikantëve ajo pohon se personat të cilët tashmë kanë dorëzuar CV-të e tyre në faqen e publikuar kohë më parë nga Kryeministri Rama kanë avantazhin sepse informohen menjëherë për çdo vend vakant që përputhet me kriteret tyre, por më pas aplikimi është i lirë dhe për çdo kënd tjetër. Komisionet e posaçme për vlerësimin e kandidaturave bëjnë përzgjedhjen duke e shkurtuar listën në 3-4 emra, më pas firmos titullari i institucionit për fituesin. Ajo sqaron gjithashtu se vendet vakante janë krijuar nga krijimi i ministrive të reja, por dhe duke larguar nga detyra çdokënd që me një kontratë të përkohshme ka marrë një vend pune pa respektuar procedurat ligjore.

Zonja Harito tashmë janë shpallur konkurset për vendet vakante në administratë. Si u krijuan këto vende vakante?

Vendet vakante krijohen me strukturat e reja të ministrive, nga persona që kanë dhënë dorëheqjet, nga kontrata të përkohshme të cilat nuk kanë respektuar procedurat e marrjes në punë në shërbimin civil.

Më herët është theksuar se do tu jepet prioritetet atyre që kanë dorëzuar tashmë CV-të. Si bëhet përzgjedhja e tyre?

Siç e kemi thënë edhe më parë baza e të dhënave me CV është e hapur për këdo. Ajo shërben për të lajmëruar me e-mail, aplikantët sipas fushave të kompetencës, për hapjen e pozicioneve të lira dhe të konkurseve. Baza vazhdon të marrë aplikime dhe tashmë është integruar në bazën e të dhënave shtetërore të administruar nga Shërbimi Kombëtar i punësimit.

A ka aplikime direkte veç personave që kanë dorëzuar CV në faqen e bërë publike nga Kryeministri Rama?

Çdo pozicion që hapet shpallet në ëebsit-in e institucionit përkatës dhe kur është pozicion nëpunës civil, sipas ligjit edhe në gazetat me tirazh më të lartë. Pra çdo njeri që ndjek këto informacione mund të aplikojë drejtpërsëdrejti. Ashtu si edhe ata që kanë lajmërohen nëpërmjet website përsëri duhet të aplikojnë drejtpërsëdrejti pranë institucionit.

Disa vende vakante janë dhe për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Sa ka arritur numri i aplikimeve për secilin pozicion?

Numri i aplikuesve ishte mbi 50. Ne i kemi hapur këto konkurse për të dhënë frymën e trajtimit të njëjtë në gjithë administratën shtetërore, ndërkohë që këto nuk janë pozicione me statusin e nëpunësit civil.

Kur mbyllet procesi i aplikimeve?

Për këto pozicione, që nuk janë pozicione me statusin e nëpunësit civil, aplikimet janë mbyllur dhe do testohet lista e kandidatëve të përzgjedhur.

Si do të jetë procedura e zgjedhjes finale të fituesit?

Komisioni do t’i testojë, do t’i marrë në intervistë dhe drejtuesja e institucionit do të përzgjedhë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama