Korabi është një hap larg historisë. Skuadra, që u ngjit një kategori më lart pas 73 vitesh gjatë sezonit të kaluar, tashmë është shumë pranë Superiores. Në finalen e sotme ndaj Kastriotit, e cila do të luhet në Peshkopi, Korabit i mjafton fitorja me çfarëdo rezultat për të hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt elitës. Dibranët renditen në vendin e dytë, tri pikë më pak se Kastrioti që është në krye. Dhe, në rast barazimi me pikë, merren parasysh ndeshjet direkte. Në dy përballjet e deritanishme, Korabi ka një fitore në fushën e vet dhe një barazim në Krujë dhe në këtë mënyrë është i favorizuar. Në përballjen e sotme priten mijëra sportdashës që do të mbështesin skuadrën. Gjatë të gjithë kampionatit, ekipi është mbështetur maksimalisht dhe tifozët premtojnë spektakël në përballjen e sotme.
Mziu
Kapiteni i dibranëve, Sokol Mziu, në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", në lidhje me sfidën e sotme, u shpreh: "Pas asaj fitoreje në mesjavë ndaj Besëlidhjes, na është shtuar oreksi më tepër, pasi jemi fare pranë Superiores. Në sfidën që kemi nesër (sot) ndaj Kastriotit që, për momentin ndodhet në vendin e parë në grupin tonë, kemi të gjitha shanset për të fituar. Ne do të luajmë pa frikë, pasi nuk kemi asnjë lloj presioni nga askush. Do të kemi mbështetjen e mbi dhjetë mijë tifozëve në stadium në këtë ndeshje mjaft të rëndësishme. Di të them që ekipi është në formë të mirë sportive dhe do të bëjë të pamundurën për të fituar këtë sfidë të vështirë, por jo të pakalueshme", shprehet fillimisht Mziu.
Skuadra ndodhet në Peshkopi që prej të enjtes pasdite ku ka zhvilluar stërvitjen nën drejtimin e trajnerit Dritan Mehmeti, i cili në këtë sfidë do të ndiejë mungesat e mbrojtësit Daniel Ramazani dhe mesfushorit Daniel Jubani. Ky i fundit ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm për këtë sfidë. Kapiteni Mziu është i bindur se skuadra do arrijë të ngjitet në Superiore në fund të këtij kampionati.
"Nesër (sot) festojmë ngjitjen në Superiore dhe për këtë jam tepër i bindur. Do ta bëjmë ëndrrën e të gjithë dibranëve realitet. Ata e kanë ëndërruar prej kohësh një gjë të tillë dhe është momenti i duhur për t'i lumturuar dhe për t'ua shpërblyer të gjithë mbështetjen që na kanë dhënë gjatë këtij sezoni", përfundon prononcimin Mziu.