Trajneri i ri i Skënderbeut, Andrea Agostineli, përpara nisjes për në Shqipëri të hënën në mbrëmje, ku do të firmoste për skuadrën e Skënderbeut, ka dhënë një intervistë për "Radiosei" në Itali, në një lidhje direkte. Tekniku ka konfirmuar se do të firmoste me korçarët, por gjithashtu ka thumbuar edhe drejtuesit e Partizanit.
Është e vërtetë që sot (të hënën) në darkë do të firmosësh me Skënderbeun?
Po, është e vërtetë që do të firmos dhe për një orë do të nisem drejt Durrësit për të konkretizuar gjithçka. Ishte një gjë shumë e shpejtë dhe të gjitha tratativat janë bërë brenda 48 orësh, ku është arritur edhe akordi. Shumë shpejt do të drejtoj edhe skuadrën në seancën stërvitore.
Përse nuk vazhduat të ishit pjesë e skuadrës së Partizanit, nëse mund t'ju pyes?
Me Partizanin kisha dy vite kontratë, por në fund të sezonit kanë nisur edhe problemet. Klubi ka larguar nga pozicioni i tij Drejtorin e Përgjithshëm dhe ai ishte njeriu që mua më bëri pjesë të skuadrës dhe pas tij menjëherë ishte radha ime që të largohesha nga skuadra. Por, ndërkohë që është larguar trajneri dhe drejtori, kanë qëndruar në skuadër përgatitësi atletik dhe ai i portierëve (Xhanoti dhe Kapeçe). Duke parë këto lëvizje, unë kam paguar disi atë që ka ndodhur me Drejtorin e Përgjithshëm.
Dhe ju kërkuan nga skuadra kampione...
Po, ata u kujtuan për mua dhe më kontaktuan duke më bërë pjesë të skuadrës së tyre.
Por, si ka mundësi që ata kanë larguar trajnerin e tyre?
Ai kishte gjashtë vite që qëndronte aty (realisht katër) dhe ka përfunduar një cikël, duke fituar tituj kampionë. Ata e kanë parë punën që kam bërë gjatë kësaj periudhe me Partizanin, ku kemi luftuar deri në fund për të fituar titullin kampion. Për këtë arsye më kanë telefonuar. Testi im i parë do të jetë në ndeshjen e Champions-it ku përballë do të kemi ekipin e Ferencvaroshit.
Hungarezët janë një skuadër e mirë, por edhe ekipi juaj i ri ka cilësi?
Po, kjo është e vërtetë, pasi kanë gjashtë vite që fitojnë titullin kampion në Shqipëri dhe unë i kam parë gjatë garës kur isha në drejtimin e Partizanit. Skënderbeu ka lojtarë me nivel të lartë teknik dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim.
Jeni i kënaqur për këtë aventurë të re?
Pa dyshim që po. Jam shumë i kënaqur, pasi më duket e drejtë që kur një njeri bën më të mirën e tij, puna të shpërblehet. Kështu që e përsëris se jam i kënaqur, pasi bëhet fjalë për një klub të madh dhe marrin pjesë në një kompeticion të madh. Edhe presioni dhe përgjegjësia janë të mëdha, por kjo është puna ime.
Armand Halili