"Në emër të dashurisë" titullohet kënga me të cilën Adriani, Tamara dhe Vërçak pritet të udhëtojnë për në festivalin e Evrovizionit, që do të mbahet më 20, 22 dhe 24 maj në Beograd. Do të jenë dy shqiptarë këtë vit në konkurrim në evenimentin e madh të muzikës. Në adresë të Gaxhës tashmë kanë filluar të vijnë urime edhe nga kolegët e tij nga Kosova. Ndonëse këngëtarja Jehona Sopi nuk e ka dëgjuar këngën fituese ajo është e gëzuar që Gaxha do të jetë ai që do të përfaqësojë Maqedoninë. Në garë të fortë për të shkuar në këngën e Eurovizionit ka qenë edhe kënga e Altuna Sejdiut e njohur si Tuna. "Dëgjova që fitoi Gaxha dhe më erdhi shumë mirë. Nuk e kam dëgjuar dhe as nuk e dija që do të merrte pjesë, por të them të drejtën u gëzova që Maqedoninë do ta përfaqësojë një shqiptar", - ka thënë Jehona Sopi, e cila i uron atij që të ketë një paraqitje sa ma të mirë.
Ndërsa këngëtarja Eliza Hoxha ka reaguar duke thënë: "Uu.. Adriani paska fituar! Hajde për hajër!" "E uroj zemërgjerësinë e popullit maqedonas, që ka zgjedhur një shqiptar për të prezantuar shtetin e tyre në Serbi! Është një shikim pak më ndryshe i kulturës në rajonin e Maqedonisë që tregon se në art dhe në kulturë nuk duhet parë shumë përkatësia etnike", ka theksuar Hoxha. Eliza mendon se Gaxha ka një paraqitje të mirë para kamerës dhe pret ta shikojë edhe duke interpretuar. "Për performancë ia jap dorën sepse është top, por shpresoj që edhe në interpretim do të jetë ashtu", - tha ajo. Por ndryshe nga Eliza, Gili është më "patriote" në deklarimet e saj. A këndon në gjuhën shqipe? Kjo ishte pyetja që e bëri Gili në fillim. "Do të isha e lumtur po qe se kënga do të interpretohej në gjuhën shqipe.
Por meqenëse kënga nuk interpretohet në gjuhën shqipe, nuk më duket ndonjë risi që këngëtari të marrë pjesë në një garë të tillë", - ka thënë Gili. Ajo kujton se në kohën e saj kusht për konkurrim në Evrovizion, ishe që të këndoje në gjuhën serbe dhe se këngëtarët nga Kosova kurrë nuk e kanë pranuar duke insistuar që ata duhet të jenë të barabartë dhe secili të këndojë në gjuhën e tij. "Nuk është prezantim i plotë po qe se kolegu im prezantohet në gjuhën maqedonase. E mira e së mirës ishte që Maqedonia ta pranonte Adrian Gaxhën si këngëtar i popullit shqiptar që të shkojë me gjuhën e tij amtare", - tha Gili. Nga ajo që dëgjohet në televizione, duket se kënga e Gaxhës dhe dy këngëtarëve të tjerë nuk ka shumë ritëm dhe zëri i tyre nuk duket aq kualitativ. Ndërsa komentet e para në "You tube" rreth kësaj kënge nuk janë aspak të mira. Maqedoninë në "Eurovizion" deri tani e kanë përfaqësuar Vllado Janevski, Grupi XL, Karolina Goçeva, Toshe Proeski, Martin Vuçiq dhe Elena Ristevska.
Marre nga : BalkanWeb.com