Adoleshentet nje histori alkooli

Adoleshentet, nje histori alkooli
Gjimnazistë, të rinj nën moshën e pjekurisë, fëmijë të llastuar dhe të tjerë që u rrinë rrotull. Një kategori sociale gjithnjë e më në rrezik, nga përdorimi i pijeve alkoolike. Tirana, ky “bar” i madh në natyrë, ku nuk ndalohet asgjë. Facebook, uiski dhe cigare për të rinjtë e kryeqytetit që këqyr indiferent këtë plagë gjithnjë e më të rëndë shoqërore.

Ai është një nga gjimnazet më me emër të kryeqytetit, diktuar në parim nga rregulla të forta e strikte që nuk njohin toleranca, tamam ashtu siç marketohen lart e poshtë emrat bashkëkohorë e sloganet largpamës të dhjetëra e dhjetëra shkollave të mesme. Përveç një akomodimit model e programeve speciale të mësimdhënies, ky është pa dyshim një nga motivet kryesore që shtyjnë shumë prindër altruistë të bëjnë një zgjedhje, mes shumë të tillave, kur i vogli i tyre i deridjeshëm duhet të përshkojë transitin drejt një pjekurie në filiz. Herë nga entuziazmi i një mirëqenieje, herë prej dobësisë së gjeneruar nga një adoleshencë e tyrja “e varfër” dikur, ndodh pikërisht në këtë moment që të dashurit prindër bëjnë edhe gabimin e parë kundrejt tyre, u japin gjithçka që kërkojnë, mbi të gjitha besimin, por harrojnë të kontrollojnë më pas produktin që presin.

 Vjen fraza e njohur “asgjë nuk ka për të të munguar, ti vetëm mëso”, që adoleshenti i ri e përkthen njëqind për qind në adrenalinë, për të ndjekur pastaj modelin e tij virtual. Dhe atij vërtetë që nuk i mungon asgjë për të zhvilluar protagonizmin e shumëdëshiruar, që shpesh i kalon caqet e degjeneron në drama. Në zinxhirin e gjatë të përgjegjësve, ndodh që prindi e shpërfill hallkën e vet të fajit, atë më kryesoren, duke përtypur në heshtje raportin e përmbysur me fëmijën. Sepse, tashmë tepër vonë, është vetë ai që i druhet reagimit të adoleshentit, në një kohë që duhet të ndodhte krejt e kundërta.

Kur faji mbetet jetim...

E frikshme ose jo, ishte pikërisht kjo që pamë, nga shumë afër, në një bar-kafe shumë modeste pranë Rrugës së Elbasanit, vetëm pak metra larg shkollës së mesme në fjalë. Dy zonja të kuruara hynë brenda të revoltuara dhe iu mësymën zonjës që qëndronte pas banakut të lokalit. Nga replikat nuk qe e vështirë të kuptoje se çfarë kishte ndodhur. Një ditë më parë, djali i njërës dhe vajza e tjetrës kishin pirë konjak e uiski pa fre që nga ora 8 deri në 10 e gjysmë të mëngjesit dhe ashtu të dehur kishin vajtur pastaj në mësim. Në pak kohë, gjendja e vajzës ishte përkeqësuar dhe ajo kishte përfunduar në spital. “Si guxon t’i japësh për të pirë një fëmije?! Për pak më iku vajza nga duart dje!”, bërtiste njëra. “Opo ty të ka ikur me kohë nga duart ajo, se që ta dish se ka për herë të parë që pinë. Po s’i dhashë unë të pijë, do i japi ai tjetri ngjitur.

Ndaj mos më kërko llogari mua po shiko ç’edukatë i ke dhënë zotrote. Si ke gojë të flasësh?! Ku e çon ti vajzën 16 vjeç me 200 mijë lekë në portofol?! E pastaj vjen e më kërkon llogari mua, që aq nuk i marr rrogë në muaj!”. Zonja nga pas banakut nuk pushonte, në një kohë që tjetra e kërcënonte se do të flisnin ndryshe nëse ajo që kishte ndodhur do të përsëritej. “S’ju vjen turp, s’ju vjen! Me kalamajtë do bëni para ju?!”, ia priste nëna e djalit. Kur debati po shuhej e faji kishte mbetur jetim, sikur të mos kishte shfryrë me sa mundi deri në atë moment, e ëma e vajzës i kthehet banakieres si në të lutur, “të lutem, kur vajza të vijë këtu, mos i thuaj që erdhi mami e bëri sherr, se mërzitet e i vjen zor...”.

Është faji i prindërve, është faji i mësuesve, është faji tregtarëve në bare, është faji shoqërisë, i televizionit, i internetit, është faji i kamjes apo i skamjes, apo t’ia lemë edhe kësaj radhe “kohës së keqe që ka ardhur”...? Po atëherë, kush e bën këtë kohë më të mirë...?

Adoleshentët, sa shpejt duan të rriten!

Nino dhe Meli, janë të dy nga 16 vjeç. Dashurohen..., sipas mënyrës së tyre. Ajo vjen nga një familje e pasur, vishet bukur dhe ka gjithmonë shumë lekë nëpër duar. Ai nuk është i pasur, por është “i fortë”. Këtë nuk ia demonstron vetëm duke bërë protektorin gjatë gjithë kohës që kalojnë bashkë, por edhe mashkullin e vërtetë që di të pijë alkool e ta mbajë atë. Në krah të tij, Meli nuk mund të pijë çaj si gocë mami. Ata nuk shkojnë pothuajse asnjëherë në orët e para të mësimit. E nisin me kafe e konjak, pastaj byrekë e birra dhe e mbyllin me nga një dopio “Xhack”. Atë ditë, me sa duket, kishin pirë ca më shumë se kaq. Por ata nuk janë të vetmit. Është një grup i tërë që rrinë bashkë çdo ditë dhe masin “burrërinë” e parakohshme duke i bërë sfidë honepsjes së njëri tjetrit se kush e kush pinë më shumë alkool apo kush pinë më bukur cigaren, njësoj siç masin trashësinë e stimuluar të zërit, numrin rekord të friends-ave në Facebook, numrin e chips-ave në Texas-Holdem-Poker,zemrat që kanë thyer, tatuazhet që kanë bërë, idhujt televizivë që duan tu përngjasin... Këto i perceptoje kollaj duke dëgjuar monologun shfajësues të banakieres, pasi zonjat nëna ishin larguar nga bari. Edhe ajo kishte fëmijë në shkollë, “po nuk iu kishte dhënë kurrë më shumë se 1 mijë lekë të vjetra kur i përcillte në mëngjes”.

Si e mendojnë prindërit?

Kur provon të pyesësh prindër, nën një emërues ë përbashkët ia hedhin fajin pikërisht kësaj të fundit, “kohës së keqe që ka ardhur”. Pa u lodhur të gjejnë “pse-të” e “sepse-të” e kësaj klisheje, nguten të kujtojnë se dikur modelet për tu ndjekur ishin të tjerë e sfidat mes të rinjve adoleshentë tentonin rekorde që sot ata as që nuk i njohin. “Unë kam qenë në klasë sportive. Atëherë, mes nesh, më i fortë ishte ai që thyente rekorde vrapi, noti, basketbolli... Sot, që nga im bir e me radhë, thyejnë rekorde sms-sh në celularë e manovrash me motoçikleta në superstradë”, tregon Fadil Hoxha, 45 vjeçari që i biri ka kohë që e thërret “plaku im” e jo “babi”. Ermira është një nënë më tolerante.

Ajo nuk panikoset kur i biri, 18 vjeç, del mbrëmjeve në fundjavë e kthehet në shtëpi pas mesnate. “I jap përditë të ketë lekë xhepi, në fundjavë diçka më shumë. Nuk dua as unë që të ndihet inferior mes shokëve dhe duhet ta pranoj që më pëlqen edhe ideja që ai sillet si më i rritur se ç’është në të vërtetë”. Më tepër sesa një birre, ajo i trembet sherreve ku ai mund të përzihet dhe i vjen keq që në mësime nuk është më ai i dikurshmi. Kur e pyesim nëse i biri ka ardhur ndonjëherë i dehur në shtëpi, ajo përgjigjet se po, “Ka ndodhur, rrallë. Por kanë qenë raste kur ka pasur ndonjë festë apo sebep me shoqërinë.”.

Klubet e natës, asnjë kriter në hyrje për minorenët

Në katër bare dhe tre klube nate që pyetëm tërthorazi në një mbrëmje fundjave, në zonën e ish-Bllokut, asnjë prej tyre nuk ndiqte apo respektonte ndonjë rregull të caktuar lidhur me shërbimin e alkoolit tek minorenet. Shpjegimet ishin nga më të ndryshmet. Më i zakonshmi thoshte se shumica prej tyre nuk dallohen prej pamjes apo sjelljes që mund të jenë më pak se 18 vjeç. Praktika e të qenit korrekt me personat e moshave të reja kishte të bënte me racionalizimin. Pra, nëse ndonjë prej klientëve ishte në gjendje të dehur dhe vazhdonte të kërkonte për të pirë, vinte një pikë që atij nuk i shërbehej më. Por për të arritur në një masë të tillë ai duhet të kishte kaluar kufijtë e dehjes.

Kamarierët dhe baristët pothuajse nuk e dinë se tashmë edhe tek ne ekziston një ligj që i ndalon dhe i dënon nëse iu ofrojnë pije alkoolike personave nën 18 vjeç. Ironia është se në pjesën më të madhe të klubeve të natës, me një rregull shumë strikt, nuk lejojnë të futen meshkuj që janë të pashoqëruar nga femra. Ky është një rregull i pashkruar, jo një ligj. Por ama, kur vjen puna tek minorenët, këta mund të hyjnë lirshëm, mjafton të jenë të shoqëruar nga mikesha e tyre, gjithashtu minorene, dhe askush nuk u kërkon një mjet që të identifikojë moshën. Ndërkaq, në asnjërin prej këtyre ambienteve nuk pamë ndonjë tabelë që tregonte ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike për persona nën 18 vjeç. Çuditërisht, nuk mungonin tabelat “Anti-duhan”.

Marketet: alkolin e shesim, cigaret jo

Në supermarkete përsëritej një situatë e ngjashme. “Nëse një fëmijë vjen drejt kasës së pagesës me një shishe vodka në dorë dhe lekët në dorën tjetër, a ia shisnin pijen?” Shkurt, bukur, pastër, kështu i pyetëm të tria kasieret e turnit të dytë në dy supermarkete “Conad”. U përgjigjën “Po. Nuk kemi ndonjë porosi të veçantë për këto raste. Fëmija mund të jetë dërguar nga prindi. Gjithsesi, këto janë raste shumë të rralla. Ambientet tona, përgjithësisht frekuentohen nga të rritur dhe prindër. Rregull kemi vetëm për shitjen e cigareve. Ato nuk ua shesim asnjëherë të miturve apo adoleshentëve”. Dhe vërtetë, në një tabelë të madhe ishte e shkruar se “Ndalohet shitja e cigareve për të personat nën moshën 18-vjeç”. Sikur alkooli të mos ishte po aq e ca më tepër i dëmshëm për shëndetin sesa duhani..., Ligji kundër duhanit duket se ka lënë një gjurmë më të rreptë në tregtimin e këtij produkti tek të miturit.

E të mendosh që ky i fundit, “Për Mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” është miratuar plot 7 muaj më vonë se Ligji “Për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit”...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama