Agimi i Arte partia e fshehte greke qe ushqehet me friken dhe inatin e grekeve

Agimi i Arte, partia e fshehte greke qe 'ushqehet' me friken dhe inatin e grekeve
Në portin e Pireut, nja dhjetë burra me kokë të qethur dhe me bluza të zeza u mblodhën në një dhomë për të dëgjuar ëndrrën e Agimit të Artë për një Greqi pa të huaj dhe me kufijtë e mbyllur hermetikisht e të rrethuar me mina.

“Ne i duam jashtë të gjithë emigrantët e paligjshëm”, thotë një kandidat për zgjedhjet e ardhshme e të përgjithshme i një partie ultranacionaliste dhe shumë të fshehtë. ‘Ata nuk duhet që të ishin dhe nuk duhet të vazhdojnë që të qëndrojnë më këtu në Greqi  dhe duhet të largohen në një mënyrë, ose në një tjetër”, thotë ai në takimin në portin e Pireut.

Me Greqinë që është në kulmin e një krize të rëndë ekonomike dhe sociale, partia është duke premtuar pikërisht tani në prag të zgjedhjeve të përgjithshme përzënien e të gjithë emigrantëve të paligjshëm në vend, para se t’u vijë radha atyre që janë të ligjshëm. Megjithatë, Agimi i Artë e mohon akuzën se është një parti neo-naziste edhe pse lideri i saj, Nikolaos Mihaloliakos u prezantua vitin e kaluar para mbështetësve të tij me një përshëndetje naziste. Me mesazhin e tij kundër të huajve, si dhe me disa premtime për disa ndryshime në sistemin e mirëqenies sociale në Greqi, Partia Agimi i Artë ka dalë nga errësira në të cilën ka gjalluar për disa kohë për t’i shfaqur si një subjekt politik dhe shprehet e sigurt që do të hyjë në Parlament pas votës së 6 majit. Në dhomën ku flitet për programin e kësaj partie, në një qoshe të portit të Pireut, audienca dëgjon me shumë vëmendje. Në një fletushkë propaganduese shkruhet: Nuk ka pse të ketë asnjë grek të papunë dhe nuk ka pse të ketë asnjë emigrant më në Greqi”. Pranë kësaj fletëpalosjeje ndodhet edhe programi i kësaj partie në një broshurë të hollë në të cilën shkruhet në faqe të parë: “Greqia u përket grekëve”. Pak më tutje ndodhet edhe flamuri i partisë, një flamur i lashtë grek simbol që i ngjan pak kryqit të thyer nazist e që ka një sfond të kuq.

Sipas sondazheve të opinionit publik, Agimi i Artë mund të arrijë që të fitojë edhe 5% të votës me shumë rehati çka do të thotë që e kalon pragun elektoral për të vendosur për partitë që duan të jenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Kjo do të ishte një fitore e jashtëzakonshme për një parti e cila deri më tani është konsideruar nga grekët si diçka më e afërt me një mit sesa me një realitet dhe që në zgjedhjet e përgjithshme të fundit arriti që të fitonte vetëm 0.23% të votës. E lidhur me racizmin, sulmet anti-emigracion, Partia Agimi i Artë pritet që në rast fitoreje të shndërrohet në forcën më ekstremiste të Parlamentit që pas kthimit të Greqisë në demokraci pas rënies së diktaturës ushtarake në vitin 1974.

Mesazh për sistemin

Retorika e Agimit të Artë është në rezonancë me mendimet e atyre grekëve që fajësojnë emigrantët në përgjithësi dhe ata të paligjshëm në veçanti për të gjitha problemet e mëdha ekonomike në të cilat është zhytur tashmë vendi i tyre. Sipas statistikave, 9 nga 10 emigrantë të paligjshëm që kanë hyrë në Europë gjatë vitit 2010 kanë mbërritur në Greqi, kryesisht përmes Turqisë përmes tokës apo detit. Vitin e fundit, Italia pati gjithashtu një mbidyndje për shkak të vështirësive të njerëzve nga vendet e Afrikës Veriore gjatë periudhës së Pranverës Arabe. Megjithatë, ka aktualisht mbi 1 milion emigrantë, të ligjshëm dhe të paligjshëm.

Të cilët luajnë gjatë gjithë kohës lojën e maces me miun me policinë. Megjithatë, ka shumë syresh që janë nga Afganistani, Pakistani apo Afrika e Veriut, të cilët shpresojnë që të shkojnë në vende më të pasura dhe me më shumë mundësi në Europën Perëndimore, pra aty ku ka më shumë mundësi punësimi. Retorika e partisë nuk është aspak e ngjashme me atë të partive të zakonshme politike dhe kjo ka bërë që asaj t’i bashkohen edhe një pjesë e grekëve, të cilët janë të ngopur nga gënjeshtrat e politikanëve dhe janë të etur për një ndryshim të klasës politike dhe të të gjithë sistemit, ndoshta. Me valët e njëpasnjëshme të reduktimit të pagave dhe pensioneve për të shpëtuar vendin nga falimentimi i sigurt, Greqia është zhytur tashmë në një periudhë shumë të errët ekonomike dhe financiare, por edhe sociale dhe ndodhet në vorbullën e recesionit më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. “Nuk është se grekët u shndërruan në ekstremistë të djathtë brenda natës”, thotë një analist.

“Ata thjesht duan që t’u dërgojnë një mesazh politikanëve dhe gjithë sistemit në tërësi”. Kandidatët e Agimit të Artë nuk janë aspak politikanë karriere. Ata janë disa fermerë, barinj, punëtorë dhe oficerë ushtrie në pension. Partia nuk ka në përbërjen e saj asnjë emër që të jetë i shquar ose i njohur publikisht, përveç liderit të saj, Mihaloliakos, i cili ka qenë pjesë e forcave speciale greke dhe ka qenë i zgjedhur në këshillin e qytetit të Athinës në vitin 2010. Sipas një analisti politik, Partia Agimi i Artë ka avantazhin që të jetë një parti e padukshme. Përveç kreut të saj, askush nuk njeh fytyra të tjera në këtë parti dhe kjo vlen edhe për analistët politikë dhe ata që janë pjesë e saj. Dhe kjo vlen për ta si një mburojë mbrojtëse. Pjesën më të madhe të votuesve kjo parti e re e merr “në kurriz” të partisë, Laos mbështetja ndaj të cilës ra ndjeshëm gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe ka rënë edhe më pas bashkimit të saj me koalicionin e fundit qeveritar vitin e kaluar.

Rikthimi i të shkuarës?

Në një lagje punëtorësh në rrethinat e Athinës, Partia Agimi i Artë ka nisur që të krijojë shumë mbështetës përmes shfaqjes së saj si një parti miqësore, të cilës mund t’i besosh. Dhe kjo sepse në këto lagje gjen njerëzit që janë goditur më shumë dhe më rëndë nga kriza e fundit e madhe ekonomike që po kalon vendi. Për rreth një vit, anëtarët e partisë u kanë dhënë familjeve në nevojë të kësaj lagjeje oriz dhe makarona falas, vaj ulliri dhe ushqime të tjera të përditshme, si dhe veshje. Të gjitha këto ushqime kanë qenë vendosur në qese plastike në të cilat shkruhej “Unë votoj për Agimin e Artë për të pastruar vendin dhe për Athinën, që ajo të shndërrohet sërish në një qytet grek”. Një ish-votuese socialiste, tani 76-vjeçare dhe e sëmurë me kancer nisi që të qajë kur anëtarët e kësaj partie u shfaqën në shtëpinë e saj me çanta plot me ushqime në mëngjes. “E shoh dhe kam dëgjuar që ata po bëjnë gjëra të mira për njerëzit dhe përse të mos votoj në fund të fundit për ta?, thotë e sëmura që ka mbështetur tradicionalisht socialistët përgjatë pjesës më të madhe të jetës së saj. Mbështetës të kësaj partie dhe aktivistë lënë edhe poshtë dyerve të shtëpive të njerëzve një numër telefoni të cilin të gjithë mund ta marrin nëse do të kenë nevojë për ndonjë gjë. Për shumë njerëz është hera e parë në jetë që dikush, qoftë edhe një parti, u sjell ushqime dhe veshje në derën e shtëpisë. Dhe kjo do të thotë shumë për të varfrit grekë që në këto kohë krize janë varfëruar edhe më shumë. Por programi politik i kësaj partie është shumë më i rreptë dhe mirëdashës se veprimet e mira që bëjnë vullnetarët e partisë me ushqime në dyert e njerëzve të varfër. Sipas këtij programi, të gjithë emigrantët ilegalë duhet që të përjashtohen dhe nxirren nga vendi përmes arrestimeve dhe deportimeve dhe më pas po sipas këtij programi, emigrantët e ligjshëm duhet edhe ata në një fazë të dytë që të përzihen nga vendi. Partia kërkon gjithashtu edhe që krimet e kryera nga emigrantët e paligjshëm të futen në një kategori të posaçme krimesh dhe të dënuarit ta vuajnë dënimin në qendra të posaçme burgimi dhe izolimi ku emigrantët vihen në punë.

Ky grupim ka shumë pak respekt për klasën politike. Sipas tyre, të gjithë politikanët që ndodhen pas krizës ekonomike duhet që të dalin para një gjykate të posaçme dhe të burgosen si dhe të shpronësohen. Pavarësisht krahasimeve me neonazistët, Partia Agimi i Artë ka një ndjesi shumë të qartë dhe të theksuar antigjermane dhe në këtë frymë sulmon të gjitha paketat e shpëtimit financiar nga të cilat ka përfituar Greqia që prej dy vitesh në këmbim të kushteve shumë të rrepta të shkurtimit të shpenzimeve. Ajo është kundër të ashtuquajturit “dominimi gjerman i Europës”. Kjo parti u krijua për herë të parë në vitin 1992 dhe u rilançua sërish në vitin 2007. Ajo admiron veçanërisht  diktatorin grek, Joanis Metaksa, i cili refuzoi dorëzimin te fuqitë e Aksit në vitin 1940.

Kjo parti e cilëson veten e saj nacionaliste dhe ka për logo një motiv të antikitetit grek që simbolizon trimërinë dhe betejën e pafund. Grupi gjithsesi vazhdon që të mbetet enigmatik. Lideri i tij nuk pranon që të intervistohet dhe të dalë jashtë në ndonjë fjalim fushate me shumë njerëz. Gjithashtu nuk janë deklaruar as për ndonjë koalicion të mundshëm nëse do të arrijnë që të futen në Parlament. “Ne nuk do të bëjmë asnjëherë marrëveshje me asnjë palë politike në lidhje me paketat e shpëtimit. Do të luftojmë deri në fund dhe do ta rifitojmë atdheun”, deklaroi kryetari i partisë para mbështetësve të tij në Pire. Sipas atyre që janë anëtarë të saj thuhet se që të anëtarësohesh në këtë parti duhet që të kalosh vite të tëra dedikimi. Njëri thotë se punoi për tre vjet për t’u pranuar në këtë parti. Fillimisht niset gjithçka si mbështetës dhe më pas kalon disa prova para se të bëhesh pjesë e “familjes”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama