Agolli pionier i letersise shqipe te shekullit te kaluar

Agolli, pionier i letersise shqipe te shekullit te kaluar
Mbahet në Gjirokastër konferenca ndërkombëtare: “Dritëro Agolli, personalitet i shquar i letërsisë dhe kulturës shqiptare”

“Dritëro Agolli, personalitet i shquar i letërsisë dhe i kulturës shqiptare”, kjo ishte tema qendrore e një konference ndërkombëtare që u organizua nga Departamenti i Gjuhë-Letërsisë në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin akademikë, studiues, pedagogë, shkrimtarë, poetë dhe personalitete të kulturës dhe letrave të ardhur nga Kosova, Maqedonia, Italia dhe Greqia. Në fjalën çelëse dhe përshëndetëse, Prof. Gëzim Sala, rektor i Universitetit të Gjirokastrës e cilësoi Agollin si, “pionierin e letërsisë shqipe të shekullit të kaluar”. “Dritëro Agolli është një nga letrarët më të shquar bashkëkohorë shqiptarë, është një poet me kulturë të gjerë, si dhe origjinal në konceptimin e veprave të tij letrare”, - tha midis të tjerave, Prof. as dr. Dëzim Sala. Ndërsa Prof. as dr. Roland Zisi, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe i Shkencave Shoqërore, tha se jeta, veprimtaria dhe sidomos vepra letrare e këtij personaliteti të shquar kanë kondicionuar ndjeshëm rrjedhën letrare e kulturore shqiptare, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

“Dritëro Agolli cilësohet sot si shkrimtar me një vepër letrare të konsiderueshme, të gjerë e të thellë, krijues inteligjent, demon i fjalës, me frymëzim dhe vlera universale, prodhimtar dhe cilësor; një individualitet poetik i rrallë, lirik dhe narrativ njëkohësisht, sa popullor dhe i thjeshtë, aq edhe filozofik e meditativ”, - nënvizoi në kumtesën e tij Prof. as dr. Roland Zisi. Sipas Zisit, e gjithë jeta dhe vepra e Dritëro Agollit, si poet e prozator, si krijues dhe personalitet i shquar është e frymëzuar nga dashuria për atdheun dhe historinë e tij, për gjuhën, tokën dhe këngën shqiptare, për folklorin dhe zakonet e mrekullueshme të etnisë së vetë. Sipas kumtuesit R. Zisi, kjo dashuri e tij prej poeti e shkrimtari  kondicionon estetizimin e ndjenjave më të larta të shpirtit njerëzor shqiptar deri edhe estetizimin e botës rurale shqiptare; baltës, pyjeve, maleve, fushave, kafshëve dhe shpendëve, duke i kthyer ato në shenja domethënëse e përfaqësuese të qytetërimit tonë të vjetër e të ri.

“Me pak fjalë, Dritëro Agolli është pionieri i letërsisë shqipe bashkëkohore të shekullit të kaluar”, - theksoi Zisi. Prof. asoc. Gëzim Rredhi, pedagog i letërsisë pranë Universitetit të Gjirokastrës, nënvizoi se, “vepra e Dritëro Agollit, si e gjithë letërsia jonë e traditës dhe ajo bashkëkohore, duhet vështruar dhe analizuar si një univers më vete që ndjek dhe u nënshtrohet ligjeve dhe kodeve estetike, e kjo padyshim duhet të shërbejë edhe si kriter i hierarkisë së vlerave të saj”. Universi letrar i Agollit, nënvizoi në kumtesën e tij G. Rredhi, është mjaft i gjerë dhe i larmishëm, pothuajse në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare; poezi, poema, fabula, në të gjithë llojet e prozës; romane, novela, tregime, drama, publicistikë, studime letrare etj.

Virion Graci, studiues pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike Ndëruniversitare (QSA), në kumtesën e tij: “Karakteret konceptuale ‘kundër’ autorit Dritëro Agolli”, tha se në tre nga romanet kryesore të D.Agollit, “Komisari Memo”, “Njeriu me top”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, autori ka synuar të zbulojë dhe të argumentojë se deri në çfarë mase talenti i lindur letrar dhe dhuntia rrëfimtare realiste ndërthuret, kufizohet a deformohet prej përkatësisë botëkuptimore ideo-politike. “Duke parë një galeri personazhesh të ashtuquajtur negativë, sipas dogmës krijuese në fuqi, personazhe të realizuar jo pa ngrohtësi dhe realizëm nga Agolli, si dhe, nga ana tjetër pozicionimet e tij praktike e teorike si zyrtari numër një në piramidën e realizmit socialist, kumtuesi, mbi argumente letrare dhe filozofike kërkon të provojë, si dhe sa është i mundur një dualizëm i tij”, - pohoi Graçi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama