Kufoma e gjetur në një përrua para tri ditësh në një fshat të Kukësit i përket Genc Gashit, 19-vjeçarit të zhdukurit që në fund të muajit dhjetor dhe rezulton se është vrarë me thikë. Konkluzioni për vrasjen e tij është nxjerrë dy ditë pasi trupi i dekompozuar u dërgua për ekspertizë pranë Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Më datë 1 të këtij muaji, policia e Kukësit njoftoi se një trup i pajetë u gjet në fshatin Petkaj të Kukësit. Burime nga policia lokale pohuan se kufoma e seksit mashkull u gjet nga një bari i zonës. Që në fillim lindën dyshimet se trupi i pajetë i përket 19-vjeçarit Genc Gashi, lindur e banues në fshatin Shtan, i cili është shpallur i zhdukur më 27 dhjetor të vitit që shkoi dhe deri atë ditë nuk kishte asnjë informacion për fatin e tij. Po atë ditë, policia tha se zona ku është gjetur trupi i pajetë është rreth 3 kilometra larg banesës së të riut. Sipas policisë, ka qenë një bari i zonës që ka pikasur kufomën në një përrua. Menjëherë janë njoftuar uniformat blu, të cilat kanë marrë trupin dhe e kanë dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Kukësit. Në këto kushte, policia mori në pyetje bariun, si dhe banorët e zonës në lidhje me këtë ngjarje, ndërkohë që mjekët ligjorë kryen ekspertizën për të parë nëse viktima është pikërisht adoleshenti i humbur dhe nëse bëhet fjalë për vrasje apo për një ngjarje aksidentale.
Dy ditë më parë, mjekësia ligjore ka arritur në konkluzionin se viktima ishte Genc Gashi, i cili rezultonte i zhdukur që prej më shumë se një muaji. Po ashtu, mjekësia ligjore ka arritur në konkluzionin se vdekja e tij është shkaktuar nga goditje me mjete të mprehta (thikë), pasi në trup janë gjetur disa plagë të dyshimta. Në këto kushte, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij krimi. Fillimisht, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe një herë familjarët e viktimës, të cilët kanë deklaruar se nuk dinin ndonjë konflikt të djalit të vrarë.
Burime zyrtare të policisë së Kukësit thanë se gjatë kohës së zhdukjes së adoleshentit, janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë. Ndërkohë, burime konfidenciale pohojnë se po hetohet në disa pista për vrasjen e tij, një prej të cilave ka të bëjë për një lidhje dashurie të tij me një vajzë nga fshati Shëmri. Mësohet se para pak javësh, policia e ka marrë në pyetje vajzën, por edhe familjarët e saj, ndërsa ajo ka mohuar lidhjen, duke deklaruar se thjesht komunikonin me telefon dhe asgjë më shumë. Këto të dhëna pritet të rishikohen nga policia e Kukësit, tashmë që adoleshenti është gjetur i vrarë.
Hetimet
Telefonata që nxori të riun nga shtëpia
Nëna e adoleshentit të vrarë, Xhemalie Gashi, ka qenë personi i fundit që ka parë Gencin gjallë. Ajo ka treguar se ditën e zhdukjes, Genc Gashi ka marrë një telefonatë që e ka shqetësuar. Duke folur për mediat, nëna e 19-vjeçarit është shprehur se paraditen e 27 dhjetorit, ka qenë në shtëpi bashkë me djalin. Në atë kohë ka rënë zilja e telefonit, por Genci nuk ndodhej pranë tij. Ajo ka parë kush po telefononte dhe ka vënë re se ishte numër i paregjistruar. E ka hapur dhe ka dëgjuar vetëm një alo me zë burri dhe telefoni është mbyllur sërish. “I tregova tim biri, i cili, sa pa numrin, u zverdh në fytyrë. Pas 10 minutash nga telefonata, Genci doli nga shtëpia dhe unë gati pas tij duke e thërritur, por nuk m’u përgjigj. U zhduk sikur e kishte përpirë toka. I ramë telefonit, por e kishte të mbyllur. Që nga ajo ditë ne nuk kemi asnjë sinjal jete për të”, ka shpjeguar nëna e 19-vjeçarit pak kohë pas zhdukjes së tij. Tashmë, edhe kjo telefonatë do të hetohet nga policia, me qëllim identifikimin e vrasësve të Genc Gashit.