"Këtë verë do të shkojmë atje ku ishim vitin e kaluar. Në një ishull të vogël në Kroaci, ku nuk kishte asnjeri, vetëm ne, deti dhe peshku i freskët. Si thua, të prenotojmë?". Marta dhe Pietro ishin përpjekur të bënin të lumtur fëmijët, përkatësisht 15 dhe 12 vjeç, por nuk mundën t'ia dilnin mbanë. Fytyrat e tyre të mërzitura e treguan më së miri këtë, ndërsa përgjigjja ishte kjo: "Nuk mund të shkojmë në një vend ku nuk ka asnjëri, se do të mërzitemi". Vera, çlodhja dhe fëmijët adoleshentë që do të donin gjithçka, përveçse të niseshin me pushime me prindërit. Janë adoleshentë që në blogun apo statuset e tyre në internet lëshojnë apele të dëshpëruara: "Më lini më mirë në qytet. Jam mirë këtu. Kam internet. Ju premtoj se do kujdesem për lulet, macen dhe gjithçka tjetër që ka nevojë shtëpia".
Një problem ky që u përket 86 për qind të familjeve europiane. Zgjidhjen e sjell "Times", që ka arritur të japë disa strategji për të mbijetuar në pushime kur me vete kemi një ose më shumë fëmijë në moshën e adoleshencës. Ndonjë shembull? Është mirë të merrni me vete ndonjë mik të fëmijës, t'i angazhoni sa më shumë të jetë e mundur dhe të ndani shpesh së bashku aventura që atyre u pëlqejnë, si shëtitje me varkë, ekskursione me kanoe apo ngjitje në mal. Për më tepër, mos e shihni asnjëherë orën nëse në mbrëmje vonohen më shumë se zakonisht. Në fakt, pasi kalon mosha 12-13 vjeçare, të rinjtë i kanë idetë e qarta se si të argëtohen. Ata priren të kundërshtojnë çdo lloj ideje që i pengon për të arritur atë që duan.
Pas moshës 14-vjeçare, vetëm 14 për qind e tyre mund të ndajë ndonjë pjesë të verës me mamin dhe babin, tregojnë të dhënat e vitit që shkoi për turizmin rinor. Megjithatë, në 44 për qind të familjeve, vendimi se "ku do të shkojmë këtë vit" merret në mënyrë kolektive, madje në 6 për qind të rasteve janë fëmijët që i zgjedhin vendet ku duan të shkojnë. Por në fund, në 30 për qind të rasteve janë nënat ato që merren me prenotimet dhe administrimin e pushimeve. Shifra këto që flasin qartë se sa dhe si po ndryshon familja me kalimin e kohës.
Por çfarë duhet bërë? Të heqim dorë nga këto pushime të përbashkëta në favor të kampeve verore apo kolegjeve? Apo është më mirë që të rriturit të pushojnë së bashku, ndërsa adoleshentët me miqtë e tyre? Për Gustavo Charmet, një psikiatër i famshëm dhe psikoterapist shumë i zoti, zgjidhja qëndron te rruga e mesme.
"Pushime do të thotë një shkëputje nga jeta e përditshme, ku të rriturit punojnë nga mëngjesi në darkë, ndërsa fëmijët i kanë ditët plotësisht të zëna. Që të vegjël janë mësuar të rriten në grup dhe kur kthehen në shtëpi, sërish kërkojnë grupin e tyre përmes 'Facebook'-ut apo celularit. Është e qartë që të gjendesh me prindërit në një shtëpi të izoluar, pa asnjë lidhje teknologjike dhe një numër të madh orësh për t'u mbushur, i bën të ndihen të mërzitur dhe pa pikë dëshire për t'u çlodhur. Nuk është e thënë që pushimet me fëmijët të jenë të gabuara", -tregon Charmet, por duhet të ketë një lloj organizimi paraprak, që për mua nuk mund të evitohet.
Një lloj organizimi jete dhe mendimesh, sepse adoleshentët kërkojnë miqtë, emocionet, dashurinë, seksualitetin, aq më tepër kur janë me pushime. Klima dhe bukuria vijnë pas këtyre. Është e kotë t'i çosh në një vend të mrekullueshëm. Do të qëndrojnë gjithë kohës me turinj. Më mirë një plazh plot me të rinj, duke kërkuar të hysh edhe në kohën e tyre për të rigjetur intimitetin dhe konfidencat", -thotë Charmet. Këto janë strategjitë e mbijetesës me fëmijët në një moshë kaq delikate. Pushimet e pritura gjatë gjithë vitit mund të shndërrohen në zënka familjare dhe ankthin e gushtit. Disa vjet më parë, disa shoqata të pediatrisë europiane kishin nxjerrë "Kartën e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve me pushime".
Aty shkruhet se "një adoleshent, në gjendje të vlerësojë bukuritë e një udhëtimi në vende të reja apo qytete arti, ka edhe një kërkesë të madhe për t'u socializuar, ndaj do ishte mirë t'i garantoje pushime ku ka mundësinë të qëndrojë jo vetëm nën shoqërinë e të rriturve". Por në moshën 13 dhe 14-vjeçare nuk është e lehtë të krijosh menjëherë miqësi, si në kohën e fëmijërisë. "Shpesh adoleshentët rrëfejnë se dëshira e tyre e vërtetë është të qëndrojnë në qytet, edhe pse vetëm.
Një gabim i madh i prindërve është që vazhdojnë t'i organizojnë pushimet sikur fëmijët janë ende të vegjël. Adoleshentët në radhë të parë kanë nevojë për t'u socializuar, por kanë dhe një moshë ku nuk është edhe aq e lehtë të krijosh miqësi. Një këshillë strategjike është të merrni me vete me pushime një mik ose mikeshë të djalit apo vajzës. Me dy veta do të ndiheni më mirë dhe do jeni më të sigurt në ato që ata bëjnë; ose të zgjidhni situata të llojit klube apo vende ku është shumë e lehtë të krijojnë miqësi të reja",- thotë psikologu.
Por jo vetëm kaq. Sekreti, thonë ekspertët, është ai i të programuarit të pushimeve së bashku. "Të rinjtë kanë nevojë që t'i kenë ditët shumë të mbushura me aktivitete, por kjo nuk do të thotë që të rikrijojnë në pushime atë lloj jete që bënin kur ishin në qytet. Ideal është një vend ku ke se çfarë të bësh, sport, argëtim, por në fund duhet të jenë ata që të vendosin: të mos bëjnë asgjë, ose të qëndrojnë të vetëm.
Po ashtu, prindërit duhet të sforcohen të kuptojnë disa pasione të fëmijëve, sepse kështu mund ta ndiejnë veten më afër. Në fund të fundit, pushimet nevojiten pikërisht për këtë", - shpjegojnë ekspertët. Megjithatë, intimiteti mund të gjendet kudo, larg ndonjë fshati të thellë, apo ndonjë kampingu të mbipopulluar. Sipas ekspertëve, në krye të pasioneve të adoleshentëve gjatë pushimeve qëndrojnë ato ku mund të zbulosh gjëra të reja. Por për prindërit që duan qetësi, pas periudhave të stresuara e të lodhshme, kjo nuk është aspak zgjidhja më e mirë.
Kompromisi mes palëve mund të bëjë që pushimet të shndërrohen në një eksperiencë intensive, aventure dhe të shëndetshme për të gjithë. "Adoleshentët mund të bëhen miq të mirë udhëtimi, kuriozë, të kujdesshëm, mjafton që të tërheqësh vëmendjen e tyre me vendin që ke zgjedhur. Megjithatë, nuk mendoj se familja duhet t'u nënshtrohet kërkesave të tyre vetëm nga frika se mos ndihen vetëm. Është më mirë të bashkohen disa familje, ku të rinjtë do të kenë mundësi të jenë në grup. Mos harroni që për të rinjtë pushimet duhet të jenë dinamike", -vazhdojnë më tej ekspertët. Ata duhet të lëvizin shpesh, të njohin vende të reja, edhe pse kampingjet dhe komplekset turistike mbeten të preferuarat e adoleshentëve për verën, pasi aty mund të takojnë njerëz të rinj, të zënë miqësi të reja, të eksperimentojnë.
Jo frikë, mjafton të mësosh t'i dëgjosh
Ikin natën, kthehen në shtëpi të dehur dhe të pavetëdijshëm, drogohen, bëjnë seks pa mjete mbrojtëse, mërziten për vdekje kur janë bashkë me prindërit, trajtojnë keq vëllezërit më të vegjël. Flenë gjithë ditën, nuk hanë ushqime të shëndetshme, nuk kapin libër me dorë. Nuk dihet se me kë dalin. Qëndrojnë gjithë ditën në internet apo me telefon në dorë. Janë këta kapitujt e një romani që të gjithëve na duket sikur e kemi lexuar, "romani i verës së adoleshentëve". Një roman ky i shkruar nga Stephen King dhe Easton Eillis, që ngjall frikë, sidomos për ata të cilët kanë fëmijë në moshën e adoleshencës. Por pyetja që shtrohet është: A është vërtet kaq kritike mosha e adoleshencës? A është një moshë kaq e tmerrshme? Është vërtet kaq e vështirë t'i administrosh "adoleshentët" gjatë pushimeve? Përgjigjja e të gjitha këtyre pyetjeve, sipas asaj që thonë psikologët, është 'Jo'.
Vështirësia për ta parë të qetë një adoleshent gjatë pushimeve i detyrohet mbi të gjitha dy arsyeve thelbësore: ashtu ka natyrën e tij, i pëlqen të rrijë i heshtur, por kjo nuk do të thotë se nuk është i lumtur dhe e dyta, interesat e tij natyrale nuk akordohen kurrë me ato të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Duke kombinuar së bashku këta dy faktorë, dhe produkti që del i kombinuar me urgjencat tipike të pushimeve, si shtëpi të vogla, pa internet, pa videolojëra, pa miq, e bën romanin e verës për adoleshentët shumë kërcënues. Si mund të ndryshojë kjo? Është mirë që t'i dërgoni fëmijët për t'i bërë pushimet atje ku ata duan, mjafton të respektoni dëshirën e tyre.
Nëse duan larg familjes, le të ikin larg. Ndoshta mund të duket shqetësuese, por sot shumë agjenci në botë ofrojnë siguri maksimale për fëmijët, edhe pse kushtojnë paksa. Mirëpo, në fund të fundit, dëshira për t'i parë fëmijët të lumtur ia vlen të tejkaloni çdo sakrificë ekonomike. Një tjetër mënyrë është shumë ekonomike dhe shumë efikase: ka të bëjë me dedikimin plotësisht ndaj dëshirave të tyre gjatë verës. T'i ndihmoni të administrojnë dhe minimizojnë gabimet. Është kjo, ajo çka duhet të bëjnë prindërit me fëmijët e tyre adoleshentë.
Por këtë duhet ta bëjnë gjithmonë, si në verë, ashtu edhe në dimër. A e dini se përse adoleshentët u mbajnë shpesh mëri prindërve? Sepse rrëmbehen nga inati. Në kujtesën e tyre mund të jenë ngulitur episode të veçanta, për shembull kur prindërit nuk ua kanë plotësuar dëshirat, por kjo nuk do të thotë se fëmijët nuk i duan apo nuk i respektojnë ata. Prindërit duhet të përshtaten e të mësohen me zgjedhjet e adoleshentëve. Që të dyja palët të kenë një marrëdhënie të ekuilibruar, duhet të kalojnë edhe një hap tjetër shumë të rëndësishëm: të dinë të falin. Këto mund të jenë zgjidhjet.