Adrian Anastasi Zbulohet spiranca ilire e shek.IV para Krishtit
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
Një spirancë që daton në shekullin e IV para Krishtit është zbuluar tri ditë më parë në brigjet e Sarandës. Lajmi është bërë i ditur për Gazetën nga Ardian Anastasi, pjesë e ekipit të arkeologëve shqiptaro-amerikan që po punon prej kohësh në jug të vendit. Zbulimi u bë në kuadër të studimeve që ekipi po bën në të gjithë zonën. Sipas Anastasit, spiranca e gjetur në brigjet shqiptare, është ilire dhe i takon marinës së tyre lokale. "Është një zbulim mjaft i veçantë! Pse e them këtë? Sepse është më e hershmja e gjetur në brigjet shqiptare dhe sa i takon tipologjisë ka veçantitë e saj", - sqaron arkeologu për Gazetën. Grupi i studiuesve mendon se ajo i takonte një anijeje pesha e së cilës shkon deri në 10 ton. Spiranca është e punuar në plumb e në dru dhe në arkeologjinë navale tregon kohën kur edhe ndryshoi mënyra e ndërtimit të tyre. "Pikërisht kombinimi i spirancës në dru e në plumb, tregon për kapërcimin e ndërtimeve arkaike në një kohë më të vonë", - shprehet Anastasi. Para tri ditësh u gjet njëra pjesë e spirancës, ndërsa vetëm dje falë kërkimeve të ekipit u zbulua edhe pjesa tjetër e saj. Anatasi e konsideron këtë zbulim të rrallë e të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin, pasi objekte të kësaj natyre janë mjaft të pakta në rajon.
Objekti ilir
Por çfarë i bën arkeologët të besojnë se objekti i gjetur është ilir? Fakti që u gjet në brigjet e Sarandës? Jo vetëm kjo! Anastasi sqaron se teknikat e ndërtimit të anijeve e spirancave në atë kohë në Mesdhe nuk ishin sekrete. "Pak a shumë të gjithë kishin të njëjtën mënyrë të punimit e ndërtimit të tyre, çka do të thotë, se ishin të përhapura në rajon". Ka të dhëna të tjera sipas të cilave ata kanë arritur në përfundimin që ajo është ilire. Një spirancë e një anijeje që konsiderohet e vogël, ndonëse peshonte 10 tonë, mund të jetë vetëm e marinës lokale, pra asaj ilire.
Detajet e konservimi
Ndonëse nuk tregon koordinatat e vendzbulimit, për shkak të frikës së trafikantëve, Anastasi rrëfen detajet e spirancës. "Ajo peshonte rreth 50 kg ndërsa gjatësia e saj shkon nga 1m e 60 cm në 1 m e 70 cm". I pyetur nëse e lanë sërish nën ujë apo e nxorën, arkeologu thotë se ajo u nxor dhe do të trajtohet në mënyrë të veçantë. "Për shkak se ajo është e ndërtuar me plumb, nuk ka rrezik dëmtimi nga kontakti me agjentët atmosferikë. Do t'i nënshtrohet një ndërhyrje të specializuar ku do të mundësohet rikuperimi i saj në Muzeun Arkeologjik të Durrësit", - thotë Anastasi. Sipas tij, vendimi për t'u nxjerrë nga thellësitë u mor për shkak të vlerave të rralla që ajo ka.