Lorik Cana mbetet kapiteni i kuqezinjve edhe pse nuk e mbajti shiritin në krah në dy ndeshjet e fundit. I këtij mendimi është Ansi Agolli i cili në një konferencë për mediat të dhënë pasditen e së martës pranë hotelit ku është akomoduar Kombëtarja në Francë, e cilësoi Lorikun një lider në ekip.
"Kapiteni i skuadrës është Loriku. Ai është një lider. Dua ta falënderoj sepse, pavarësisht se nuk luajti na ka dhënë shumë mbështetje morale. Nuk i fsheh emocionet e dy ndeshjeve që kam qenë kapiten, pasi ka qenë përgjegjësi mjaft e madhe. Por, kemi një skuadër me djem mjaft të mirë që ia kanë bërë punën të lehtë trajnerit dhe mua kur mbaja shiritin",-tha Agolli sipas "Supersport".
Ndërsa u shpreh është optimist se Kombëtarja do të ketë edhe një tjetër shans për të kaluar grupin.
"Pas një ngarkese të mjaftueshme në këto 8 ditë me tre ndeshje, dje patëm një diitë pushimi të merituar. Morali i skuadrës është mjaft i lart.
Po presim me padurim çfarë do të ndodhë. Shpresojmë të kemi fat, të luajmë edhe një ndeshje tjetër dhe të paraqitemi sa më mirë. Pas dy ndeshjeve të para pa fat, shpresoj shumë që do të kemi fatin të luajmë edhe një ndeshje në Francë. E meritojmë me atë që kemi treguar në këto tre ndeshje të grupit",-tha ai.