Statistikat
Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë dalë statistika dhe situata ka tashmë edhe numra. Vihet re një rritje e fenomenit të kryerjeve të marrëdhënieve seksuale në moshë të mitur, apo përdorimi i pijeve alkoolike, duhanit dhe i drogave të lehta. Madje, edhe në shkollat 9-vjeçare. Pra, ndër moshat 13-15 vjeç në vendin tonë janë gati 14 për qind nxënësve që janë të përfshirë në kontakte seksuale. Në përgjigje të pyetjes sonë rezulton se 14 % adoleshentë deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë. Kurse në Europë lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektive kemi një incidente që luhatet nga 12% në Sllovaki ne 61% në Groenlandë).
Ndikimi i prindërve në vendimet e adoleshentëve
Ankthi i prindërve shqiptarë mbetet veçanërisht seksi në moshë fare të re tek fëmijët e sotëm. Sipas psikologëve pengesat kapërcehen më lehtë nëse këta adoleshentë kanë pranë prindërit e tyre. Por vetë adoleshentët duhet të jenë bashkëpunues me prindërit, duhet t’i japin atyre mundësinë për t’i kuptuar dhe qëndruar pranë duke pasur parasysh se asnjë ndryshim nuk ndodh pa dëshirën e të dy palëve. Drita Spaho është një nënë e një djali dhe një vajze, që të dy janë në moshën e adoleshencës. Sipas saj ky brez i ri është shumë i vështirë për tu edukuar dhe mendimi prindërve merret shumë pak parasysh. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet që kanë fëmijët e saj ajo deklaron se as që ka dijeni rreth kësaj çështje sepse ato janë shumë të rezervuar. “Mundohem shpesh herë të këshilloj fëmijët e mi lidhur me këtë çështje, por ata largohen duke më thënë se nuk janë tema për tu biseduar. Por nëse nuk janë tema për tu biseduar me mua që jam nëna e tyre, me kë do konsultohen këta fëmijë”, shprehet nëna 48 vjeçare.
Anët negative
Sipas psikologëve seksi për adoleshentët është me shumë rreziqe. Ata mund të mos i dinë këto fakte por, miliona adoleshente ngelin shtatzana çdo vit në botë. Bebet e nënave adoleshente kanë më shumë gjasa të lindin me probleme shëndetësore Kjo grupmoshë është më shumë e predispozuar për tu prekur nga Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme (SST) që sot janë në një nivel epidemik. Disa SST janë të pakurueshmedhe ato mund të shkaktojnë dhembje, sterilitet, dhe ndonjëherë edhe vdekje. Ndaj të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që, përfshirja në sjellje seksuale dhe akoma më shumë përfshirja në marrëdhënie seksuale, është një sjellje që shoqërohet me shumë dilema dhe që ka nevojë të vlerësohet e të peshohet gjatë, para se të kryhet. Ajo që këshillohet është që, në pamundësi për të spostuar moshën e kontaktit të parë seksual, gjithmonë duhet të përdoren masa mbrojtëse për seks të sigurt.
Semundjet seksualisht te transmetueshme
“Ishte një moment pasioni, ndaj e lamë veten të rrëmbeheshim prej tij”. Kështu fillojnë pothuajse të gjitha tregimet e atyre që për shkak të pasionit të momentit mund të kenë marrë ndonjë sëmundje të keqe. Kur bëni dashuri pa u mbrojtur, nuk rrezikoni vetëm të mbeteni shtatzënë, por të merrni edhe sëmundje të tjera. Ndryshe quhen sëmundje ngjitëse (ose seksualisht të transmetueshme) dhe emrin e kanë marrë nga Venusi, perëndesha e dashurisë. Këto infeksione janë të bezdisshme, shqetësuese dhe ndonjëherë vdekjeprurëse, si virusi HIV. Por si mund të mbrohemi prej tyre? Natyrisht duke përdorur prezervativë, nëse dëshironi ta mbroni veten dhe partnerin, e të keni një jetë më të shëndetshme seksuale. Marrëdhëniet e pambrojtura (këtu përfshihet edhe ajo orale) rrezikojnë shëndetin tuaj. Marrëdhënia anale (natyrisht që nuk rrezikoni të mbeteni shtatzënë, por mund të merrni sëmundje të ndryshme) nuk është e këshillueshme, megjithatë nëse nuk mbroheni dhe keni shumë partnerë, duhet ta dini se jeni tepër të rrezikuar. Një mënyrë tjetër për t’u mbrojtur është duke u informuar. Mund t’iu duket shumë banale, megjithatë kjo gjë zvogëlon rrezikun. Nëse e dini se çfarë rrezikoni, ndoshta mësoni të mbroheni. Më poshtë do të lexoni një udhëzues për sëmundjet e Venusit, ku të gjithë duhet t’i keni parasysh, sidomos ata që thonë: “Mua nuk do të më ndodhë kurrë”.
Klamidia
Quhet ndryshe armiku i heshtur. Është një virus që mund të shkaktojë djegie kur urinoni, dhimbje në shpinë e në fund të barkut dhe temperaturë. Ose mund të qëndrojë në heshtje për vite me radhë, duke nxitur infeksione të tjera të heshtura që mund të shkaktojnë si te mashkulli ashtu edhe te femra sterilitet.
Herpes
Lutuni që të mos prekeni kurrë prej tij, ose urojani hasmit. Pasi të jeni infektuar nga virusi Herpes (HSV-2), nuk do të çliroheni më kurrë nga ai sa të jeni gjallë. Mund të kuroheni përkohësisht me terapi specifike, por të jeni të sigurt se nuk ka zgjidhje përfundimtare. Simptomat janë të shumta dhe përsëriten herë pas here: ekzema të shumta, ënjtje dhe dhimbje në zonën e organit gjenital, temperaturë, dhimbje koke, dhimbje kockash dhe rrallëherë meningjit.
Gonorreja
Aktualisht është tepër i përhapur në të gjithë botën. Në Europë rastet vazhdojnë të rriten në mënyrë shqetësuese. Bëhet fjalë për një infeksion akut të shkaktuar nga një bakter. Zakonisht simptomat nuk janë të këndshme: kruarje, djegie gjatë urinimit, ënjtje e dhimbje në organin gjenital dhe rrallëherë gjakderdhje. Nëse nuk kuroheni bakteri përhapet duke shkaktuar komplikacione në pjesë të ndryshme të trupit: lëkurë, zemër, sytë, veshka, deri sa shkakton sterilitet dhe artrit.
Sifilizi
Edhe këtu përgjegjës është një bakter. Ka faza të ndryshme: gjithçka fillon me një puçërr të vogël që zakonisht shfaqet vetëm në vendin ku bakteri ka hyrë në trup (organin gjenital, gojë…). Pastaj transformohet në ulcerë. Fillojnë të shfaqen njolla mbi lëkurë, nyjet limfatike zgjerohen, mund të bien qimet dhe thonjtë, por ka edhe simptoma të ngjashme me ato të gripit. Dëmet janë të mëdha: ky bakter ka ndikim tek organet e brendshme: tru, nerva, sy, zemër, enët e gjakut, mëlçi, kocka dhe artikulacione. Kurohet me penicilinë dhe shërohet.
Hepatiti
Të gjithë e dimë se hepatiti është i tipit A, B dhe C. Hepatiti A: shpeshherë është pa simptoma, por ndonjëherë shfaqen komplikacione, temperaturë, të vjella, feçe e zbardhur, e bardha e syve ka ngjyrë të verdhë, urina ngjyrë të errët, dhimbje në anën e djathtë që përhapet edhe në shpinë. Hepatiti B: ka simptoma të ngjashme me hepatitin A, në raste të rralla mund të japë komplikacione, e si pasojë në pak ditë pacienti bie në koma dhe më pas vdes (ndodh një në një mijë raste). Hepatiti C: 70 për qind e njerëzve të infektuar nga ky virus nuk ka simptoma. Kur ato shfaqen, janë të njëjtat si me hepatitin A dhe B. Bërja kronike e hepatitit B ose C mund të sjellë cerozë hepatike, ose kancer të mëlçisë.
Kandida
Edhe në këtë rast bëhet fjalë për një infeksion aspak të këndshëm. Ja simptomat: kruarje, djegie, inflamacion, fryrje barku, vështirësi në tretje, shqetësime me jashtëqitjen (kapsllëk ose diarre), këputje etj. Duhet theksuar se myku mund të merret në shumë mënyra, jo vetëm përmes seksit të pambrojtur. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e sëmundjeve kur nuk mbroheni. Kemi lënë pa përmendur kondilomën, papiloma virus, zgjeben, ulcerën, virusin HIV. Keni ndonjë nga këto simptomat? Keni pasur një marrëdhënie të pambrojtur? Nuk ndiheni mirë? Konsultohuni me një mjek të specializuar në sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ndërkohë, detyra juaj nga tani e në vazhdim është të mbroheni.