Adoleshenti viktime e realitetit

Adoleshenti viktimë e realitetit
Jo vetëm kaq, por për të formuar modele, të cilat janë dhe duhet të jenë të kundërta dhe kontrastive me shfaqjen koherente, ose bashkëkohore. Ne të gjithë jemi pjesëmarrës, ose dëshmitarë të konkretizimit të faktit unik, i cili tipizohet dhe merret shembull. Këtu bëhet vetëm një lloj diferencimi; ai i nivelit moshor.

Diferenca e brezave vetvetiu sjell dhe diferencën e ideve, por nuk është kjo ajo që na ndan. Ajo që na ndryshon është simptoma e fajit, që njihet si produkt i brezit më të ri. Adoleshenca është mosha më e prirur për të krijuar idetë e gabimeve, fajeve dhe deformimeve të së tashmes. Është niveli i prirur për të krijuar idenë e ndryshimit dhe për të pranuar sfidën. Adoleshenca nuk ka frikë për të pranuar se po gabon gjatë ndryshimit të vetes dhe të procesit.

Të shikuarit si proces është një e dhënë dhe cilësi e shoqërive të konsoliduar, por në të gjitha rastet kemi një lloj angazhimi mohues kundrejt faktit rinor që ndodh. Kjo në psikologji quhet pengesë për të ruajtur zhvillimin dhe për t\'i hapur një portë të kujdesshme atij. Asnjë shoqëri nuk mund të realizojë instinktivisht përcjelljet dhe kapërcimet, qoftë këto edhe të papritura. Kjo për të frenuar paksa sfidat dhe ndikimet masive të rasteve regresuese.

Por në të gjitha këto mundësi shfaqjeje, shoqëria duhet të kujdeset për të mos penalizuar dhe lënë mënjanë, por përkundrazi, për të shëruar dhe për t\'i trajtuar si sëmundje dhe pjesë të edukimit të vet. Natyrisht që këtë gjë mund dhe duhet ta realizojë familja dhe shkolla. Çuditërisht ka një koherencë të çuditshme të trajtimit të fenomeneve të ndryshme vetëm si gabime të shërimit të tyre vetëm me dënime. Çfarë ndodh në këtë rast?

Aspekti pedagogjik i trajtimit të gabimit të radhës

Braktisja e fshehtë, që në arsim konsiderohet si më e pranishmja dhe si më e rrezikshmja. Mosmarrja me problemin, trajtimi i tij sikur të mos ketë ndodhur, fshehja për hir të frikës dhe turpit, shkaktojnë problemin social të braktisjes së fshehtë. Ky lloj adoleshenti bëhet i ftohtë, indiferent dhe agresiv kur i kujton detyra dhe angazhime të tjera që nuk kanë të bëjnë me dëshirën e tij.

Le të marrim p.sh rastet e adoleshentëve që përdorin drogën apo duhanin. Ne vazhdojmë të themi që nuk kemi ose kemi shumë pak përdorues të tillë, duke menduar që kemi krijuar koracën mbrojtëse për veten dhe pjesën tjetër. Në fakt kemi rritur riskun për infektim masiv, pasi kemi lejuar ndjeshmërinë përdoruese dhe përhapës, duke mos ditur në këtë mënyrë destinimin dhe kështu edhe mënyrën për ta luftuar. Këta adoleshentë, pasi kalojnë momentin e parë të indiferencës sonë fillojnë të mendojnë për një situatë normale jashtë të tjerëve, ose brenda një rrethi të ngushtë. Kështu lind procesi i përjashtimit ose vetëpërjashtimit.
Adoleshenti mbyllet në kafazin e tij psikologjik dhe fajëson gjithë botën për atë që bën e do të bëjë.

Urrejtja

Ai tashmë nis të urrejë pse nuk e kanë ndaluar, por edhe pse rreken ta ndalojnë. Ai kurrë nuk është ndier i barabartë dhe nuk ka si të dijë se ka edhe barazi. Shprehja që, "Ti nuk je si ai.", ose "Ti nuk e meriton këtë gjë." shkatërrojnë plotësisht procesin e edukimit dhe të ekuilibrit të fëmijës.
Atij nuk i duhet krijuar ideja se mund të bëjë vetëm gjëra të këqija, por duhen vënë në dukje pikërisht elementët pozitivë, kontributet e aktivizimeve edhe kur këto janë të rralla dhe jo shumë të suksesshme.

Veprimet e së ardhmes

Suksesi i një veprimi ndërton të ardhmen e një sjelljeje dhe veprimi tjetër. Rezultati i një veprimi shpesh ndërtohet duke dhënë edhe modelin e prirjes individuale, duke treguar mundësinë e ecjes paralele. Në këtë ecje paralele fiton veprimi që ecën më shpejt. Në këtë mënyrë themi rolin pozitiv të stimulimit të një vlere të caktuar, e cila detyrimisht duhet zbuluar te adoleshenti, pasi gjithmonë ekziston.

Procesi i kapërcimit

Që të zbulosh, duhet të kapërcesh. Prindi dhe edukatori duhet të kapërcejnë idenë e gabimit të radhës, natyrisht jo duke e harruar, por duke e trajtuar. Gjërat e thjeshta janë gjëra që dinë të trajtohen. Trajtimi gjithmonë nis me analizën dhe përshkrimet krahasuese, jo me retrospektivën dhe konstatimin. Fëmija e di që ka ndodhur dhe nuk e shmang dot këtë gjë, por ai duhet të kuptojë që kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm tek ai dhe vetëm për faj të tij. Është shumë e rëndësishme të mos e bëjmë të vuajë mbi kompleksin e fajit, por t\'i lëmë të kuptojë politikat ndryshuese të qenies dhe të ndryshimit.

Njeriu është qenie në ndryshim, aktivitet dhe në integritet

Ai e pëlqen të renë, të padukshmen, instiktiven, pasojat e tij, po duhet të mësohet me përvojat e mëparshme që të mos shkelë në prova negative të kaqtrajtueshme, mundësisht të humbura nga individi në kohë dhe vende të ndryshme. Këtë gjë e bën shkolla e familja.

Gjeografia pedagogjike

Trajtesat duhen ditur që ndryshojnë për shkak të llojit të njerëzve dhe për shkak të këndvështrimit të tyre. Çështja e këndvështrimit nuk është problem vetëm i së shkuarës, por edhe i së ardhmes. Nuk mund të trajtohet përsëri si një gabim fakti i konceptimit ndryshe. P.sh, këtu vlen të përmendet koncepti i lirisë së individit. Sa i lirë je për të kryer një veprim dhe sa i lirë je për ta pranuar një veprim. Marrim përsëri rastet e shfaqjeve të adoleshentëve që përdorin drogën, duhanin, alkoolin, etj.

Pothuajse të gjithë ata mendojnë se kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan me veten e tyre, për shkak të konceptit të lirisë. Ata vishen me besimin që kjo që bëjnë është vetëm e drejtë e tyre dhe me besimin se dinë ta përdorin lirinë e tyre. Është mjaft e konsoliduar ideja që këtë, ose atë gjë nuk mund dhe nuk duhet ta ndryshoj. Ky qëndrim është mjaft i përhapur ndër adoleshentë edhe në rastet e fenomeneve dhe sjelljeve normale. Gjeografia e sjelljes është unike në shfaqje, por ndryshon vetëm në çështjen e këndvështrimit. Asnjë adoleshent nuk pranon që nuk di t\'i bëjë gjërat apo se duhet ti ndryshojë ato me urdhër. Edhe në ato raste, kur kjo gjë ndodh, kemi të rinj tek të cilët shfaqen probleme të përzgjedhjes në sjellje, të kontributeve deficitare, të stimulimit të dobët dhe të aktivitetit pasiv. Kështu duhet që me të rinjtë të reflektohet pjesëmarrje në situata të caktuara. Të jesh me to dhe të ecësh me to.

Koncepti i lirisë

Prania e bën lirinë të ketë kuptim dhe të mirpërdorshme. Ideja që je në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, e bën të riun të pranojë faktin që ti je i duhur, sepse je me të. Ai dëgjon dhe bën të tijin mendimin tënd. Jo vetëm kaq, ai të premton se do të bëjë diçka ndryshe, por ai duhet të kuptojë se është i lirë për ta bërë këtë zgjedhje dhe jo i detyruar. Konceptet e kësaj lirie në adoleshencë shihen të përjetshme. Edhe kur ndryshojnë shihen po të tilla. Koha kalon shpejt dhe sfida e integrimit i mëson të rinjtë se elementi i të mësuarit është i vetmi element i përjetshëm. Ne mësojmë përjetësisht nga shkolla dhe nga familja jonë.


Nga: Xhoana ZEQO, Punonjëse sociale

Adoleshenca është periudha kalimtare që ndan fëmijërinë nga mosha e rritur. Vetë fjala adoleshent, në thelbin e saj ka të bëjë me moshën që është në zhvillim. Kjo fjalë rrjedh nga gjuha latine, adolescere, e cila do të thotë rritem, piqem. Pjekuria seksuale, intelektuale dhe morale nuk ecin paralel, kanë shpërpjesëtime, madje edhe kundërshtime.

Ajo është gjithashtu një lëvizje plot fuqi, premtime dhe jetë. Kjo fuqi është tepër e domosdoshme, është energjia themelore e këtij shndërrimi. Në grup adoleshenti ndihet më mirë, ka të njëjtat pika orientimi, një gjuhë të koduar për vete që i lejon të mos përdorë atë të të rriturve. Nuk ka adoleshencë pa shqetësime dhe vuajtje, sepse kjo është periudha më e dhembshme e jetës. Por adoleshenca është dhe periudha e gëzimeve të mëdha. Gracka që ngre adoleshenca është se ti ke dëshirë t\'i largohesh gjithçkaje të vështirë, të arratisesh jashtë vetes, duke u hedhur në aventura të dyshimta ose të rrezikshme, i joshur nga njerëz që i njohin dobësitë e tua ose të zhytesh brenda vetes, duke qëndruar prapa një mburoje të rremë.

Qëkur janë të vegjël, fëmijët kanë dëshirë që gjithçka ta bëjnë si prindërit, sepse prindi me të njëjtin seks përfaqëson atë vetë kur rritet. Të braktisësh diçka është gjithmonë e dhembshme. Kur është i vogël, fëmija ndien një nevojë jetësore të admirojë prindërit që të mund të rritet.

Një ditë të vegjlit bëhen adoleshentë. Bashkë me rritjen vijnë edhe ndryshimet. Adoleshenti, përveç ndryshimeve biologjike, përshtatjes me trupin e tij të ndryshuar, i duhet të përballet edhe me realitetin përreth tij, që në adoleshencë ndryshon ngjyrat e tij. Por kjo moshë nuk është e vështirë vetëm për adoleshentin, por edhe për prindërit e tij. Ndër të tjerat, ajo që është e rëndësishme është komunikimi midis prindërve dhe fëmijëve.

Mungesa e tij çon në probleme të shumta sociale. Nga ana tjetër dhe procesi i komunikimit për të dyja palët është e vështirë. Të rritësh fëmijët e tu, do të thotë t\'i bësh të kuptojnë që prindërit kanë po aq nevojë për ta sa çkanë ata nevojë për prindërit. Gjithçka ndodh sikur të gjithë njerëzit të besonin se marrëdhëniet prind- fëmi janë nga natyra të privilegjuara dhe të harmonishme. Kur është fjala për fëmijët e tyre, njerëzit pandehin se çdo gjë që thonë dhe bëjnë ata është e drejtë dhe e mirë. Ndërsa do të ishte më e thjeshtë t\'u thuhej fëmijëve që dhe prindërit e tyre mund të gabojnë dhe si pasojë nëse ata vuajnë, fëmijët nuk duhen të bëhen domosdoshmërish si ata.

Shtëpia ku jetojnë të gjithë së bashku mund të bëhet një vend konfliktesh dhe ballafaqimesh. Prindërit ndonjëherë ndodh që t\'i dramatizojnë gjërat ose se mund të jenë në vështirësi financiare apo se mund të kenë frikë për fëmijët e tyre. Kjo mund të shpjegojë dhe qëndrimet autoritare që adoleshentët mezi i pranojnë. Muri ndarës rritet dhe më shumë si pasojë e konfliktit midis brezave. Ky problem nuk është i ri, por i lashtë.

Kjo për arsye se brezi i ri është i prirur për nga e reja. E do, e kërkon, lufton për të. Brezi i vjetër ka prirje për t\'u kapur nga e kaluara. Tek brezi i ri (adoleshentët) shfaqet një kundërvënie ndaj asaj që mban brezi i vjetër. Kjo mund të konstatohet në familje, mjedisin shoqëror, madje dhe në institucione të tilla si shkollat.

Kështu, një pjesë të mbështetjes së familjes, të pasur në fëmijëri, por të humbur në fillimet e adoleshencës, adoleshenti fillon e kërkon tek moshatarët e tij. Adoleshenti ka nevojë të komunikojë me të tjerët, por kur gjen indiferentizëm, moskuptim fillon të mbyllet në vetvete.

Ky izolim mund të bëhet akoma më i madh nëse përforcohet nga faktorë të tjerë siç mund të jetë medja. Adoleshentit i duhet t\'i përshtatet një realiteti të ri, realitet që nën presionin e reklamave, vidioklipeve apo serialeve për të rinj, përforcon imazhin e një të riu të çlirët, të shoqërueshëm, karizmatik, pa komplekse dhe plot besim në vetvete, imazh tërësisht i kundërt me botën e brendshme të një adoleshenti. Ky ndryshim e çon adoleshentin drejt shqetësimeve dhe streseve. Nga ana tjetër, normat dhe rregullat e moshatarëve të tij, rrisin presionin për t\'u përshtatur me grupin.

Është pikërisht ky presion shkaktari i një sërë problemesh, të cilat mund t\'i kalojë një adoleshent, të tillë si: droga, delikuenca, Hiv, depresioni apo dhe vetëvrasja. Studimet tregojnë se presioni i grupit është ndër faktorët kryesorë të përdorimit të drogës nga të rinjtë.

Pikërisht, pika e referimit e adoleshentëve, bashkëmoshatarët e tij kthehen në një kërcënim. Një tjetër fazë e rëndësishme për t\'u përballur është marrëdhënia në çift. Gjatë adoleshencës, adoleshenti, përveç përshtatjes me ndryshimet në trupin e tij, i duhet të sqarojë dhe të eksplorojë një ndjenjë, emocion, kuriozitet, atë të dashurisë dhe tërheqje fizike për seksin tjetër. Kështu, edhe pse realiteti i sotëm flet për një pjekuri më të hershme biologjike dhe si pasojë dhe seksuale, një përfshirje e parakohshme në raportet seksuale mund të shoqërohet me pasoja të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e tyre.

Jo të rralla janë sot shembujt e vajzave minorene 14-15 vjeçare, të cilat mbeten shtatzëna, ndërkohë që mundësia e rritjes së fëmijëve nga ana e tyre është pothuajse e pamundur. Ky kuriozitet shoqërohet me shumë shqetësime dhe luftë ndjenjash, vlerash dhe normash brenda botës shpirtërore dhe mendore të adoleshentit.

Nga njëra anë qëndron trysnia e opinionit të shokëve dhe miqve që thonë se "sot është turp të mos kesh një të dashur", opinion që e çon adoleshentin në krahët e personit të parë që takon. Ky presion është akoma më i fortë në lidhje me marrëdhëniet seksuale. Dhe nga ana tjetër mentaliteti tradicional i shoqërisë sonë bën që vendimmarrja e të qenit apo jo seksualisht aktiv të kthehet në një ankth.

Në shumicën e rasteve presioni i grupit të bashkëmoshatarëve dominon në vendimet e të riut. Kjo gjë natyrisht është jo e këndshme, për të mos thënë e papërshtatshme, sepse është një zgjidhje e imponuar dhe jo e lirë, s\'ka sesi të ketë një vazhdim dhe fund të mirë. Shpesh, në situata, që është shumë e rëndësishme, dashuria.
Nisur nga rrethanat e mësipërme lind domosdoshmëria e një informimi në fushën e edukatës seksuale, për të parandaluar sëmundje seksualisht të transmetueshme, si: SIDA apo shtatzënitë e padëshiruara.

Në këtë proces, prindërit nuk kanë pranuar se diskutojnë me fëmijët e tyre, jo vetëm për problemet e edukatës seksuale, por edhe për probleme të tjera, si: droga, prostitucioni, delikuenca, etj. Megjithatë, jo i tërë realiteti është i tillë. Natyrisht, ka prindër, të cilët jo vetëm arrijnë të kuptojnë fëmijët e tyre, por edhe i trajtojnë si shokë dhe moshatarë, jo si fëmijë që nuk kuptojnë dhe që duhet patjetër të bëjnë ashtu siç duan ata. Kështu, pra, siç mund të lexonit, realiteti, që e rrethon adoleshentin dhe me të cilin i duhet të përballet, të jetojë e të sigurojë një status, është tepër i ashpër. Ajo çka e ndihmon atë për të mbijetuar është të pasurit e një pike mbështetjeje, të kesh besim tek dikush, qoftë ky një mik, partner, prind apo një profesionist social.


Nga: Enriada VRIONI, Psikologe

Shoqëria shqiptare ka rreth 16 vjet që po jeton në një sistem demokratik. Ndryshimi i një sistemi qeverisës në një vend, veç ndryshimeve politike dhe ekonomike, reflektohet dhe te marrëdhëniet e individëve me njëri-tjetrin në jetën e përditshme. Ky ndryshim i mënyrës së jetesës është reflektuar pothuajse në të gjitha fushat e jetës.

Familja, si bërthama e shoqërisë, mbart një përgjegjësi tepër të madhe, pasi ajo gjithmonë ka qenë "foleja" bazë e edukimit dhe përgatitjes së individëve për jetën që i priste jashtë. Por lind pyetja: Çfarë ka ndodhur me familjen në këto 16 vjet?

Tranzicioni që përfshiu shoqërinë tonë nuk mund të linte pa prekur dhe familjen. Prindërit po përballeshin me një formë jetese të panjohur deri më tani dhe dihet që ky fenomen shkakton dhe çrregullim mental në forma të tilla, si: stres, depresion etj. Këto probleme që po kalonin të rriturit nuk kishte mundësi që të mos reflektoheshin dhe te brezi më i ri.

Po adoleshentët, kjo pjesë e brishtë e shoqërisë, si po adaptohen me këtë krizë identiteti? A po arrijnë të identifikojnë dhe të paraqesin veten si duhet?
Kjo është edhe çështja që ka tërhequr vëmendjen e shumë psikologëve, dhe ndërkohë na ka ngacmuar dhe ne.

Njeriu gjatë jetës kalon në disa stade, një ndër të cilët është dhe adoleshenca, periudhë kjo, e cila, sikurse dhe fëmijëria, kalon duke lënë gjurmë të thella në personalitetin e individit. Adoleshenca fillon rreth moshës 12-13 vjeç dhe përfundon rreth moshës 19-20 vjeç, ky është përfundimi tradicional me të cilin jemi ndeshur shpesh, por vitet e fundit nga sondazhet e bëra në ShBA ka rezultuar se adoleshenca ka fillesa më të hershme, aty nga mosha 10-11 vjeç deri në moshën 25-29 vjeç.

Adoleshenti nuk është gjë tjetër veçse një individ në kërkim të identitetit të vet. Ai nuk e di ende se cili është statusi i tij në këtë shoqëri, se di akoma se çfarë do bëjë në hapin tjetër të jetës, si do të pritet nga të tjerët sjellja që ai bën, cila është sjellje e mirë dhe a i pëlqen adoleshentit ta zbatojë këtë sjelle që i rekomandohet?

Me pak fjalë, ky është adoleshenti që jeton shumë afër nesh dhe që ne e kemi të vështirë ta kuptojmë e ta ndihmojmë si duhet. Dilemat që ai mbart në vetvete janë të tilla, saqë ai e ka të domosdoshme të këshillohet me njerëz të tjerë qoftë të moshës së vet, qoftë dhe më të mëdhenj, gjithashtu, duhet pranuar fakti se ndihma e këtyre të fundit, nëse është e drejtë, do e ndihmojë shumë adoleshentin të bëjë zgjedhjen e duhur në jetë.

Një ndër problemet e kësaj grupmoshe është se kanë dëshirë të theksuar për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve ose mbyllen në vetvete (kjo është në varësi të temperamentit).

Ky është një problem jo i vogël, pasi që të dyja format e lartpërmendura janë të rrezikshme dhe me pasoja për individin.

Por diçka që na shqetëson më tepër është dhe ballafaqimi i këtyre individëve me botën. Dhe pse me pamjen e një të rrituri, fakti që ata nuk i njohin prapaskenat e njerëzve dhe si rrjedhojë nuk dinë se si të mbrohen, përbën një disavantazh për këtë kategori njerëzish, ndaj dhe në mënyrë simbolike themi shpeshherë se adoleshentët janë viktima të sistemit në të cilin jetojmë. Këtë përkufizim e shprehim natyrshëm të gjithë në një formë ose tjetrën, duke parë se në çfarë mënyre manipulohen mendjet e të rinjve sot; si për shembull: shumë të rinj kanë idhujt e vet, qofshin këta këngëtarë, futbollistë, të huaj ose shqiptarë, deri këtu jemi pjesërisht në rregull, pasi dihet që të rinjtë janë në kërkim të një modeli të gatshëm sjelljeje, i cili duhet të jetë dhe i pranueshëm nga shoqëria. Por lind pyetja: Këto modele që po mundohen të imitojnë këta të rinj, a janë modelet që duhen imituar?

Hap TV dhe në kronikat e para televizive është: "Një këngëtar i famshëm është akuzuar për ngacmime seksuale ndaj disa minorenëve…"ose "Një tjetër këngëtar u gjet i vdekur nën efektin e overdozës…" ose "Një sportist u përjashtua nga konkurrimi si rrjedhojë e ushtrimit të dhunës fizike ndaj kolegëve të tij". Radhita këto kronika që ndeshim shpesh në TV duke mos dashur të përmend rastet më kritike që kanë të bëjnë me edukimin, si p.sh: reklamimi i një pije alkoolike në TV gjatë çdo ore të ditës ose gjatë një koncerti, konsumimi i pijeve alkoolike nga këngëtari.

Jo më kot ju bezdisa me këtë varg shembujsh, pasi tashmë na janë mësuar veshët me këto lajme e nuk na bëjnë përshtypje, por problemi është se ç\'efekt kanë ato te adoleshentët? Si lidhet kjo me pranueshmërinë e adoleshentit në ambientin ku jeton? Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjë prindi është të kthehet pas në kohë dhe të bëhet vet sërish adoleshent (gjithmonë flasim për mendimet) dhe ky veprim do e ndihmojë të kuptojë më tepër të riun që është duke kaluar këtë fazë.

Natyra njerëzore ka shumë anë pozitive, ndaj le t\'i shpalosim këto anë, pasi deri më sot asnjë nuk është nxjerrë si shembull i admirueshëm nëse ka imituar sjelljen jo etike të dikujt dhe aq më tepër të një VIP-i.Gjithmonë duhet ta kemi parasysh se të jesh vetvetja asnjëherë nuk del jashtë mode.


/Revista Familja/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama