Është një botë intime, e prekshme, e mbushur me trupa adoleshentesh, postera të Shakirës, Bionses, jastëkë të vegjël në formë zemre, mesazhe e fotografi provokuese. Një botë e izoluar, por që çdo vit sa vjen e popullohet (amerikanët kanë vënë re se rreth 20-30 për qind e vajzave nga 13 deri në 19 vjeçe shkëmbejnë me miqtë e tyre fotografi provokuese).
Një fotograf është shqetësuar shumë për këtë çështje dhe nuk ka hezituar të flasë. Sipas tij, vajzat e vogla përpiqen të imitojnë modelet e mëdha, ndërsa marrin poza para aparatit fotografik. Ato ëndërrojnë sikur këto fotografi do të publikohen në revistat e mëdha të modës, si “Vouge” etj., dhe më pas do të shihen dhe gjykohen nga kritikët e modës. Fakti që adoleshentet janë kaq të dashuruara pas vetes, është shenjë e pushtimit nga teknologjia. Fotografi amerikan dëshiron t’u tregojë lexuesve atë që nuk mund ta shohin dot nga afër, anën absurde dhe delikate të problemit.
“Doja të nxirrja në pah teknologjinë që shpeshherë ndërpret komunikimin mes brezave të rinj. Përveç kësaj, vura re se jeta intime e gjeneratës së re kushtëzohet shumë nga teknologjia”, thotë ai. Për ta bërë sa më konkret këtë fenomen, atij i është dashur të zgjedhë një rrugë paksa të vështirë: “Duke qenë se është pothuajse e pamundur të biesh në gjurmët e autorëve të fotove provokuese të gjetura në internet, kam zgjedhur imazhet që, sipas meje, i tregojnë më mirë subjektet që janë fotografuar. Pastaj kërkova vajza që ishin të gatshme të pozonin për fotot që doja të realizoja. E rëndësishme ishte t’u shpjegoja atyre se nuk duhej të ribënin foton që kisha gjetur në internet, por të më shpjegonin mënyrën se si ishte realizuar”, tregon ai. Bashkëveprimi mes modeles dhe fotografit është gjithnjë delikat dhe i rëndësishëm: “Në fillim kishte gjithmonë diçka të planifikuar. Shihnim fotografitë e gjetura në internet dhe përpiqeshim të gjenim autorin. Zakonisht modelet e vogla arrinin të bënin diçka më mirë se origjinali dhe përdornin kopjen. Pyetja që shtrohej më pas ishte: Çfarë do të kishin bërë në atë rast?”. Të tilla pyetje të bëjnë të reflektosh mbi dykuptimësinë e këtyre fotografive.
Është e vërtetë që pa punën e këtij fotografi nuk do të flitej kaq shumë për këtë fenomen. Gjithçka bëhet për të vënë në dijeni edhe prindërit e “modeleve të vogla”, të cilët as që e kanë idenë se çfarë ndodh në dhomat e vogla. Ka edhe nga ato vajza që protestojnë për prishjen e privatësisë.
“Të gjithë kemi gjëra personale. Nuk dua që prindërit e mi të shohin diçka që s’më pëlqen. Edhe ata kur kanë qenë të rinj kishin pasionet e tyre. Unë vazhdoj të jem e kujdesshme dhe e matur në gjërat që bëj. Tashmë jam e rritur. Ç’të keqe ka nëse bëj fotografi të bukura dhe i hedh në internet? Ndaj me të tjerët kënaqësinë që ndiej. Nuk dua të tregoj se jam e bukur, por është diçka që s’mund ta fsheh”, thotë e rebeluar një adoleshente.
Fotografitë që bëjnë në kushtet e shtëpisë këto vajza janë në dispozicion të çdo lloj spektatori. E keqja është se secili i sheh në mënyrën që dëshiron. “Mendoj se fotografitë e mia nuk janë aq provokuese. Qëllimi im është t’i nxis vajzat që të çlirohen nga turpi dhe të sillen sikur të ishin vetëm në dhomë, me aparatin fotografik në dorë duke pozuar në lloj-lloj pozicionesh. Duhet të ketë diçka të rrufeshme në jetën e tyre, që ne nuk arrijmë ta shohim. Fotografitë bëhen për të ndarë ‘në dysh’ spektatorin. Kush i sheh këto foto duhet të ngacmohet prej tyre. Jam përpjekur të zgjedh vajza që duken më të reja në moshë nga ç’janë. Arsyeja? Që ta godasin me shumë forcë spektatorin”, thotë fotografi.
Një nga këto vajza është edhe Sady, 20 vjeçe. “Para se të më kërkonte Evan (fotografi), isha zhveshur vetëm për të dashurit e mi dhe djemtë që më pëlqenin, prandaj edhe projekti i tij më interesoi. Përveç kësaj doja të shprehja edhe emocionet që ndieja. Pak çaste pasi je fotografuar e zhveshur, nuk ka më asgjë sensuale. Kur isha më e vogël kaloja orë të tëra në banjë duke fotografuar veten. E dija që të dashurit tim asokohe nuk i interesonte shumë kjo gjë, madje as drita nuk e bezdiste. E adhuroj aparatin fotografik, prandaj edhe kur bëj foto më duket diçka krejt natyrale, njësoj sikur laj dhëmbët”, tregon Sady.
Bashkëveprimi mes teknologjisë dhe intimitetit gjithmonë është konsideruar “i rrezikshëm”. Në fillim prindërit ishin më të kujdesshëm me fëmijët, nuk u lejonin celularët në dhomat e tyre, pikërisht për të shmangur prishjen e intimitetit.
Vajzave u duket eksituese të jenë duke darkuar me prindërit dhe të shkruajnë mesazhe erotike. U duket sikur po bëjnë diçka të shëmtuar para prindërve. Për shumë vajza kjo gjë është mënyra e të shprehurit “seksualisht”, gjë që me zë nuk do të kishin guxim ta thoshin.
“Fotografitë zënë vendin e pamjeve që kemi në kokë, prandaj shumë djem e vajza mendojnë se mund të fitojnë kompeticione të rëndësishme në botën e modës. Mënyra e vetme për të hyrë menjëherë në kontakt me numrin më të madh të personave është përmes pamjes së jashtme”, thotë fotografi. Megjithatë, në të gjithë këtë mesele ka edhe “viktima”. Më e rrezikuara është privatësia. “Kjo punë e ka ndryshuar totalisht mënyrën time për t’i parë brezat e rinj. Para shumë kohësh dukej që po humbitnim intimitetin dhe privatësinë, por të zbuloja se sa shumë të rinj marrin pjesë në lojën ‘e zhveshjes fizike’ më bëri të kuptoj se kufijtë janë zgjeruar dhe teknologjia ka përparuar shumë. Ndoshta nuk e keni kuptuar, por brezit të ri i intereson vetëm që të tjerët të dinë gjithçka për ta”, përfundon fotografi.