Agron Cane Nuk kerkova seks me vajzen

Agron Cane: Nuk kerkova seks me vajzen

“Unë nuk i kam kërkuar marrëdhënie seksuale as kallëzueses dhe as vajzës së saj. Ajo më telefononte shpesh dhe kërkonte me insistim të më takonte, por që prej datës 15 korrik, nuk e kam takuar më, pasi jam shkëputur nga puna, megjithëse shkoja në zyrë për të ndihmuar kolegen”. Kjo është një pjesë e dëshmisë së Agron Canes, ish-punonjës i zyrës së deputetit socialist Koço Kokëdhima, i cili ka dhënë dëshminë e tij për Prokurorinë e Sarandës, që tashmë ka nisur procedimin penal edhe për ngacmime seksuale. Agron Cane, i cili në dokument zyrtar rezulton me emrin Andon Cane, ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë kërkuar marrëdhënie seksuale me vajzën 14 vjeçe, megjithëse pas kallëzimit të kryer nga E. G., prokuroria ka siguruar edhe disa përgjime telefonike të personit të arrestuar me kallëzuesen, që vërtetojnë të kundërtën.

Dëshmia e Canes

Në deklaratën e dhënë në cilësinë e personit nën hetim, Agron (Andon) Cane ka shpjeguar funksionin e tij dhe njohjen me E. G. “Unë kam punuar si përfaqësues i zyrës së deputetit të Sarandës deri më datë 15 korrik të vitit 2014 dhe pas kësaj date figuroj i papunë. Detyra ime ishte të kontaktoja qytetarët, t’i dëgjoja dhe ankesat e tyre t’i përcillja te deputeti. Unë për detyrën që kryeja si përfaqësues i zyrës së deputetit të zonës merrja pagën prej 49 000 lekësh dhe i tërhiqja te dy banka”, ka deklaruar ai. Lidhur me E. G., ai ka sqaruar se e njihte prej janarit të vitit 2014, pasi ajo ishte paraqitur te zyra ku ai punonte dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u punësuar. “Unë e kam dëgjuar dhe më pas e kam kontaktuar me deputetin e Sarandës. Në sajë të interesimit të deputetit, ajo është sistemuar si punonjëse te biznesi i K.L. Ajo ka punuar pranë biznesit të tij deri para një muaji. Edhe gjatë kohës që ajo ishte në marrëdhënie pune, vinte dhe më takonte, duke më kërkuar ndihmë për të gjetur punë më të lehtë, apo për të përfituar ilaçe për veten apo dhe për fëmijët”, ka deklaruar Cane. Sipas tij, herë pas here ajo është ndihmuar prej tij në cilësinë e përfaqësuesit të deputetit të Sarandës. Personi nën hetim ka sqaruar se edhe pas datës 15 korrik, megjithëse ishte larguar nga puna, përsëri shkonte herë pas here për të ndihmuar punonjësen tjetër të zyrës. “Gjatë kësaj kohe E. G. më telefononte dhe kërkonte me insistim të më takonte. Unë nuk kam kërkuar marrëdhënie seksuale me kallëzuesen dhe vajzën e saj”, – thuhet në deponim.

Përgjimet

Por, prokuroria thotë se dyshon të kundërtën, pasi disponon disa përgjime dhe tabulate telefonatash, të cilat janë siguruar pas kallëzimit të E. G. Më 15 gusht, rreth orës 9:30, i dyshuari ka telefonuar kallëzuesen, duke i thënë “hajde në zyrë urgjentisht, se më ke bërë hatanë”, por ajo i ka thënë se “nuk e di për çfarë flisni, se unë nuk ju kam bërë asgjë”. “Hajde se të dua të flasim nga afër”, ka insistuar i dyshuari, por ajo nuk ka pranuar të shkojë në këtë takim, ndërsa ai ka këmbëngulur edhe duke e telefonuar në celular.

Kallëzimi

Në kallëzimin e saj, E. G. pretendon se Cane, fillimisht ka kërkuar marrëdhënie seksuale me të, por kur ka parë vajzën e saj, ka kërkuar marrëdhënie me të bijën. Takimi është bërë rreth një muaj para regjistrimit, kur ajo ka lënë punën e parë. Ajo ka shkuar të takojë Canen në zyrën e deputetit, bashkë me vajzën. Aty, ai ka pyetur vajzën për moshën, shkollën dhe si shkonte me mësimet. Vajza, pas pak minutash nga kjo bisedë, ka dalë jashtë, ndërsa kallëzuesja sërish i ka kërkuar atij t’i gjente një punë më të përshtatshme. Ai i ka thënë se “ti paske një shans më të madh për të fituar një vend pune dhe për të marrë shtëpi nga shteti, gjë të cilat i kam unë në dorë”. Në këmbim të punës dhe shtëpisë që do t’i siguronte, kallëzuesja duhet të përgatiste vajzën për ta bërë ai grua. Sipas prokurorisë, pas këtij takimi, ai ka këmbëngulur për vajzën.

Krimi seksual

Në këto kushte, akuza ka regjistruar procedimin penal, fillimisht për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, por tashmë edhe për “ngacmim seksual”. Prokuroria thotë se është vërtetuar se vepra penale ka ndodhur dhe pasoja e rëndë ka ndodhur. “Ky vërtetim është provuar dhe dokumentuar në fashikullin e procedimit, me procesverbalin e kallëzimit, me procesverbalin e këqyrjes së provave materiale dhe me akte të tjera, për të cilat organi i procedimit ka vendosur të jenë sekrete”, deklaron prokuroria, e cila sot do të kërkojë caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për këtë të dyshuar. Re. Rre.

Kokëdhima zëvendëson Canen

Deputeti Koço Kokëdhima ka njoftuar dje zyrtarisht se personi i arrestuar është zëvendësuar nga një tjetër person. “Zyra ime e pritjes së ankesave në Sarandë vazhdon punën normalisht me dy persona, ashtu siç ka funksionuar edhe më parë. Në zyrë shërbejnë zonjusha Meralda Golemi dhe Vangjel Koka, i emëruar rishtazi”, thotë Kokëdhima.

 

Opozita

Basha për skandalin: E keqja po mbërthen vendin

Skandali seksual ka vijuar edhe dje të shkaktojë reagime dhe deklarata nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një koment në “Facebook”, u shpreh se vendi është mbërthyer nga e keqja dhe se kjo nuk është Shqipëria që ëndërrojmë. “Këto janë fakte, jo fjalë. E keqja ka mbërthyer parti politike dhe vetë pushtetin. Jemi të vetmit në Europë, ku të dënuar për krime e prostitucion janë deputetë në Kuvend. Të vetmit në Europë ku rrëmbyes fëmijësh emërohen kryetarë këshilli qarku nga Kryeministri. Ky nuk është përfaqësimi që meritojmë”, shkruan Basha. Ndërsa deputeti Berisha është ndalur te publikimi i emrit të gruas që denoncoi skandalin seksual me punonjësin e zyrës së deputetit Kokëdhima në Sarandë, të cilin e ka konsideruar si një akt tjetër kriminal për t’u hakmarrë ndaj denoncueses. Për rastin kanë reaguar edhe deputetët Jozefina Topalli e Oerd Bylykbashi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama