Shtesat për mjekët, infermierët e mësuesit nga 1 korriku.
Zbardhet vendimi për rritjen e pagave për kategoritë kryesore të administratës publike. Qeveria ka rezervuar edhe një herë rritjen më të lartë për një sërë kategorish, siç janë arsimtarët, mjekët dhe infermierët të cilët edhe më herët kanë pasur rritjet më të theksuara. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, Kryeministri Sali Berisha vuri theksin te paga mesatare, e cila me shtesën e re që ka miratuar qeveria arrin në 51.3 mijë lekë.
Sa rriten pagat
Vendimi i miratuar dje nga qeveria për rritjen e pagave të administratës publike prek me mijëra individë. Ndër kategoritë që kanë përfituar rritjen më të lartë kanë vijuar të mbeten mësuesit, mjekët dhe infermierët. Paga mesatare e një mësuesi të shkollës së mesme nga 1 korriku është zyrtarisht 59.4 mijë lekë, ndërsa për të njëjtin arsimtar, por të shkollës 9-vjeçare, paga me shtesën e re arrin 56.7 mijë lekë. Po kështu rritje të thekuar ka pësuar edhe paga e mjekëve, ku paga mesatare nga një korriku për këtë kategori është 55.7 mijë lekë, kurse për infermierët paga mesatare shkon në 36.7 mijë lekë. Në total, këto kategori janë trajtuar edhe më herët me një rritje mesatare nga 8-10 për qind. Vendimi i qeverisë i miratuar dje parashikon edhe një rritje më të ulët për pagat e konsideruara mesatare dhe një rritje më të lartë për ato të konsideruara të ulëta.
Berisha
Kreu i qeverisë e vuri dje theksin në fjalën e tij gjatë mbledhjes se Shqipëria edhe në kohë krize është duke mbajtur premtimin e saj për rritje të pagave dhe pensioneve. Ai vlerësoi se në kohën kur vendeve të tjera u është dashur të ndërmarrin politika shtrënguese, në këtë aspekt ekonomia shqiptare ka shprehur qëndrueshmëri duke lejuar edhe mbajtjen e premtimit për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Reformat kanë bërë të mundur që Shqipëria të ndjekë, të zbatojë, të mbajë premtimet e kësaj maxhorance. Shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time se kjo rritje në kohë krize të madhe në kontinent, në një kohë kur ulen jo me 20, por me 40 për qind rroga e pensione, si dhe ndihma ekonomike, na bën të mundur ne të rrisim rrogat, të rrisim pensionet, të rrisim ndihmën ekonomike”, tha Berisha. Nga ana tjetër, ai theksoi edhe rritjen që pësoi paga minimale, e cila tashmë ka arritur në nivelin 21 mijë lekë. “Tri javë më parë, qeveria vendosi rritjen e pagës minimale, të cilën kur erdhëm në pushtet e gjetëm në nivelet më çnjerëzore. Nuk them se është e lartë sot, por të paktën është 110 për qind më e lartë, ajo u rrit me 21 mijë lekë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rritja e pagave dhe pensioneve nga 1 korriku
- Paga minimale bëhet 21 mijë lekë
- Paga mesatare bëhet 51.3 mijë lekë
Pagat sipas kategorive
- Paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm bëhet 59.4 mijë lekë
- Paga mesatare e arsimtarit, në arsimin 9-vjeçar bëhet 56.7 mijë lekë
- Paga mesatare e mjekut bëhet 55.7 mijë lekë
- Paga mesatare e infermierëve bëhet 36.7 mijë lekë
Pensionet sipas kategorive
- Të ardhurat e pensionit minimal të qytetit bëhen 13712 lekë
- Të ardhurat maksimale për pensionin e qytetit bëhen 23623 lekë
- Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit bëhen 8731 lekë
- Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit bëhen 11762 lekë
Gafa me familjet
Duke prezantuar rritjen e pagave dhe pensioneve, kreu i qeverisë, theksoi dje se, “ky vendim është një shpërblim i merituar për 820 mijë familje shqiptare”. Në fakt, nga regjistrimi i fundit i popullsisë nga INSTAT, numri i familjeve të numëruara është 740256 familje. Pra rreth 80 mijë familje më pak se sa thotë kreu i qeverisë.