Para pak muajsh morët titullin "Mjeshtër i Madh", një nderim për punën tuaj. Si jeni ndjerë?
Titullin e mora para gjashtë muajsh. E kam pritur me shumë gëzim dhe ka qenë një surprizë, për faktin se unë isha larguar nga Shqipëria prej 16 vitesh dhe natyrisht që kur je i larguar nga atdheu yt ke gjithnjë frikën se dhe mund të harrohesh. Edhe pse kam ardhur shpeshherë, duke pasur kontakt me Shqipërinë në çdo moment. Ishte një titull që më nderoi dhe më ktheu në lavdinë e mëparshme.
Si vendosi një kompozitor i madh si ju të largohej për në Amerikë?
Në atë kohë, në Shqipëri fukarallëku ishte kthyer në një plagë për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për intelektualët. Duke qenë se unë i kisha kaluar shumë herë kufijtë shqiptarë me turnetë që bënim jashtë me ansamblin, duke prekur të katër kontinentet e njihja mirë jetën jashtë. Sigurisht që para ‘90-ës nuk kisha menduar ndonjëherë të arratisesha, për shkak të frikës nga persekutimi ndaj familjes, por me ardhjen e demokracisë m‘u krijuan kushtet për t‘u larguar. M‘u dha mundësia të shkoja fillimisht në Australi, më pas të shkoja në Amerikë dhe të punësohesha në një lokal me pronarë shqiptarë si instrumentist.
Si iu duk juve ndryshimi i punës nga një kompozitor në një punë më të thjeshtë?
Punë e thjeshtë ishte, por ishte derivat i profesionit tim. Unë kompozitor u bëra nga fizarmonika. Edhe ushtar kur isha, falë atij instrumenti më mbajtën me hatër dhe më lanë t‘i bija vetëm fizarmonikës dhe të përgatisja shfaqjet e ushtarëve. Më pas punova një vit në Ansamblin e Ushtrisë dhe në Radiotelevizion. Atje mora pjesë në festivalin e parë, ku shkrova "Lemzën" etj. dhe vazhdoi gjithë karriera ime. Unë, me të vërtetë mbarova shkollën për kompozitor, por puna e përditshme ishte fizarmonika. Ndaj, në Amerikë nuk e ndërrova zanatin, por pata fatin të çaja në këtë fushë ku kishte vështirësi të mëdha. Atje nuk bëhej muzikë e mirëfilltë, sepse pronarët e lokaleve donin jo muzikën e vërtetë shqiptare, por muzikë tallava. Ata shpesh ishin nga Mali i Zi apo nga Maqedonia dhe njihnin si muzikë shqipe vetëm atë lloj rryme. Me shumë përpjekje arritëm të formonim një grup të mirë me Parashqevi Simakun dhe Morena Rekën. Por dhe ky pati një periudhë të caktuar. Më pas iu ktheva punës në restorante amerikane, duke interpretuar këngë italiane dhe detyrimisht muzikë amerikane filmash, këngëtarësh dhe xhaz akordjon. Veçanërisht këngët e Domeniko Modunjos, që ishin të preferuara në ato lokale. Në restorantet e Nju-Jorkut kam punuar rreth 12 vjet, duke perfeksionuar më shumë repertorin dhe me muzikë kontemporane.
Më thoni pak si u ndjetë ditën që u larguat nga Shqipëria?
Ditën që u largova nga Shqipëria nuk ika me emocione, sepse ishte thjesht një kontratë e përkohshme për të fituar disa para në Nju- Jork. Më ofrohej një sasi e madhe parash për një kohë të shkurtër dhe vendosa ta provoja. Isha në Amerikë, bashkë me tim bir që më ndihmonte, duke i rënë pianos dhe baterisë. Tim biri iu desh që të kthehej më shpejt se vazhdonte konservatorin, në vitin e parë. Ka qenë dhjetori i vitit 1991, kur më mori në telefon, një javë pasi ishte kthyer në atdhe, duke më treguar për kaosin që ishte krijuar në vend dhe turbullirat e mëdha që po ndodhnin në Shqipëri. Më thotë se po të rrija në Amerikë do u hapja një dritë jeshile. Me anë të një miku kosovar arrita të gjeja një strehë për familjen time dhe më pas mundësinë për t‘i tërhequr. Në emigracion shkova 52 vjeç. Më pyeti ime shoqe për emocionet dhe i thashë kur mbërriti se unë, Agim Krajkën e kam lënë në Shqipëri. Në Amerikë shkova dhe punova me një disiplinë të hekurt, sepse atje punohet ndryshe nga Shqipëria. Thonë shqiptarët që punojnë, por gjatë ditës i pinë nëpër kafene 3 gota me fërnet, kurse në Amerikë ka vetëm punë. Në Amerikë kam punuar gjithë këto vite vetëm për t‘i siguruar të ardhmen dy djemve të mi. Ata i shkollova dhe i bëra të zotët e vetes. Nuk fitova asnjë dollar, por nuk mbeta borxh asnjë dollar.
Pse zgjodhët të bëheshit kompozitor?
Ka qenë diçka e rastësishme. Unë i bija fizarmonikës në një lulishte në Tiranë dhe në vitin 1961, kur në Shqipëri hyri një farë liberalizmi, një shef kulture në Komitetin Ekzekutiv, Skënder Gina, më thotë se duhet të hyja në konservator se kisha shumë talent. Unë i thashë se nuk doja, sepse kisha 6 motra në shtëpi, por ai më thotë se isha djalë i talentuar dhe duhet të shkollohesha. Më pas më thonë shokët që më kishte dalë emri në listë. Konkurrova dhe fitova. Isha 22 vjeç kur u futa në shkollë. Me ndihmën e profesorëve të mëdhenj të Konservatorit arrita të mësoja shumë. Më pas nisa të kompozoja muzikë të vërtetë filmash dhe nisa punë në Ansamblin e Shtetit. Për mua ajo ka qenë shkolla e vërtetë.
Kompozimi juaj i parë ka qenë "Lemza", po më pas?
Kompozimi im i parë ka qenë "Lemza" dhe është kënduar nga Vaçe Zela. Ka qenë festivali i parë në vitin 1962. Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan se e kisha kopjuar nga këngët e huaja. E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure me emrin "Lemza". Ka qenë një protestë rinore shumë e këndshme. Më pas e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe për mua. Kompozimi i dytë ka qenë kënga e "Gjyshes". Kompozimi i tretë ka qenë "Djaloshi dhe shiu" dhe me radhë në çdo vit. Debutimi im i parë në festival ka qenë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ajo më dëgjoi tek luaja në fizarmonikë dhe më shtyu të kompozoja një këngë për të. Kështu nisi udha ime.
Keni fituar rreth 20 çmime në festivale. Kush ka qenë dita më e paharruar për ju?
Ditë të bukura shumë nuk ishin, sepse ishim gjithnjë nën filtër. Komisione dhe juri të pafundme. Ka qenë një jetë profesionale e mbushur me shumë emocion. Në fillim të karrierës, kënaqësia më e madhe e imja ishte që këngët më pranoheshin në festival, sepse nuk njihnim njeri dhe s‘kishim as miq e as shokë. Çmimin e parë e kam marrë në vitin ‘86 dhe ishte surprizë e papritur. Sapo isha duke u futur në shtëpi, kur spikerja e festivalit, Zerina Kuke, po anonçonte çmimet. U dhanë çmimet e treta, nuk u zura me gojë, po ashtu në të dytat nuk u zura në gojë dhe kur dha çmimin e parë ajo tha: çmimi i parë i jepet kompozitorit Agim Krajka. Gëzimi ishte i jashtëzakonshëm. Një klasë mature vjen mbas një ore e gjysmë në shtëpinë time dhe më uron. Kjo ishte kënaqësia më e madhe për mua.
Po dita më e vështirë cila ka qenë në jetën tuaj si kompozitor?
Në atë kohë njeriu ishte gjithmonë në luftë me atë që do dhe me atë që mund të bëjë. Ishte një kënaqësi kur merrje çmim të parë, por do të prisje se çfarë do të thoshte një tjetër se e kishte të drejtën mbas një jave të qortonte, se mos të bëhej ndonjë plenum etj. Shumë shokë të mi ikën, u syrgjynosën nëpër burgje, u larguan nga muzika. Në Festivalin e 11-të me të vërtetë u prit mirë kënga ime, u përgëzova nga artdashësit, por arrestuan shumë këngëtarë, shkrimtarë, piktorë etj., dhe frika ka qenë e madhe. Një ditë më thonë dy të rinj se në orën 11 duhet të paraqitesha në Degën e Punëve të Brendshme. "E pat edhe puna ime", - thashë dhe piva një dopio fërnet dhe shkoj atje. Shikoj dy vetë që më prisnin dhe më thanë: "Hë mor ti, çfarë është ajo këngë që na ke bërë". "Çfarë flisni kështu", i thashë. "Si mund ta quani imoralitet. Ajo është pogonishte", i them "pogonishte që kërceni ju, unë dhe babai im". Pasi e këndova më thanë se çfarë ishte kjo parru pau si refren pas fjalëve. Më lanë të lirë të ikja, por më porositën ta kisha mendjen se ata më kishin shkolluar. Kjo ka qenë kënaqësia e kompozitorëve shqiptarë. Pra, ndieje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerëzve, por të hidhurat i kishe gjithnjë nga pas.
Kush është komenti juaj për Festivalin e 11-të?
Mendimi im është ky: ishte një festival i parapërgatitur me qëllim spastrimi, siç bëheshin spastrimet dhe në politikë. Ata kishin interesa t‘i largonin disa figura për poste politike. Për mua ishte e qëllimshme, se përse i 11-ti duhej të ishte ndryshe nga të gjithë të tjerët. Ne ishim viktima të realizmit socialist. Shumë veta ikën kot, shumë u futën në burgje, u persekutuan padrejtësisht etj.
Gjatë kësaj veprimtarie ndoshta keni qenë nga të paktët shqiptarë që keni shkuar jashtë shtetit. Si ktheheshit pasi njiheshit me realitetin jashtë?
Të dilje jashtë në atë kohë ishte një ëndërr utopike për shumë shqiptarë. Por utopia e vërtetë ishte kur shkonim atje, se ndiheshim si të droguar. Çdo gjë dilte jashtë parashikimeve tona. Këta të partisë na porosisnin, që nëse na afroheshin shqiptarë (të arratisur ose emigrantë) t‘i largonim dhe të mos i takonim. Nuk kam qenë nga ata njerëz që kam pasur shumë frikë. Me mundësitë që na krijoheshin kishim kontaktet tona. Por, gjithsesi, situata ishte absurde. Dieta jonë ishte 1 dollar në ditë, por ne ndiheshim krenar për kombësinë që përfaqësonim.
A ke ndjerë shenja racizmi në Amerikë?
Jo. Absolutisht.
Ju keni qëndruar 16 vjet në emigracion, na përshkruaj pak ditën e kthimit në atdhe, si u ndjetë kur patë Tiranën në sytë e një artisti?
Kur u ktheva për herë të parë ishte viti 2001, në koncertin "E dua më shumë Shqipërinë". Më kishte marrë malli shumë për vendin tim, ndaj u përlota. Atdheu është një ëndërr. Për atë dhjetëvjeçar që kisha qenë larg mendova se gjërat në Shqipëri do kishin ndryshuar. Në kohën tonë të gjithë njerëzit ishin njëlloj, të gjithë të varfër. Kur erdha në Shqipëri kishin mbetur disa gjoja profesionistë që nuk dihet nëse kanë bërë ose jo shkollë, sepse kishin devijuar nga muzika e vërtetë. Tirana kishte ndryshuar pak, por kishte mijëra dyqane, pisllëqe, lulishte në qendër dhe më dukej vetja si në Afganistan. Janë kryer masakra të tëra mbi arkitekturën e kryeqytetit. Dhe tani ka shumë lokale dhe restorante luksoze që nuk dihet se kush i frekuenton.
Të gjithë vëmë re se muzika shqiptare është deformuar mjaft gjatë viteve të demokracisë. Ç‘mendoni për muzikën që bëhet aktualisht në Shqipëri?
Ata që hodhën themelet e muzikës së vërtetë shqiptare kanë qenë njerëz të mençur dhe kanë ditur që gjëja më e bukur dhe e rëndësishme e një populli është kultura e tij dhe ia kanë arritur qëllimit. Shqiptarët sot e kanë të drejtën të gëzojnë lirinë absolute, por më duket se një pjesë e madhe e saj lufton për disa gjëra më imediate. Ka njerëz që po pasurohen me këtë krim që bëhet në muzikën e sotme shqiptare. Është më i fuqishëm ai që e prish këtë muzikë se ç‘mund të jetë një Çesk Zadeja e baballarët e tjerë të muzikës shqiptare. Te ne kultura kombëtare nuk ka më rëndësi. Për Ansamblin e Shtetit nuk investon askush, për institucionet e tjera, gjithashtu. Nuk besoj se ky është arti dhe kultura shqiptare. Sot paratë investohen vetëm tek ata VIP-a që vishen e zhvishen nëpër skena, huazimet, drita lart e poshtë. Kjo nuk është kënga shqipe për mua. Në muzikën shqiptare nuk ka më konkurrencë. Në kohën time vetëm ndonjë kompozitor super i talentuar i pashkollë mund të shkruante ndonjë këngë, të tjerët absolutisht jo.
A merret me politikë Agim Krajka?
Jo. Për mua nuk ka rëndësi fare politika.
Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare?
Unë e shikoj popullin tim me shumë probleme, të mjeruar dhe kjo është derivat i politikave që bëhet për të udhëhequr dhe drejtuar këtë popull.
Çfarë po krijon në këto momente Agim Krajka?
Nuk po krijoj asgjë, se nuk po gjej shtrat për të krijuar. Këtu nuk gjen një orkestër që t‘i thuash bjeri. Kjo është dramë më vete. Absolutisht nuk më bën gjë përshtypje. Në atë kohë që më hante pushka unë kam gjuajtur mirë, tani duket se më ka humbur frymëzimi.
Nga Gazeta Shqip