Mbaj mend kur isha i vogël, ime më’ më merrte shpesh në shkollën e baletit ku ajo punonte si pianiste. Kujtoj se me sa siklet hidhja hapat nga dera në cepin tjetër të sallës deri te pianoja, ndërkohë që ngjitur pas meje kisha të ngulur shikimin e buzëqeshur të balerinave që ndërkohë bënin ushtrimet e tyre. Zija një qoshe pas pianos dhe kur mendoja që shikimet ishin shqitur nga unë, mundohesha të zhbiroja nga një hapësirë e ngushtë ato silueta delikate dhe lëvizjet e tyre të buta.
Pastaj hynte në sallë Ai. Nga ato figurat që hija i shtrihej përgjatë murit pastaj përshkonte gjithë tavanin për të marrë dimensione gjigante. Në imagjinatën time prej fëmije kjo skenë ma çonte zemrën në grykë dhe më dridhte leqet e këmbëve. Një figurë elegante, teksa me një buzëqeshje xhentile përshëndeste të gjithë, afrohej pas pianos, fuste kokën ngadalë në qoshen ku isha fshehur unë, më shikonte me sy të ëmbël dhe më përkëdhelte flokët.
…
Para disa javësh, tashmë i rritur, pata fatin ta ritakoj sërish atë figurë, ndërsa bëja një set fotografik me dy balerinët e parë të Operas, Enadën dhe Gerdin. Më kujtoheshin fjalët e mamasë që më tregonte se sa i madh është ky njeri, se çfarë kontributi të jashtëzakonshëm ka dhënë për artin e kuintesencës, për baletin. Se sa mirë e njihte muzikën dhe se ç’pamje kishte një artist i vërtetë. Pastaj më tregon për burrin, për sharmin, për modestinë, për paqen që transmetonte gjatë një bisede. Dhe se si, gjatë kësaj bisede normale, i bënte një transfuzion artistik të gjithë të pranishmëve.
Në një moment, gjatë shkrepjeve, me një ton të veshur me nuancat e profesorit, e dëgjoj t’u drejtohet dy balerinëve : “…tani zhvishuni, dua t’ju shoh në gjendjen fillestare të njeriut!” Nuk po ju tregoj se çfarë ndodhi, nëse u zhveshën apo jo. Di vetëm t’ju them që ajo fjali më bëri të vështroja nëpërmjet objektivit poezi në çdo lëvizje të tyre. Ky njeri vazhdonte të magjepste balerinët sikur të ishin krijesa përrallash me princ e princesha, sikur ajo sallë qëndronte pezull në një flluskë ajri jashtë botës përreth. Ishte si të shikoje një magjistar, një iluzionist, nga kaq afër, për të kuptuar truket, e sërish të mos bëje gjë tjetër veç se të shikoje sesi ato lëvizje mishëronin gjuhën e shpirtit.
Zonja dhe zotërinj…
…Mjeshtri Agron Aliaj.