Agron Llakaj Ju rrefej projektin tim te ri satiriko-humoristik

Agron Llakaj: Ju rrefej projektin tim te ri satiriko-humoristik
Jeton në Tiranë prej më shumë se 16 vitesh, por ka vetëm një muaj që ndihet sikur jeton në kryeqytet. Gjithçka që ka dëshiruar, është një apartament pranë Liqenit Artificial të Tiranës, për të cilin thotë se ka sakrifikuar shumë. Ai është po aq çapkën dhe llafazan, pasi asgjë nuk e ka mposhtur për të arritur deri këtu ku është, si një nga prezantuesit më të mirë shqiptarë. Goni, siç e thërrasin të gjithë, bën një jetë luksoze, por rrugëtimi për të arritur deri këtu ka qenë i vështirë dhe shpeshherë i dhimbshëm.

I ke kaluar të 50-tat, ke një familje të bukur, një mbesë, je i suksesshëm. A është kjo gjithçka që ke dashur në jetë?

Po shkoj për 52 vjeç, ëndrrat e një njeriu mbarojnë kur Zoti t’i mbyll sytë. Kështu që ëndrrat e mia janë akoma më të mëdha. Nëse kisha ëndërr të kisha një familje të bukur, sot Zoti më ka sjellë dhe një mbesë, por mbase do më sjellë dhe plot të tjerë. Është një kontradiktë tek unë në këto moment, pasi jam gjysh por jo në pamje. Nuk kam thinja dhe as rrudha. Megjithëse do më pëlqente të isha një gjysh i thinjur me shumë nipër dhe mbesa.

Në fakt, kështu thonë të gjithë gjyshërit…

Jo, realisht jam bërë gjysh shpejt, nuk para ka gjyshër në moshën 46-vjeçare. Unë përjetoj shpirtin e një artisti dhe shpirti i tij nuk plaket kurrë.

E përmende mbesën, sa i lidhur je me të?

Sa i lidhur je me sytë?

Kaq shumë e do Adean?

Unë fëmijët e mi i kam dashur shumë dhe i dua, por ja që dashuria për mbesën është shumë më e madhe. Bota që na ofron Adea, çuditërisht na bën mirë të gjithëve. Bëhemi më njerëzorë.

Ku jeton Adea, a shihesh shpesh me të?

Adea ka zgjedhur të jetojë me gjyshin dhe gjyshen, pasi edhe në shtëpinë e re ku kemi ardhur, ajo vetë e quajti të sajën. Kur hymë në shtëpinë e re, ajo tha: ‘’U sa e bukur shtëpia e Adeas!”.

A kanë lidhje me artin fëmijët?

Jo, vajza punon në Kontrollin e Lartë të Shtetit, si dhe pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, ndërsa djali është zëvendësprokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Femrat në përgjithësi e duan një mashkull që bën humor, por të jetosh shumë vite me një të tillë duket pak e vështirë. Çfarë thotë bashkëshortja jote?

Konstandina ka qenë pazgjithshmërisht pjesë e gjithë kësaj lëvizjeje artistike. Të jesh gruaja e një artisti, them se është e vështirë. Me Konstandinën kemi arritur në atë pjekuri e siguri, saqë ajo e di se karriera e Agronit është pjesë e investimit për familjen. Mendojmë se bekimi më i madh që na ka dhënë Zoti, është familja. Ajo e ka ndier këtë gjë dhe e di se unë jam i përkushtuar. Ne s’kemi qëndruar bashkë për hir të fëmijëve. Jeta jonë ka qenë e tillë, sa secili duhet të ishte suport për tjetrin, megjithëse Konstandinës i ka rënë barra më e madhe.

Por a të ka thënë ndonjëherë boll më me këto batuta, flasim seriozisht?

Konstandina është e vetmja që nuk bën humor në shtëpinë tonë, por ajo ka qenë pas meje në të gjitha aktivitetet artistike dhe e njeh mjaft mirë karakterin tim. E di që, edhe kur zihemi, unë vetëm 5 minuta e kam flakën.

Mbani dietë?

Unë kam një dietë timen, në mëngjes preferoj një gotë qumësht dhe drithëra, dikur edhe ndonjë frut. Drekën preferoj ta ha në shtëpi, jo jashtë.

Darkën e eliminon?

Në përgjithësi nuk ha në darkë, përveçse në raste të veçanta, kur të kap fiksimi. Përndryshe, preferoj ta mbys me ndonjë frut ose kos.

Ke thënë dikur se do të shkruaje një libër, e ke nisur?

Po, e kam nisur dhe nuk di se kur do ta mbaroj. Duke qenë se nuk mund të shkruaj deri në fund të jetës, e kam titulluar ‘’Jeta ime…deri tani…’’. Kam nisur të shkruaj për kujtimet nga shkolla fillore dhe ende nuk e kam përfunduar këtë kapitull. Janë kujtimet që me kalimin e kohës do harrohen, por unë nuk dua t’i harroj.

Ndalemi tek projekti juaj i ri, mund të na zbulosh më shumë detaje?

Projekti im i ri është satiriko-humoristik, ku unë do të jem në rolin e moderatorit dhe atë të humoristit. Do të jetë me 3 pjesë, e para do të konceptohet me lajme nga vendi e bota, por duke i ironizuar. E dyta do të ketë në fokus një të ftuar special VIP, po në pjesën e dytë do të kemi të ftuar aktorë, me të cilët do të aktrojmë bashkë, ndërsa në pjesën e tretë do të kemi të ftuar edhe personazhe të thjeshtë, të cilët do të kenë një mundësi për të treguar talentin e tyre.

Audienca të do, kjo dihet, kur do shohim një Agron tjetër?

E kam ndier nga shumë njerëz që më pyesin se kur do bëj humor. Unë nuk nxitoj, dua që të piqet mirë ajo që bëj, të jetë një gjë e mirë dhe të shkojë gjatë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama