Agim Krajka Po dhunohet kultura shqiptare

Agim Krajka: Po dhunohet kultura shqiptare
Kompozitori ka festuar dje 74-vjetorin e lindjes. Krajka nuk harron t’i shtojë bisedës doza humori, por i dallohet qartë shqetësimi për rrugën në të cilën ka hyrë muzika sot. Ai i druhet një shthurjeje gjithnjë e më shumë të traditës.

Agim Krajka e ka lënë shpenguar fizarmonikën në një nga divanet e shtëpisë. Vetëm pak minuta para se të arrinim, ai ushtronte dorën mbi të. E djeshmja, ditë që përkonte me 74-vjetorin e lindjes, ishte edhe një moment reflektimi për të. Krajka nuk harron t’i shtojë bisedës doza humori, por i dallohet qartë shqetësimi për rrugën në të cilën ka hyrë muzika sot. Ai i druhet një shthurjeje gjithnjë e më shumë të traditës. I njohur për kompozimet e tij, që nga ato të parat që nisin me këngën “Lemza”, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961, më pas me “Gjushe”, “Djaloshi dhe Shiu”, “Nuk e harroj” (kënduar nga motrat Libohova), Krajka është vlerësuar për krijimet e tij me shumë çmime. Vazhdon të krijojë, sepse për të arti nuk ka moshë. Por e thotë qartë që pas 16 vitesh emigrim në Amerikë, u kthye me etje të madhe për të shkruar, por gjeti një realitet ndryshe nga ai që kishte lënë. Krajka, i cili e ka pasur gjithnjë bazë frymëzimi folklorin, flet për një traditë në zhdukje të kulturës shqiptare.

Çdo përvjetor shërben si një moment reflektimi. Çfarë mendoni ju?

Në këtë moshë, njeriu nuk e pret me shumë kënaqësi ditëlindjen. Ekziston një 10% kur thotë: obobo i mbusha kaq vjeç. Është në dorë të Zotit edhe sa gjatë do të jetojmë. Unë jam i lumtur, sepse kam kryer shumë detyrime si burrë e si kryefamiljar. Investova për ta në marrëdhënie me gruan e fëmijët, jam i gëzuar se investova për ta. Kalova 16 vjet në emigracion për fëmijët, por të paktën studiuan në shkollat më të mira, sot janë qytetarë amerikanë dhe janë integruar atje. Amerika s’të fal asgjë, por të ofron ç’të jesh i zoti të marrësh. Unë e dua shumë popullin tim, nuk e tregoj dot me gojë, por gjatë gjithë jetës kam qenë krenar që kam kultivuar muzikën burimore shqiptare, folklorin tonë, me ato që kam mundur, me dijet e mia, por edhe me atë që na mësuan pedagogët e nderuar, shumica e të cilëve nuk jetojnë më. Na ngacmuan në pikën e dobët: të qenit shqiptar. Na thanë se s’mund të jemi kurrë as europianë, as francezë, as amerikanë nëse nuk e di që je shqiptar. Kjo më shqetëson për të sotmen. Më vjen keq për muzikën, për folklorin tonë. Kam udhëtuar në pesë kontinente, jemi vlerësuar me shumë çmime, jo personalisht, por për kulturën që kemi përfaqësuar. Kjo kulturë sot po dhunohet dhe unë duhet të hesht?

E keni fjalën këtu për krijimet e reja?

Dhunohet jo vetëm në krijimet e reja, por në atë ekzistencë shekullore. Nëse shkon sot në dasma, dëgjon tallave, rrok e shumë lloje të tjera. Shqipëria ka kaluar 500 vjet obskurantizëm aziatik, primitiv islamik, siç ka qenë Turqia dhe nuk na asimiloi as gjuhën as kulturën. Më vjen shumë keq që për 20 vjet ka ndodhur gjithë kjo. Të rinjtë sot shfaqin sjellje që as do t’i kishim menduar dhe më duket se i hyjnë në hak edhe kohës së formimit të tyre. A mund t’ia besoj kësaj rinie Shqipërinë? Dikujt ndoshta i intereson që këtë rini ta kthejë në një turmë. Kemi qenë të izoluar, fukarenj, por kemi qenë shqiptarë. Tani që po e gëzojmë këtë liri, në një kohë kur më duket ende utopike, të pushojmë së qenuri shqiptar. Nuk bëhesh europian vetëm nëse vishesh si ata. Ne na përfaqëson gjuha, folklori, traditat. Unë mbase jam primitiv, por u ktheva nga Nju Jorku të gjej Shqipërinë e jo toponime të huaja ngado të kthesh sytë.

E keni këtë shqetësim edhe për muzikën?

Ky është shqetësimi im parësor. Të gjithë që kanë ndjekur Festivalin Europian të Këngës (Eurovizioni) duhet të kenë vënë re se 80% të këngëve nuk kuptohen se kujt shteti i përkasin. Nuk ndodh e njëjta gjë me jugosllavët që janë ende fanatikë të traditave të tyre, as me italianët e deri-diku edhe me francezët. Kënga është bërë për t’u dëgjuar, jo për t’u parë. Te ne shijohet kënga për t’u parë e jo për t’u dëgjuar. Shumica e këngëtareve çfarë nuk bëjnë, përdhunojnë veten në mënyrë kaq barbare, vetëm se s’kanë vokal.

Paksa i tërhequr këto vite. Keni frymëzim për të shkruar?

Dikur kisha shumë. Erdha nga Amerika me një etje të madhe që të shkruaja, por muzika e vërtetë këtu është naivitet. Nuk flas për muzikën time, por të gjithë profesionistëve të kohës sime. Këtu kënga është si të thuash vetëm një fjali. Nuk arrin sot të përcjellë në dy-tri strofa një moment të caktuar të krijuesit. Ka edhe këngë të bukura, edhe muzikantë shumë të mirë të shkolluar, por janë të kushtëzuar nga turma që i rrethon. Unë jam krenar që bëj pjesën në atë gjeneratë, këngët e të cilëve këndoheshin që të nesërmen nëpër rrugë. Ishte muzikë e mbështetur në folklorin burimor shqiptar, ku kushdo gjente veten. Atëkohë ishte poezia e politizuar, por megjithatë nuk kishin çfarë t’i bënin dashurisë. Nuk më lejohej të thoja “Të dua”, po përmes fjalëve të tjera ne e thoshim këtë.

A vazhdon dita juaj me të njëjtin ritëm pune si dikur?

Unë nuk mund ta kaloj ditën kot. Në mëngjes i jap kohë vetes të pi një kafe dhe kur qëllon që nuk ma bën gruaja në shtëpi, dal e pi në kafenenë poshtë shtëpisë së bashku me një gotë raki. Ka shumë raki në shtëpi që ma kanë sjellë, por do t’i që rakia nuk pihet në shtëpi (Qesh). Punoj me studentë që më vijnë në shtëpi dhe dy-tri ditë në javë edhe në një universitet privat. Tani që erdhët e lëviza firzamonikën. Isha mbështetur mbi të e ushtroja dorën.

Dy djemtë tuaj, si Ulisi dhe Fatrini, kanë ndjekur rrugën e artit. Jeni i kënaqur me zgjedhjet e tyre?

Sigurisht. Për të ardhmen e tyre unë u largova në Amerikë së bashku me bashkëshorten. Kanë studiuar në Manhatan School of Music me rezultate të shkëlqyera. Kanë mall për Shqipërinë, por nuk mund të vijnë të angazhohen këtu, sepse nuk u bëjnë ftesa, nuk u hapin vende në auditoriume, sepse çdo gjë funksionon me klane. Ne bëmë të gjitha ato që duhet të bënim për ta. U kthyem me asnjë dollar në xhep, por edhe pa lekë borxh. Përvoja në Amerikë nuk ishte pak për mua.

Pse vendosët të ktheheshit pas 16 vjetësh?

Unë shkova shqiptar në Amerikë dhe në moshën 52-vjeçare. E dija se do të kthehesha. Gruaja ime thotë shpesh se tri vitet e para unë i mbaja valixhet gati. Angazhimi me fëmijët na i zgjati vitet. Ne i kryem të gjitha detyrimet ndaj tyre dhe u kthyem.

Cila është partitura e fundit që keni shkruar?

Partitura e fundit ishte ajo që shkrova për Goldi Halilin në festivalin e RTSH-së. Vetëm në art nuk ka moshë. Gjigandët e botës në moshën time i kanë dhënë kryevepra njerëzimit, por duhet të ngacmojë diçka. Nëse i kthehem krijimtarisë sime, unë nuk e penalizoj veten. Më është njohur djersa. Kam bërë çfarë kam pasur mundësi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama