Reliti i një anije tregtare që daton diku nga shek II-I para Krishtit është zbulimi më i fundit i ekspeditës nënujore shqiptaro-amerikane në bordin e anijes Herkules. Ndërsa lajmi ka pasur jehonë edhe në gazetat e huaja, çdo zbulim i kësaj rëndësie është jehonë për rrezikun që i qëndron mbi krye arkeologjisë nënujore. Në mungesë të një strukture që ta marrë në mbrojtje e të një kuadri ligjor specifik, kjo pasuri vazhdon të kërcënohet nga zhytës amatorë apo nga trafiku i paligjshëm. Adrian Anastasi, arkeologu shqiptar i kësaj ekspedite shprehet se gjendja është kritike. Sipas tij, kjo pasuri po na vidhet prej 20 vjetësh, ndoshta duke ndërruar vetëm intensitetin. Ai e sheh të domosdoshëm krijimin e një kuadri të plotë ligjor dhe organizmave përkatëse në mbrojte të kësaj pasurie, ndërsa është skeptik për gatishmërinë politike për të bërë që kjo të funksionojë.
Pak ditë më parë, ekspedita nënujore zbuloi relitet e një tjetër anijeje në ujërat shqiptare. Çfarë mesazhi duhet të na japin zbulime të tilla për pasurinë që ekziston e fundosur nën ujë, ende e panjohur?
Ekspedita shqiptaro-amerikane zbuloi një relit antik shumë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për një anije tregtare që duhet t’i përkasë shek. të II-I para Krishtit që transportonte amfora Lamboglia 2. Vendndodhja e këtij reliti përputhet me një nga nyjat më të rëndësishme të rrugëve tregtare dhe ushtarake në detin Mesdhe dhe në më të rëndësishmen në detin Adriatik. Ka disa hipoteza paraprake të cilat kërkojnë të sqarojnë, me këto të dhëna të para, përse ajo anije lundronte në brigjet e Ilirisë. Reliti ka një gjatësi rreth 24 m, një gjerësi rreth 7m, si dhe një numër të konsiderueshëm amforash, të cilat e klasifikojnë atë në një anije transporti me tonazh të madh për kohën. Unë mendoj që është e rëndësishme që në të ardhmen të përcaktohet lloji i ngarkesës së anijes, nëse transportonte verë apo vaj? Në një nga hipotezat e punës supozohet që ajo mund të ketë transportuar verë dhe drejtimi i saj të përputhet me vektorin tregtar që kishte si pikënisjeje brigjet e Ilirisë së Veriut (të spikatura për prodhimin e verës) me destinacion jugun e Italisë së Jugut, Sardenjën ose brigjet jugore të Francës së sotme.
Megjithatë, mundet që të ketë qenë edhe e kundërta, që anija të vinte nga brigjet Pugliese me destinacion brigjet Ilire. Kjo hipotezë përputhet edhe me zbulimet e mia në bregdetin e Durrësit, më hollësisht me dy relite të tjera të kësaj periudhe, që transportonin edhe këto Lamboglia 2 dhe që dinamika e mbytjes së tyre përcaktonte që drejtimi i lundrimit të tyre ishte nga jugu në drejtim të veriut. E lexuar në një kontest politiko-ushtarak, kjo gjetje përputhet edhe me orientimin tashmë të afirmuar hegjemonist të Senatit romak drejt gadishullit të Ballkanit. Mendoj që gërmimi i këtij reliti do të sjellë fakte të reja historike, si dhe do të sqarojë akoma më mirë nëse kjo gjeopolitikë në detin Adriatik solli dobësimin apo forcimin e këtyre rrugëve tregtare. Krahas këtij zbulimi të rëndësishëm, këtë sezon ne kemi zbuluar edhe disa zona ankorimi të anijeve në periudha të ndryshme kohore, kemi zbuluar dy spiranca, njëra e periudhës arkaike dhe tjetra, shumë e rrallë në Mesdhe, i përket shek të IV para Krishtit, kemi skanuar gjithë zonën e veriut të Karaburunit dhe të Gjirit të Vlorës, si dhe kemi bërë disa studime në jugun e bregdetit të Ksamilit me skanime anësore. Të gjitha këto zbulime, së bashku me ato të viteve të kaluara, dëshmojnë trashëgiminë e madhe kulturore nënujore të bregdetit tonë, janë pjesë e ADN-së sonë dhe tregojnë se europianë nuk na bëjnë të tjerët. Ne jemi dhe kemi qenë të tillë me historinë tonë qëkur Europa antike ishte pak më mesdhetare.
Sa rrezikojnë relite të tilla në një kohë kur nuk ka asnjë kuadër ligjor që të rregullojë ruajtjen e tyre?
S’jam dakord që nuk ka asnjë kuadër ligjor. Unë di që Shqipëria ka aderuar në konventën UNESCO të Parisit 2001 për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore. Gjithashtu, Forca Detare, më saktë Roja Bregdetare, si dhe Policia Kufitare kanë një kuadër të vogël ligjor për mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Nisur edhe nga eksperienca e vendeve më të zhvilluara se ne si: Franca, Spanja, Italia, Greqia, Izraeli, Turqia, Malta etj., të cilat kanë një kuadër të zhvilluar ligjor, si dhe kanë operative shumë organizma mbrojtës të kësaj trashëgimie, relite të kësaj kategorie janë gjithmonë të rrezikuar nga arkeomafia. Problemi më i madh te ne është mungesa qoftë edhe i një organizmi të vetëm shkencor apo dhe i tutelës. Nisur nga situata shqiptare, unë jam vërtet shumë i preokupuar.
Duket se mungesa e një ligji për arkeologjinë nënujore ka sjellë shumë probleme në funksionimin e këtij sektori. A është koha për një kuadër ligjor specifik?
Gjithmonë është koha për një kuadër ligjor të mirë e funksional dhe kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë. Mbas vitit 1990 ne kishim një shans të madh të adoptonim ndoshta një nga ligjet më të mira të kohës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore. Të mos harrojmë që gjatë periudhës së regjimit komunist, një pjesë e mirë e bregdetit ishte e konsideruar zonë kufitare, nuk kishim të zhvilluara sportet e ujit dhe mbi të gjitha nuk ekzistonte një kërkesë-ofertë, pra trafik i kësaj trashëgimie të paprekur. Gjithashtu, në formulimin e këtij ligji ne duhet të merrnim në konsideratë edhe gabimet që ishin bërë në vendet e tjera mesdhetare, për të mos i përsëritur. Koha tregoi që ne, ashtu si dhe në shumë sektorë të tjerë, e humbëm atë tren me dëme të pariparueshme për këtë trashëgimi që po flasim.
Ku çalon sipas jush ndërmarrja e një iniciative të tillë?
Klasa politike ka përgjegjësinë kryesore. Kjo pa dallim krahu apo ngjyre, pasi është një lëmsh i përbashkët i gatuar në këta 20 vjet. Kanë përgjegjësi Ministria e Arsimit për kërkimin shkencor dhe ajo e Kulturës për tutelën, pasi kështu i kanë ndarë vetë gjërat. Një iniciativë e tillë pengohet tërësisht nga injoranca e burive të partive dhe e individëve mediokër. Në këta 20 vjet kush ka bërë reforma, ka pasur probleme të mëdha me konceptin e institucioneve apo organizmave të pavarur në këtë fushë, si dhe kanë dashur të kontrollojnë gjithçka për interesa individuale apo për të huajt dhe kështu kanë pilotuar gjithçka në funksion të këtyre interesave dhe jo në funksion të kërkimit shkencor apo mbrojtjes së kësaj trashëgimie. Shikoni të paktën modelin italian apo atë spanjoll dhe e kuptoni sa të thjeshta janë gjërat.
Nëse do të ishte e mundur, do të ndërhynit për një studim më të hollësishëm të këtyre reliteve?
Sigurisht që si arkeolog dëshiroj të ndërhyj për një studim më të hollësishëm, por një gjë e tillë kërkon edhe kushte të veçanta, ku ndër më të rëndësishmet është një laborator i specializuar për trajtimin e materialeve arkeologjike që do të nxirren nga nënuji gjatë gërmimit arkeologjik. Kjo mendoj se është edhe pengesa kryesore, por jo e vetmja. Të flasësh më shumë më duket e tepërt.
Arkeologjia nënujore në Durrës është dëmtuar shumë herë nga zhytësit amatorë. A ekziston një rrezik i tillë edhe për zona të tjera arkeologjike?
Unë asnjëherë s’kam folur vetëm për Durrësin, por për gjithë bregdetin. Këto vjedhje vazhdojnë përgjatë këtyre 20 viteve, ndryshon vetëm intensiteti dhe kaq.
Ndërkohë që zbulimet kanë jehonë edhe ndërkombëtare, janë të padisponueshme për publikun. Do të ishin muzetë apo ekspeditat e kontrolluara në shërbim të turizmit në këtë rast?
E kam theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e të paktën një muzeu për trashëgiminë kulturore nënujore dhe si më të përshtatshmin kemi propozuar së bashku me kolegë të huaj Kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo. Është një vend ideal ku mund të ekspozohet si brenda mureve të kalasë e përreth, por mund të zhvillosh edhe forma të reja ekspozimi nën ujë për grup turistësh të veçantë. Ne fare mirë mund të jemi një nga vendet promotore të formimit të figurave të reja profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore nënujore, si në atë të kërkimit shkencor, edhe në atë të tutelës, e jo vetëm për vendin tonë, por edhe në nivel Ballkani e më gjerë. Shikoni universitetet tona, sa e kryejnë ato një mision të tillë? Kjo besoj është temë më vete.
A do të vazhdojë ende misioni i “Herkules” në të ardhmen dhe ku do të jetë e përqendruar puna?
Megjithëse kanë kaluar 5 vjet, mendoj që jemi akoma në fillimet e kësaj pune të madhe. Falë këtij bashkëpunimi të çmuar me kolegët amerikanë, vendi ynë radhitet si i vetmi vend në Mesdhe që do të ketë një hartë të detajuar dixhitale, tredimensionale të gjithë trashëgimisë kulturore nënujore të bregdetit, e realizuar me teknologjinë më të avancuar që ekziston sot në botë. Vitin që vjen punën do ta përqendrojmë kryesisht në Gjirin e Vlorës, si dhe do të kryejmë studime dhe teste përgjatë bregdetit Jonian dhe në ujërat e brendshme.