Agolli Goli? U gezova vetem pasi u sigurova qe topi preku rrjeten

Agolli: Goli? U gëzova vetëm pasi u sigurova që topi preku rrjetën

Ishte e vështirë të merrje një përgjigje, ndërkohë që lojtarët gjendeshin në dhomat e zhveshjes në stadiumin e Lionit, por Ansi Agolli sillet si një lider i vërtetë dhe gjen mundësinë t'i përgjigjet edhe interesimit nga Shqipëria.

3153

Në një rrëfim për "Panorama Sport" kapiteni në dy ndeshjet e fundit tregon emocionet, vështirësitë dhe llogaritë për të shkuar më tej. Disa herë ai ka deklaruar për gazetën se ka pasur sezonin më të mirë të karrierës, por tashmë ai uron që më e mira të mos ketë ardhur ende. "Cana ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë lider i kësaj skuadre dhe prezenca e tij ndihet në ajër. Uroj që të kualifikohemi. Kjo do të thotë që më e mira nuk ka ardhur ende në këtë sezon për mua", shprehet ndër të tjera Agolli.

Si e përjetuat momentin kur Sadiku goditi drejt portës? Çfarë ju erdhi në mendje në atë çast?

Në fakt, ishte diçka e pabesueshme. Kjo, pasi në dy ndeshjet e para kemi pasur raste shumë të mira, por fati nuk ka dashur. U gëzova vetëm pasi u sigurova mirë që topi kishte prekur rrjetën. Në atë moment më erdhi një ndjesi që nuk mund t'jua shpjegoj dot me fjalë. Është thjesht mrekulli, ashtu siç u tregua edhe Sadiku në rastin e golit.

Dy ndeshje si kapiten dhe, mbi të gjitha, me shirit në krah në takimin historik. Çfarë ndjesie ka qenë për ju personalisht?

Dua të ndalem pak te kjo pyetje, pasi kam dëshirë që t'i qartësoj disi gjërat. Kapiteni i ekipit kombëtar është Loriku dhe në mungesë të tij trajneri më caktoi mua. Përtej modestisë, më pëlqen më shumë që ta quaj veten shërbëtor të ekipit, sepse ne vërtet që jemi të tillë. Unë vij këtu dhe luaj me Kombëtaren për t'i shërbyer skuadrës dhe kombit tim. Unë mundohem dhe jap gjithmonë më të mirën e mundshme, ashtu siç bën çdo futbollist që është në këtë ekip. Megjithatë, nuk mund t'i mohoj edhe emocionet që kam përjetuar në këto ndeshje kur kemi luajtur ndaj Francës dhe e fundit ndaj Rumanisë. Por, falë edhe eksperiencës që kam fituar ndër vite, çdo gjë shkoi ashtu siç duhet.

ansia-e1466026815525-780x439

Çfarë menduat pas minutës së 80-të? Kishte sërish ankth dhe frikë te ju (i gjithë ekipi), apo këtë herë ndienit siguri?

Jo, kam pasur siguri përgjatë gjithë takimit. Si unë, edhe i gjithë ekipi. Ishte një ndeshje që e kishim neve në dorë dhe e administruam në mënyrën më të mirë.

Pas dy ndeshjeve me Zvicrën dhe Francën, krahas fjalëve motivuese, pati edhe kritika për Shqipërinë, kurse pas takimit ishte lavdi e madhe për të gjithë. A ishte ajo fitore një përgjigje për të gjithë?

Nuk kam asnjë përgjigje për kritikët. Nuk më intereson aspak se çfarë thonë apo nuk thonë për ne. Mua dhe shokëve të ekipit kritikat na i bën vetëm trajneri De Biazi, por mund të them që ne kemi nevojë për mbështetje dhe jo për kritika. Gjithashtu, lëvdatat dhe kritikat mund të them që i bëjnë të njëjtët njerëz. Unë dhe shokët e ekipit po bëjmë vetëm detyrën tonë duke i shërbyer skuadrës. Ka raste që nuk shkojnë gjërat ashtu siç duam ne, si në ndeshjen me Zvicrën apo Francën, por ka edhe raste si ndaj Rumanisë që ne marrim atë që duhet. E rëndësishmja është që objektivi ynë është realizuar që në kualifikimin për të qenë pjesë e Europianit "Francë 2016".

I keni bërë llogaritë për rezultatet që na duhen te takimet e tjera dhe a besoni se mund të kualifikohemi?

Nuk kam bërë asnjë llogari. Çfarë të jetë e shkruar do të bëhet! Ne atë që kishim, e dhamë, madje kemi dhënë edhe më shumë nga sa janë mundësitë tona reale. Me pak fat, do të kishim edhe më shumë pikë, por futbolli i tillë është. Dua t'i përgëzoj shokët e skuadrës, sepse kanë dhënë shpirtin në këto tri ndeshje.

ansi-dhe-de-biasi-620x400

Meqë po flisni tamam si kapiten, çfarë mesazhi morët nga Cana përpara këtyre dy përballjeve?

Loriku është lider i kësaj skuadre. Gjithmonë ka qenë dhe do të jetë. Fjalët e tij ma kanë bërë punën më të lehtë, jo vetëm mua, por të gjithë shokëve të ekipit. Prezenca e tij ndihet në ajër në Kombëtare dhe jam me fat që luaj në një ekip me të.

Keni thënë që ky është sezoni më i mirë për ju. Ku do të ndaleni?

Uroj që më e mira të mos ketë ardhur ende dhe që ndaj Rumanisë të mos jetë e fundit ndeshje në këtë kompeticion magjik. Nëse do të kemi fatin që të vazhdojmë, atëherë do të thotë me të vërtetë që më e mira nuk ka ardhur ende.

Kujt i druheni nga skuadrat që mund të përballemi në rast kualifikimi?

Në këto nivele nuk ka ekipe të lehtë. Nuk i druhemi askujt, por kemi respekt.

Olsi Tujani



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama