Dështimi i transferimit të mbrojtësit Arbnor Fejzullahu, i cili humbi gjyqin me Partizanin, duket se ka lënë disi bosh krahun e djathtë të mbrojtjes së Skënderbeut. Pas largimit të Kristi Vangjelit, në vend të tij duhet një lojtar me eksperiencë. Në përgatitjet e deritanishme që skuadra po zhvillon, por edhe në ndeshjet miqësore, trajneri Andrea Agostineli ka konstatuar se Hektor Idrizaj i vetëm nuk mund ta përballojë dot peshën e madhe dhe ngarkesën e plotë në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Në një situatë të tillë, italiani i ka vënë ultimatumin klubit që ta plotësojë sa më shpejt ekipin me dy mbrojtës krahu, duke hequr kështu dorë nga mesfushori që kërkohej ditët e fundit në merkato. Burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije se ka nisur menjëherë puna për të kërkuar një mbrojtës të djathtë.
Menaxherët janë vënë në kërkim të profilit të duhur të kërkuar nga Agostineli, por duke parë që tregu shqiptar nuk ofron shumë mundësi, sytë janë hedhur nga lojtarët e huaj. Për momentin, nuk bëhet me dije asnjë emër, por burime pranë skuadrës theksojnë se kanë nisur bisedimet me dy futbollistë në pozicionin e kërkuar, por vetëm njëri mund të afrohet.
Objektivi
Nga ana tjetër, bardhekuqtë nuk kanë lënë pas dore edhe pistën që të çon te Gledi Mici. Mbrojtësi i majtë i Kukësit është shumë i pëlqyer nga Agostineli. Largimi i Arapit ka boshatisur krahun e majtë që mbahet vetëm nga Leonit Abazi, për më tepër që nuk është një mbrojtës i mirëfilltë, por një mesfushor. Duke u nisur nga ky fakt, italiani ka bërë me dije se nevoja për përforcim në këtë krah, ashtu si dhe në krahun e djathtë, është e domosdoshme.
Objektivi kryesor i bardhekuqve për këtë krah mbetet pa dyshim Gledi Mici. Pritet që, pas aventurës së Kukësit në Europë, të nisin bisedimet me lojtarin, i cili përfundon edhe kontratën me Kukësin dhe nuk dihet nëse do ta rinovojë. Megjithatë, edhe nëse firmos me korçarët, Mici nuk mund të luajë në ndeshjet e Champions League, pasi ka luajtur në Europa Ligë me Kukësin.