Trupat paqeruajtëse shqiptare që ndodhet në Afganistan kanë qenë në shënjestër të një sulmi kamikaz. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima, ndërsa të plagosur kanë mbetur dy ushtarë amerikanë që ndodheshin në autokolonë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes, e cila bën me dije se, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Komanda e Forcës Tokësore është vënë në dijeni të një ngjarje të ndodhur me misionin e “Eagle-8”.
“Ngjarja ka ndodhur në orën 16:20 sipas orës lokale të Spin Boldak, Kandahar. Një autokolonë me tre automjete, në të cilat ndodheshin personel amerikan dhe shqiptar, ka qenë duke kryer patrullim rutinor në Wesh Border, në kufi me Afganistanin. Në kthim, autokolonës i ka dalë përpara një automjet kamikaz, i cila ka shpërthyer. Si rezultat i kësaj përplasje ka pësuar dëmtime automjeti i parë, i cili ka qenë në gjendje të manovrojë, brenda të cilit ndodheshin trupa amerikane. Ndërsa dy automjetet e tjera të autokolonës, ku ndodheshin edhe pjesëtarë të “Eagle-8”, nuk kanë pësuar goditje fizike”, thuhet njoftim.