Adrian Gaxha Po perseritet marrveshja e Ohrit

Adrian Gaxha: Po përsëritet marrveshja e Ohrit
Në disa prej mediave maqedonase e kosovare dje janë botuar prononcimet e këngëtarit Adrian Gaxha, i cili ka thënë se "kjo është një mrekulli" dhe se "po përsëritet Marreveshja e Ohrit në botën e muzikës". Këngëtari shqiptar nuk e ka fshehur entuziazmin ndërsa ka deklaruar se "për herë të parë në Festivalin Evropian, Maqedonia dërgon edhe një shqiptar.

Kështu, duket se po ndodh në art e njëjta gjë si në Marrëveshjen e Ohrit. Është një hap i mirë dhe i sigurt, që tregon se maqedonasit tani po e kuptojnë se edhe ne shqiptarët këtu, jemi pjesë e këtij shteti. Dhe besoj se me kontributin tim maksimal do të kem mbështetje të plotë edhe nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora. Kjo do t'i bindë edhe maqedonasit se nga shqiptarët kanë vetëm dobi", ka thënë këngëtari Gaxha.

Në "Eurovizion 2008", edicion i cili do të mbahet në datat 20, 22 dhe 24 maj në Beograd, Maqedonia do te dërgoi kompozimin me titull "Ne emër të dashurisë", interpretuar nga Adrian Gaxha dhe Tamara e Rade Vercanovski - Vercak. Kjo këngë është kompozuar dhe orkestruar nga Rade Vercakovski - Vercak dhe në Beograd do të këndohet anglisht.

Ajo që e ka shqetësuar dhe vijon ta shqetësojë këngëtarin shqiptar është fakti se ndjen keqardhje për kritikat që ka marrë herë pas here nga opinioni shqiptar, kjo për rastet kur ai ka kënduar maqedonisht. Pa e fshehur keqardhjen për këtë rast Gaxha pohoi se pikërisht këto kritika janë gjëja qe e ka befasuar më shumë gjatë karrierës së tij. Por siç shpjegon vetë këngëtari, kjo s'ka aspak lidhje me kombëtarizmat, por është thjeshtë çështje menaxheriale.

"Jam i kënaqur se shumica e atyre që me kritikonin pse këndoj edhe ne gjuhën maqedonase, tani e kanë kuptuar politikën menaxhuese të babait tim, Emin Gaxha, të cilin e kam edhe menaxher", ka thënë Gaxha, duke shtuar se ndihet mirë që e kanë kuptuar këtë fakt dhe se nuk ka asgjë te keqe nga muzika e kënduar edhe në një gjuhe tjetër. Sipas këngëtarit kjo tregon kulturën e lartë të popullit shqiptar, i cili i respekton të gjithë dhe jep dashuri, sepse muzika është dashuri e paqe për të gjithë". Tashmë këngëtari po planifikon të gjithë detajet e kohës përgatitore, koncertet promovuese, prezantimin e këngës dhe përformancës së tij nëpër radiot e televizionet e vendeve europiane, si dhe gjithçka që lidhet me konkurimin më 20 maj në Beograd.

Marre nga : Gazeta Shqiptare

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama