Agron Duka do te jete kandidati i opozites per Bashkine e Durresit

Agron Duka do te jete kandidati i opozites per Bashkine e Durresit

Dilema e opozitës për përfaqësimin e saj në zgjedhjet vendore të 21 qershorit që do të mbahen për bashkinë e dytë më të rëndësishme në vend, atë të Durrësit, thuajse është mbyllur. Agron Duka, deputeti aktual i Partisë Republikane do të jetë kandidati konsensual mes koalicionit opozitar, i cili është shpallur dje zyrtarisht nga vetë kryerepublikani Fatmir Mediu si kandidati i opozitës për Bashkinë e Durrësit. “Partia Republikane mendon se zoti Duka është një nga kandidaturat më të plotë për sa i përket Bashkisë së Durrësit dhe do të jetë në gjykimin tonë kandidati për kryetar bashkie i qytetarëve të Durrësit në radhë të parë, i të djathtës dhe të gjithë atyre që duan një Durrës të zhvillohet në një mënyrë krejt ndryshe me një koncept europian jashtë interesave klanore. Zoti Duka ka një mbështetje të madhe të votuesve të këtij qarku, ka treguar që është mjaft korrekt si me votuesit edhe me angazhimet e tij politike”, tha Fatmir Mediu gjatë një takimi që zhvilloi dje në qytetin bregdetar. Emri i Agron Dukës bëhet emri i parë që zyrtarizohet vetëm 5 muaj para zhvillimit të këtyre zgjedhjeve.

Dy partitë kryesore të koalicionit të djathtë, PD e PR gjenden në një fazë diskutimesh mes tyre, në lidhje me mënyrën se si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do të marrin pjesë në garën e 21 qershorit, ku dy partitë po i referohen një ndarjeje rajonale që kanë bërë sipas ndarjes që ka qenë më parë për të parë më mirë dhe mundësitë e kandidimit, por edhe për të përzgjedhur kandidatët, të cilët do të jenë të përbashkët. Në këtë kuadër, përzgjedhja Agron Dukës si kandidat të opozitës në garën për Bashkinë e Durrësit, edhe pse thuajse e sigurt, nuk është krejtësisht e vulosur nga demokratët dhe republikanët. Për Mediun, Duka ka një autoritet të fuqishëm në Qarkun e Durrësit dhe këtë e ka treguar edhe me rezultatet e tij konkrete, dhe kjo është arsyeja që PR-ja sipas tij, po mundëson një kandidaturë fituese.

Këtë e konfirmon dhe vetë deputeti i PR-së, Agron Duka, i cili në një prononcim për “Shqip” theksoi dje se asgjë nuk është e vendosur përfundimisht deri në minutën e fundit. “Është e vërtetë që unë jam propozuar zyrtarisht nga PR-ja për të garuar në zgjedhjet për Bashkinë e Durrësit, ku kandidatura ime është e mirëpranuar edhe nga Partia Demokratike. Për momentin unë jam i vetmi kandidat që do të përfaqësoj opozitën në këto zgjedhje, por asgjë nuk është e sigurt, pasi mund që dhe gjërat të ndryshohen deri në minutën e fundit. Ndaj, them që deri në zyrtarizimin e kandidaturës time si përfaqësues i së djathtës në zgjedhjet për Durrësin ka ende kohë dhe duhen parë se si do të zhvillohen ngjarjet gjatë këtyre muajve”, u shpreh Duka. Ndërkaq, mbrëmjen e djeshme, kandidati i PR-së për zgjedhjet e kryetarit të Bashkisë së Durrësit përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social Facebook, ka çelur dhe fushatën elektorale për këtë qytet. Në postimin e tij, Duka premton se do të unifikojë të djathtën dhe të majtën në të mirë të qytetit që ai kërkon ta drejtojë pas 21 qershorit. “Dua t’i përgjigjem interesimit të madh të bashkëqytetarëve të mi, miqve e dashamirësve, njerëzve të mediave në lidhje me deklaratën e kryetarit të Partisë Republikane z. Fatmir Mediu. Ky lajm më bën të ndihem i prekur nga besimi që njerëzit kanë shprehur ndaj meje dhe të përgjegjshëm për sfidat me të cilat duhet të përballem. Të jeni të bindur që jam i gatshëm të unifikoj të gjithë të djathtën për të bërë atë që çdo i djathtë e i majtë i qytetit tim pret. Të bashkoj të gjithë për të mirën e qytetit tim. Por në çdo rast edhe në qoftë se figura ime nuk do të gjej konsensusin e së djathtës, unë do të jem në shërbim të ndryshimit dhe të cilitdo që do të marrë përsipër ta bëjë këtë ndryshim. Durrësi ynë meriton më shumë”, u shpreh Duka.


Prononcimi pas zyrtarizimit

Deputeti republikan nuk ka humbur kohë për të nisur menjëherë fushatën, duke u shprehur se mendon të unifikojë të djathtën dhe të majtën në të mirë të qytetit, megjithëse “asgjë nuk është e vendosur përfundimisht deri në minutën e fundit”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama