Ndoshta, s’do të përbënte ndonjë lajm më të shumë në morinë e përditshme të kaosit tonë, por afresket e këndshme të kishës së Dervenit nuk do të jenë më. Pikturat e shekullit të XIV, që sipas specialistëve, ishin mostra cilësore të simotrave më të mira bizantine provinciale të rajonit. Koha? Indiferenca? Pazotësia? Të gjitha bashkë mundësuan lënien në mëshirë të fatit dhe shkatërrimin e kësaj mrekullie. Sot, njerëzit e monumenteve, që e lanë para syve këtë bjerrje të pakthyeshme (ndodhur pak muaj më parë), duhet të kenë kurajën të vendosin gishtin në plagë dhe t’i rregullojnë gabimet që të mos përsëriten më. E të mendosh: është vetëm pak kilometra larg kryeqytetit?!!
Bëjmë pak kilometra jo shumë larg Fushë Krujës dhe në morinë e makinave që gati fshikin njëra-tjetrën si pikë plumbi, mu në të majtë të udhës që të çon drejt Shkodrës, i kthehemi një rrugëze të gjatë që rigëzon tutje në fushë. Zamir Marika, restauratori i kishëzës së Dervenit, më duket se “ngatërrohet” pak. Ka kohë që na tregon për kishëzën, dëmi ndaj të cilës është katastrofal. Harrohet. “Harron” dhe rrugën. Për kishëzën ka apeluar kudo. Në fakt, e ka filluar apelin me median, ka shkuar te FIKS FARE, e prej vitesh apelon, por më kot. Kisha u gërmua. Monumentet nuk e konservuan në kohë. U shty. U shty. Dhe, sot, afresket e saj nuk ekzistojnë më, përveç disa fragmentinave, që të duhet kujdes t’i identifikosh. Tregon në mënyrë monotone dhe shpesh bisedën e mikson me gjëra të tjera. Që do të thotë probleme të tjera dhe monumente të tjera janë gati drejt rrënimit.
...
E vetmja shpresë që ka mbetur tanimë, për shumë nga njerëzit e monumenteve është strukturimi i ri dhe ajo që do të rrjedhë në ditët në vazhdim. Këtë kujtoj nga debatet e vazhdueshme të monumenteve, ku njerëz të ndryshëm vetëm debatojnë e debatojnë pa fund. Anipse këtu jemi në një zonë tipike katolike, që me autoritetin kishtar, duke filluar nga shek. X, i takonte Dioqezës së Krujës. Këtu heshtet dhe vërtet është qetësi. Ata, që se njohin zonën, mund t’u themi se gjendemi pranë vargut kodrinor Kepi i Rodonit-Vorë-Erzen, ku përrenjtë e shumtë të zonës që nga Lana, Tirana, Tërkuza, Zeza e Droja, krijojnë të futura ose luginëza ngushtore, që kur dalin në fushë me aluvionet e shumta mbathin gjithçka që gjejnë përpara.
...
Kështu do e ketë pësuar dhe kishëza, më vjen ndërmend. Të dy i kemi sytë përpara dhe vetëm në këtë moment, rruga bëhet më e qartë. “Kam ardhur me të tjerë zakonisht, ja pse jam pak kështu”, më thotë Zamiri i përhumbur. Është marrë me afresket e Dervenit, por ato tashmë i kanë mbetur kohës. Gjithsesi, me pak mëdyshje,e gjen rrugën shpejt. Në përfytyrimin tim, kisha duhet të ishte larg, ndoshta zhytur në hapësirën e kësaj fushe të paanë. Kurse ajo shfaqet befas. Pranë një kishë të madhe katolike, pak si e tipit barok. Po tani? Kemi dhe shumë? “Jo aty jemi”...
Kishëza
Ngrehina e madhe kishtare, që pak më vonë do shohim se e mbyt kishëzën tonë (bashkë me ferrat, e tashmë edhe me një çati të çapëlyer), më duket e huaj për këtë vend, ku pak më tutje një rrugë e gjatë zhavorri bigëzon veri lindje. Më duket pak si e stisur e gjitha. Kemi dhe shumë? “Jo pra. Edhe pak fare, por kisha është aty...”. Aty, do të thotë, që je pranë kishës. Nuk ka pamje më zhgënjyese. Një kolibe nga larg, që shtrihet në këmbët e kishës së madhe të re të Dervenit, krejt e braktisur dhe ajo.
Zamiri është shumë i pasionuar, por mes kolegëve gazetarë, do mbahet mënd për punët e tij shumë cilësore si fotograf artistik dhe apelet për monumentet. E shikoj në terren, tani, pas shuam vitesh. Me vite i ka filluar pasioni dhe për studimin e afreskeve. Jemi pra në Derven dhe një i ri, që nget shpejt një skuter në rrugën e kishës, na hedh një vështrim inatçor. Hapim rrethimin dhe kisha për të cilën më ka folur, ajo, pra kisha e Dervenit, shfaqet e gjitha përpara. Gati e panjohur për të tjerët, por për të dhe pak njerëz që kanë punuar, është një objekt i vërtetë krenarie. Ishte në fakt. Nga çfarë kam lexuar di se fshatarët nuk e dinin fare se kjo ekzistonte, madje kisha e fundit e ndërtuar aty (e shkatërruar në 1967) ishte ngritur mbi muret e ndërtimit origjinal . Por, paradoksi nuk mbaron këtu. Gjatë hapjes së kanalit, drenazhi ishte prishur, por gjithsesi, kjo pjesë muri nuk ishte se ishte bërë shtysë për kërkime të mëtejshme nga punëtorët. Siç ka ndodhur rëndom tek ne.
Pasi u hap nga arkeologjia, kisha e Shën Gjon Pagëzorit, kështu identifikohet, në fshatin Derven u rizbulua gjatë punimeve për ndërtimin e kishës së madhe. E mbuluar krejt prej aluvioneve të lumit të Gjoles, ajo s’përbënte asgjë, madje dhe deri para dhjetëra vite më parë kur punëtorët hasën muret e saj. Ngadalësojmë pak dhe afrohemi duke shmangur pak shkurrishtet. Në kohë shiu, këtu përmbytet gjithçka, por në kohë të këqija këtu ka qenë pishinë, më thotë Zamiri. Futemi në nef dhe fotografojmë. Aparati im nuk mund të përthithë shumë. Zamiri bën atë që ka bërë gjithnjë. Shikon. Prek me kujdes. Fotografon. Por, ka mbetur shumë pak. Më tregon fotot e pas gërmimeve dhe katastrofën dhe fatin që pësoi objekti pas neglizhencës së monumenteve.
Si ishte
E gjithë puna ka filluar më 26 dhjetor 2006, kur arkeologjia gjeti të dhënat fillestare për këtë monument të vjetër. U identifikua ndërtimi, fillimisht i ndërtuar me tulla, kurse në një fazë të vonë, ajo u identifikua se ishte plotësuar me mure të ndërtuar me gurësh shtuforë. Përmasat e kishëzës 5.50x4.50, drejtohen në një absidë gjysmë rrethore, që sot është më e dukshme. Fushata 21 ditore e gërmimeve rifilloi në 6 shkurt 2007 me synimin për të zbuluar monumentin dhe sqarimin e fazave të ndryshme të përdorimit të tij. Në fakt, identifikimi i pikturave pati versione interesante. Një studiues grek Joanis Vitaliotis në një referim të tij për pikturën murale në Shqipëri të shekullit XIV-XVI do shkruante se piktura murale e Dervenit përbënte një mostër mjaft të mirë të pikturave simotra bizantine provinciale. Ai do e shikonte këtë si një referencë të këndshme mes Bizantit dhe Perëndimit dhe si pikturë gati të ngjashme me ato të identifikuara të kishës së Shën Gregorit (1364/5) dhe të kishës së Shën Klementit Perivleptos në Ohër. Të pikturuara në shekullin e XIV, pikturat e Dervenit, shprehnin ende ato kërkesa të larta që kishte kleri dhe bujaria arbërore për objektet e veta të religjionit. Specialisti grek mendonte edhe se piktori kish të ngjarë të kish ardhur nga rajoni i Ohrit, ku në shekujt e XIV dhe XV piktura kishtare e tillë vazhdonte të ishte shumë e begatë. Në rastin tonë, Zamiri më tregon se një afresk ka qenë ruajtur në murin lindor dhe verior të kishës së rrënuar. Kurse, identifikimi pas arkeologjisë filloi të hidhte hipotezat interesante për një variant të Deisis, përshkruar në absidën në formën gjysmë-cilindrike. Por, studiuesi grek, në identifikimet e tij do të shkonte dhe më larg: ai do të identifikonte Shën Pjetrin dhe Shën Palin dhe bëri dhe një lidhje interesante hipotetike, se ky konfiguracion kish të ngjarë që të lidhej me Andrea Muzakën II (1335-1372), i cili, sipas traditës u varros në kishën pranë Kepit të Rodonit, jo shumë larg nga Derveni.
Shkatërrimi
Lajmi i zbulimit flitej me shumë patos në mjediset e monumenteve, por që u sfumua shumë shpejt. Koha, indiferenca dhe lënia pas dore e bëri të vetën. Afresku filloi të shkatërrohej. E kam të vështirë të kuptoj nëse është hequr apo dëmtuar. Kultura ime s’më lejon të penetroj më shumë. Në fakt, çatia e kishës u ndërtua pas shkatërrimit të afreskut për t’u shkatërruar njësoj edhe ajo. Në ditët që vijuan, ajo iu la kushteve atmosferike dhe në një foto të vjetër, kishën e shikoj që noton në ujë. Gabimi, sot, ka mbetur jetim. E ka arkeologjia? Arkeologjia e hapi pa llogaritur dot mundësinë që një objekt i tillë do kishte për t’u konservuar. Apo pazotësia e monumenteve për ta mbajtur dhe trajtuar? Zamiri më shpjegon vendet e afreskeve. Dhe, ai e ka të vështirë të identifikojë se ku kanë qenë në mënyrë të precizuar. Për mua, asgjë nuk ia vlen më, pasi ky monument sot mund të quhet thjesht si i pavlerë. Në fakt, dëmtimi dukej se kish kohë që ish nisur...
Ç’mund të bëhej? “Çfarë nuk bëra! Ku nuk trokita. Kujt nuk i thashë nga monumentet, por askush nuk ma vari!”. Skënder Muça, që drejtoi punimet, iu drejtua direkt drejtorit të monumenteve Apollon Baçe. Dhe? Asgjë. “Iu drejtova FIKS FARE. Kam paditur. Kam dalë me imazh e gjithçka”, vazhdon Zamiri. E pastaj, më vjen sakaq në mëndje.
Atëherë kur u zbulua
Në dokumentin e gërmimeve është interesant përshkrimi. Sikur të ishte bërë tani, a do mund vallë ta ruanim? Ja çfarë shkruhet: Në fazën e parë të përdorimit të kishës muret kanë qenë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere të bardhë mbi të cilën duken edhe gjurmë ngjyre të kuqe dhe okër pa mundur të dallojmë në të ndonjë motiv. Në një fazë të dytë pjesa lindore e kishës është veshur me afresk ku janë vendosur tre piktura, njëra në absidë dhe dy të tjerat në veri dhe në jug të saj. Piktura e absidës dhe ajo e faqes në jug të saj ruhen në pjesën më të madhe të tyre, kurse piktura në faqen veriore u gjetë tepër e dëmtuar dhe ka krijuar vështirësi për identifikimin e personazheve të pikturuar. Në absidë, skena ka në qendër figurën e Krishtit, kurse në të djathtë dhe në të majtë të tij të drejtuar drejt tij dhe në lëvizje janë paraqitur Shën Pjetri dhe Shën Pali. Në skenën në jug me përmasa të mëdha janë pikturuar Shën Mëria dhe Shën Gjon Pagëzori. Në të dy këto skena mungojnë portretet.
Në nishen e krijuar në derën e murosur është vendosur një suva mbi të cilën sapo ka filluar të zbulohet piktura me skenën e lajmërimit: Shën Mëria me një libër në dorë dhe ëngjëlli Gabriel. Si pikturat në faqen lindore dhe ajo në nishe shquhen për cilësi të lartë vizatimi dhe ngjyrat e përdorura. Pikturat i takojnë dy fazave të ndryshme, më e hershme është ajo e faqes lindore. Në stadin aktual të shqyrtimit të saj si datë më të mundëshme të pikturimit saj do të propozonim shek. XIV, kurse ajo e nishes ngjashmëri ka me pikturat e fazës së dytë të kishës së Balldrenit, që sipas restauratorit të saj Z. Marika, i takojnë shek. XIV-XV.
...
Po pse e hapën atëherë? A s’është mirë të mos hapet asgjë, kur nuk konservon dot, i them Zamirit. Nuk më përgjigjet. Ai do të punojë, jo të fshehë. Pak më parë, më ka thënë se po denoncon sërish në Portalin e Ministrisë së Kulturës.... Largohemi. Bëjmë dhe disa foto anash, kurse kisha e Shën Gjon Pagëzorit, ky monument me vlera të veçanta të arkitektonike dhe artistike, tani është thjesht një kujtim, prej ngrehinës. Pak orë më vonë do t’ua shpjegoj me imtësi njerëzve të monumenteve. Do të ketë ndryshime, më thonë. Shpresoj dhe dua vërtet që të ndryshojnë, por kjo kishë dhe shumë të tjera si kjo, nuk janë më për Trashëgiminë...Kjo më dhëmb. Deri ku do të shkojë... Zamiri ka heshtur. E di dhe vetë se reagimi s’është më i mundur. Ka vajtur deri në kockë, kujtoj fjalët e një njeriu të vjetër. Këtë kujtoj teksa kthehemi dhe kemi mbetur në trafikun palogjik të Tiranës. Vjeshtë e vitit 2013.