Ah moj qepe c’te te kujtoj me pare!

Ah, moj qepë, ç’të të kujtoj më parë!
Në këtë përvjetor të shpallur të lindjes së diktatorit, shtypi dhe ekranet kërkojnë mekanikisht një pikë kënaqësie në aktualitetin e lodhur, të cilin politika e quan pjesë të “Shqipërisë që ndryshon”. Fjalori modern i shprehive mbi seksualitetin, njeh edhe një marrëdhënie ku kënaqësia e provokuar së jashtmi që arrihet pa përfshirjen e shpirtit dhe ndjenjave dhe ku për shkak të raportit të trupit prej mishi me një makinë, njeriu hyn në një monolog ku s’e dëgjon dhe s’e ndjen frymën e tjetrit. Pra, diktatura dhe diktatori po përdoren si të ishin vibrator për t’iu dhënë shqiptarëve kënaqësi të shkurtër si fillim dhe më pas vetmi të gjatë në rrëzoma.

Sipas llogjikës, mediumet publike kanë humbur paanshmërinë, objektivitin dhe janë bërë palë e dëshmitarëve falsë të historisë. Me siguri ata që e drejtojnë këtë reklamë për Enver Hoxhën nuk kanë lexuar asnjë faqe libër nga mijëra të shkruara prej dëshmitarëve fizikisht dhe shpirtërisht të mbijetuar nga dhuna e sistemit. Përmendja një më një e tyre do t’i tregonte të pakët në numër. Pastaj është e trishtueshme që përballë një situate të tillë duhen dhënë prova për të treguar se regjimi ishte regjim se kishte të mira po edhe “të meta” dhe anasjelltas.

E meqë të mbijetuarit e kanë humbur simpatinë e medias, e ndërsa “kacabunjtë e kuq” dhe pasardhësit e tyre “kacabunjtë e zinj” proklamojnë “Shqipërinë që ndryshon”, le ta lëvdojmë atë gjysmë shekulli e kusur që edhe pse ka ikur na vjen pas. Ta lëvdojmë diktaturën posi një parajsë e humbur, siç sugjeron filologu savant Vedat Kokona, më saktë siç psherëtin ai me nostaligji: Ah, moj qepë, ç’të të kujtoj më parë!

Të menduara fillimisht me titullin “Opingiada” jo dhe aq i goditur për botën e reklamës dhe babëzisë së syrit, kujtimet fiksionale të Kokonës ngjajnë “të refuzuara” në rafte, sot një vit pas botimit. Në dhjetëvjetorin e vdekjes së përkthyesit, leksikografit dhe shkrimtarit, që është kjo dita e sotme, 14 tetori, “Komedia e përjetshme” është ai humor i zi me kohët kur fëmijët e këtij vendi që Kokona e quan Opingë, nisën t’i pagëzonin Marenglen, emër i shpikur nga idolatria marksiste.

Udhëtimi i tij në vendin e opingarëve që vetëm një Hoxhë dhe një Sheh nxori në dritë, shpalos një kulturë të gjenezës që rri si menhir përballë groteskut të etnogjenezës, pra bota dhe shqiptaria. Është një zhtytje në pak faqe në Librat e shenjtë, është një bashkëbisedim me kohën që e ka marrë autorin prej dore si një pacient i ëndrrave të ndaluara.

Diktatura nuk thirret asnjëherë me emër. Lëvdimi i saj që është edhe frikë prej errësirës dhe injorancës së saj, është eufemizëm për të.

Kokona që e arriti kohën e benceve që “nxijnë e vetëtijnë në diell”, është një njeri i ushqyer, siç shkruan ai edhe në veprën postum “Endur në tisin e kohës”, “me mendimet që janë dhënë për pushtetin absolut apo për lirinë e mendimit nga njerëzit e mëdhenj gjatë shekujve, - mendime që i kam çukitur si zog pule në lëmin e diturisë prej mëse gjashtëdhjetë vjetësh, i kam mësuar përmendsh dhe i përsëris shpesh si abati breviarin në orë dëshpërimi.” Ja për shembull këto mendime janë një sipar i duhur për rënie në këtë kohë të historisë së shqiptarëve ku sëmundja e tumorit, kanceri dhe sëmundja e shpirtit, vetëvrasja, zënë kreun e të gjitha punëve në “Shqipërinë që ndryshon”.

Mendimtarët e bukur të Kokonës thonë: “S”ka gjë më të hidhur se spektakli i një vendi që duron nga frika një qeveri të urryer.”; apo “Botës s’i kanë munguar kurrë sharlatanët.”; apo “Trutë janë si parashutat: që të funksionojnë duhet të jenë të hapura”.

Me komedinë e përjetshme Kokona bën mirë atë që kinemaja, teatri, apo artet e të shfaqurit e kanë bërë keq apo nuk kanë mundur të përcjellin atë që ishte thelbi i diktaturës: dimensionin jo shpirtëror dhe jo i shëndetshëm mendërisht. Kurse Kokona është i vërtetë dhe i besueshëm ndërsa shkruan “gjëra të njohura” duke e vendosur lexuesin në pozitën e atij që si me shaka “i qeshet dhe i ngjeshet”.

Arianita Marko, trashëgimtarja e Markove, e cila është marrë me përkujdesjen grafike dhe në disa raste me ilustrimin e brendshëm të librave të Vedat Kokonës, një ditë në pikun e vapës me pluhur rruge dhe tym motorësh, thoshte se në këtë kohë të lemerishme kur jeta sofistikohet në sipërfaqe, është e vështirë t’i thuash lexuesit merr këtë apo atë libër. Në të vërtetë librat e mirë, siç do kujtonte një njeri i lexuar, nuk i gjen dot më në librari, por në biblioteka, sepse gjërat që ushqejnë trurin me kënaqësi të përjetshme nuk mund të gjenden në pazarin e ideve ku të gjithë dinë gjithçka (Kokona kujton tek “Endur në tisin e kohës” vargun e Keats-it “A thing of beauty is a joy forever”.)

Diçkaja e bukur është ujë i freskët për orët e dëshpërimit ashtu si sterat për kështjellat në kohë rrethimi.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama