15 marsi është një ditë e rëndë edhe për ju, keni humbur vëllanë në shpërthimin që ndodhi në Gërdec. Pak ditë më parë, gjykata e Tiranës dha vendim për të pandehurit, një vendim i cili la të pakënaqur edhe prokurorinë, edhe vetë të pandehurit. Ju si e gjykoni?
Po, 15 marsi është një ditë e rëndë për mua, për familjarët e gjithë viktimave, por dhe për të gjithë shqiptarët. E mendoj çdo ditë, por në përvjetor ndjej një ankth të jashtëzakonshëm: çfarë t’u them prindërve të mi që kanë po ato pyetje dhe paqartësi si të gjithë të tjerët. Po dy djemve të Endrit të shkretë, çfarë t’u them? Duke qenë në majë të piramidës së drejtësisë, një përgjigje të tillë, ata e presin edhe nga unë. Dhe unë vuaj nga pafuqia për pafuqinë që ka vetë sistemi i drejtësisë, i cili, për një mijë e një arsye, nuk ka dhënë drejtësi.
Dhënia e drejtësisë finalizohet me një vendim gjyqësor, por ky hap final, duhet të shoqërohet dhe me bindjen e opinionit publik për vërtetësinë e tij duke i trajtuar të gjithë të barabartë në të drejta dhe përgjegjësi përpara ligjit dhe që ligji, gjen zbatim për të gjithë. Si gjykatës, kam pengesa ligjore për t’u shprehur për vendime gjyqësore të një shkalle më të ulët, por si jurist dhe palë e interesuar në këtë proces, kam rezervat e mia për çfarë ka ndodhur deri më tani, për mënyrën e hetimit, gjykimit dhe plotësinë e tyre. Pa hyrë në detaje, mund t’ju them se kam po ato pyetje që kanë qytetarët dhe që nuk kanë marrë ende përgjigje: përse humbën jetën në atë mënyrë të tmerrshme 26 qytetarë, përse u gjymtuan disa qindra të tjerë, përse u shkatërruar jeta, shëndeti dhe prona e të mbijetuarve, përse kanë mbetur kaq brenga njerëzore të pangushëlluara. Procesi i shkallës së parë nuk më ka bindur dhe nuk është bindur askush për numrin e të pandehurve që u hetuan gjyqësisht dhe raporti që ata kanë pasur me ngjarjen. Disa nga ta ndodheshin kot në kafazin e të pandehurve, disa të tjerë, ndoshta mungonin.
Keni parasysh ish-ministrin e mbrojtjes kur thoni që disa ndoshta mungonin si të pandehur?
Nuk përmend emra. Komentet mund t’i tërhiqni ju vetë. Di që ish-ministri i mbrojtjes u hetua, u morr si i pandehur nga prokuroria, u dërgua për gjykim, por nuk u hetua gjyqësisht për shkak të imunitetit të tij si antar i Kuvendit. Minimalisht, në një vend normal, një funksionar publik, kushtetuetshmërisht përgjegjës për çfarë ndodhi, duhej të tërhiqej nga jeta publike dhe jo më të vazhdojë të qëndrojë në politikë. Ka përgjegjësi ligjore që duhen provuar, por ka dhe përgjegjësi morale që janë tashmë të vërtetuar.
Çështja është e hapur. Edhe për politikanët, edhe për emrat e tjerë që janë përmendur. Jam me shpresë se drejtësia do ta rikonsiderojë këtë çështje.
Duke njohur mirë ligjet, ende nuk arrij të kuptoj pse ka mbetur pezull problemi Mediu dhe pse prokuroria nuk vijon kërkesën për heqjen e imunitetit të tij. Eshtë detyrë e drejtësisë hetimi dhe gjykimi për të nxjerrë të vërtetën sesi dhe sa janë përgjegjës civilë dhe ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, kush e krijoi këtë biznes e kështu me rradhë. E provuar deri më tani është vetëm një gjë: nëse do të kishim një sistem të përgjegjshëm dhe të aftë, ushtrimi i veprimtarisë që çoi në tragjedinë e Gërdecit, as nuk duhej të lejohej që të kryhej. Aq më tepër, mbështetur në vendime qeverie, akte ministri dhe urdhëra komandantësh që i hapën rrugën asaj pune dhe që do të duhej ta mbikqyrnin. Mund të marrë çdo emër ajo gjëmë, por e sigurt është se nëse do të funksiononte shteti, nuk do të ndodhte tragjedia.
Çfarë ndodhi, pra, sipas jush?
26 vetë kanë humbur jetën në një veprimtari të licensuar nga shteti, të mbikqyrur posaçërisht nga shteti – të paktën kështu duhej të ishte – sepse ajo ishte një veprimtari shumë e rrezikshme. Në jurisprudencë ky quhet burim rreziku të shtuar sepse lidhet direkt me sigurinë publike, paprekshmërinë e jetës, shëndetit dhe pronës. Në konceptin ligjor, pranuar deri edhe nga gjykata e Strazburgut, veprimtari të tilla konsiderojnë me përgjegjësi civile objektive solidare, edhe pa faj, si vetë shtetin, ashtu ato subjekte që e ushtrojnë atë lloj veprimtarie ndaj kujtdo që pëson dëme pasurore e jopasurore. Kjo parakupton para së gjithash, edhe që çdo gabim, e kryer në pakujdesi apo si veprimtari e qëllimshme, përbën një akt posaçërisht të dënueshëm rëndë penalisht. T’ju jap një shembull. Dikush mund të marrë një leje legale për të ndërtuar cisterna benzine dhe fishekzjarresh në sheshin Skënderbej. Shpërthejnë cisternat dhe shkaktojnë viktima dhe dëme. Drejtësia në këtë rast, jo vetëm duhet të merret me të licensuarin, por para së gjithash, duhet të merret me atë që lejoi veprimtarinë dhe që duhej ta mbikqyrte.
Gërdeci u licensua nga qeveria, e cila i hapi rrugë procesit që u shndërrua në tragjedi. A nuk është e pafajshme qeveria sa kohë nuk ka fajësi kolektive.
Po, është e vërtetë. Nuk ka përgjegjësi kolektive përpara ligjit. Por, Kushtetuta dhe ligjet përcaktojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë dhe çdo antari të kabinetit në fushën që mbulon. Ligjet përcaktojnë dhe detyrat e përgjegjësitë e secilit. Më tej ligji cakton përgjegjësitë për funksionarët e tjerë më të ulët. Kaq mjafton sipas meje, që secili të njohë dhe mbajë përgjegjësitë ligjore, politike dhe morale. Nuk jam prokuror, por gjykoj se dikush duhej të mbajë përgjegjësi edhe ligjore për atë tragjedi. Askush nuk e beson se ishte thjesht dhe vetëm aventurë e marrëzi biznesmenësh, të cilët, edhe mund të kishin humbur jetën nëse do të ndodheshin në momentin e shpërthimit në Gërdec.
Ishit relator i procesit të Ilir Metës, si gjykoni sot mbi vendimin tuaj të djeshëm?
Nuk kam dhe nuk do të kem asnjë mëdyshje mbi çfarë kam shkruar dhe votuar në vendim. Kam vënë re, se edhe media dhe opinioni publik, në shumë raste, nuk e kanë lexuar me vëmendje vendimin ose e kanë paragjykuar, gjë që nuk mund ta them për komunitetin e juristëve. Vendimi është një shenjë e shkruar që mbetet. Në të gjitha rrethanat do të jepja të njëjtin vendim me ato prova që mbetën për t’u shqyrtuar në përfundim të hetimit gjyqësor. Njëlloj do të vendosja edhe nëse subjekti i hetuar gjyqësisht do të ishte i pasur apo i varfër, i pushtetshëm apo i papunë. Kushtetuta dhe konventa evropiane e të drejtave të njeriut, imponojnë që dyshimet në një proces penal, shkojnë gjithmonë në favor të të pandehurit.
Pak ditë më parë jeni sulmuar ashpër në media nga avokati i zotit Meta, Spartak Braho. Cila është përgjigja jote për të?
Si jurist, do ta kalojë në heshtje. Do të flisja nëse do të ishte një debat profesional, por edhe pse balta ishte “private”, do të merresha më shumë me fenomenin. . Nuk do të flas për etiketimet personale dhe të pahijshme që më ka bërë. Nga unë nuk do të dëgjoni konsiderata personale për juristin Braho, por për çantën e tij të zezë që ai e mban me vete, nuk do të hesht. Besoj se ajo çantë ku pretendohet se ndryhen sekrete me vlerën e provave për vepra penale, është një rast i nxitur nga e shkuara e tij. Vetëm në diktatura, dosjet dhe çantat e zeza ishin normale, ato u rregullonin jetën atyre që i mbanin dhe jua shkatërronin shumicës tjetër. Si jurist ju them se ligji penal shqiptar kërkon ndjekje penale të detyrueshme menjëherë sapo vihet në dijeni për prova për një krim të caktuar dhe për fakte penale. Ndryshe, ato do të ishin arkiva okulte për interesa okulte. Askush përveç shtetit nuk ka të drejtë të vëzhgojë dhe gjykojë jetën private të tjetrit duke i dhënë vetes mundësinë që t’i bëjë karshillëk institucioneve të vendit dhe inteligjencës së qytetarëve dhe për t’i përdorur ato për interesa personale dhe të atyre që ka rrotull.