Nëse ndokush mendon se shprehja “të na rrosh sa malet” është për Enver Hoxhën, duhet të lexojë një gazetë të kohës për të parë se në fakt, fillimisht kjo shprehje i qe dedikuar Ahmet Zogut
Njësoj si kronikat e TVSH-së, që tregonin se Shoku Enver rrinte deri vonë në punë, ndërsa populli nën zë thoshte se thjesht sa kishte lënë dritën ndezur, edhe Zogu paraqitet si një njeri që punon gjatë të gjithë ditës dhe pjesës më të madhe të naftës
Perceptimi që shqiptarët kanë krijuar mbi Ahmet Zogun është formëzuar nga propaganda e bollshme e regjimit komunist, ku ish-presidenti që u bë mbret, shfaqej si një grabitës i rëndomtë oportunist. Historianët komunistë thoshin se në thelb, Ahmet Zogu qe një kundërrevolucionar që mposhti përpjekjet e “popullit” për të marrë pushtetin dhe ruajti në Shqipëri pushtetin e klasës së lartë, të përbërë nga çifligarë. Historianët e komunizmit me fjalën “popull” nënkuptonin dukshëm shtresën e mesme të arsimuar, e cila tentoi ta merrte pushtetin edhe me dhunë dhe dështoi.
Gjatë vitit të fundit, me nismën e Kryeministrit të sotëm, disa po përpiqen të formëzojnë një mendim më kompleks, por gjithsesi pozitiv, për të. Tezat kryesore lidhen me të parit të Zogut si një burrë shteti që arriti të krijojë stabilitet dhe shtet funksional.
Ajo që po paraqesim më poshtë është këndvështrimi i tretë: është mënyra se si zyrtarët e kohës së tij e shihnin mbretin. Materialet janë marrë nga një publikim zyrtar i kohës i quajtur “Dhjetë Vjet Mbretni 1928-1938”, dhe qe pjesë e festimeve për atë përvjetor, që përkoi edhe me martesën e Mbretit.
Gjuha e përdorur në këtë botim, metoda e retorikës dhe forma e argumentimit, kanë një ngjashmëri të fortë me atë që regjimi komunist përdorte për veten. Kur flisnin për zhvillimin ekonomik, krahasimi bëhej me vitin 1912. Kur flitej për Zogun, flitej edhe për Skënderbeun, Lekë Dukagjinin, Donika Kastriotin. Kur flitej për Matin, shtohej se aty është varrosur Mamica Kastrioti.
Zogu ne parade
Albanian School Girls Singing
Familja e Zogut
zogu
Lëvdatat për Mbretin janë të pafundme. Në një rast ai cilësohet August, pra “i shenjtë” dhe gjuha e përdorur është gati liturgjike. Ai cilësohej gjithashtu “apostull”. Lëvdatat janë të bollshme edhe për familjarët e Mbretit, si dhe për krahinën e Matit, e cila krahasohet me atë të Mirditës për të vjedhur paksa nga krenaria e krahinës malore dhe katolike si vendi i papushtuar nga Otomanët. Në këtë kohë, kulti i individit të Zogut pati mbërritur kulmin. Në atë vit, 25-vjetori i pavarësisë, dasma e Mbretit dhe dhjetëvjetori i Mbretërisë u vulosën në histori me prodhimin e emisioneve të posaçme të monedhave të arit. Në çdo qytet të Shqipërisë kishte një rrugë kryesore me emrin e mbretit. Lëvdatat nuk erdhën vetëm nga zyrtarët e tij, por edhe nga shtypi i kohës, titujt e të cilit qenë të ngjashme me ato që shqiptarët mbajnë mend nga koha e komunizmit.
Rroftë Zogu i parë Rroftë
Shpëtimtar i atdheut
Brez pas Brezi Mbretëroftë
Për mbi Fron të Skënderbeut
Kjo qe çfarë shkruante “Albania” që botohej në Nju Jork
“Më në fund njeriu lindi ose më mirë u shfaq me atë të veprave të Tij shpëtimtare dhe gjeniale”, shkruante “Gazeta e Re”.
“Shqipnia me kët Pris do të shkojë përpara. Djelmnia intelektuale, gati për t’a ndjekë Mbretin gjatë asaj udhe reformash qi Ay vetë dëshiron, mban në zemër mesazhin bujar të Tij tue pritë urdhna për veprim”, shkruante “Illyria”.
Gazeta “Shekulli i Ri” na jep një slogan që ne e kemi dëgjuar gjithmonë: “Madhëni, Rrofsh sa Malet”, shkruan ajo.
Hunda e Mbretit nuk mbeti as jashtë gazetës “Sporti Shqiptar”.
“Në gëzimin, që e bën edhe më të madh mallëngjimi i ditëve të mëdha dhe admirimi i njerëzve të mëdhenj, në brohoritjet në shprehjen aq të përzemërt t’adhurimit të thellë për Mbretin, Mbretëreshën dhe Princeshat Mbretënore, të banorëve aqë atdhetarë e aqë faktorë përparimi të bregut t’onë jugor Mbreti, Mbretëresha dhe Princeshat Mbretërore kanë parë gëzimin dhe kanë dëgjuar brohoritjet e të gjithë popullit shqiptar, fatbardhë pse ka qenë i shpëtuar dhe është i udhëhequr drejt lumturisë prej N.M.T. Zogut të I-rë”, shkruan kjo gazetë.
Gjuha e kultit të individit që u formëzua gjatë kohës së tij për të, i ndoqi shqiptarët gjatë kohës së komunizmit. Është fare e qartë se Enver Hoxha kishte shumë gjëra për të kopjuar nga Ahmet Zogu, përfshirë edhe sloganet e tij, të cilat thjesht sa i përshtati për veten.
Fati i Mbretit do të përmbysej vetëm disa muaj pas kësaj. Kur Italia e sulmoi ushtarakisht Shqipërinë, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e morën mundimin t’i bindeshin thirrjes së tij për t’i rezistuar pushtimit. Emri i mbretit nëpër rrugët kryesore u zëvendësua menjëherë me emrin e Viktor Emanuelit III.
Për të dhënë një panoramë se si shihej Mbreti nga zyrtarët e tij, po japim disa paragrafë nga libri i vitit 1938.
Përkujtimi i themelimit të Mbretërisë
“Në orën 9 e 14 minuta të ditës 1 shtatuer 1928 shuhej nga jeta shqiptare Republika dhe përfaqësija e kombit vendoste atë që ishte vullneti i patundshëm i popullit: monarkinë. Gjëmime topash, brohoritje të fuqishme populli dhe kangët e mallëngjyeshme të vendit t’onë e mblodhën vendimin për t’a bamë fjalë gazmore që kalonte gojë më gojë dhe zemër më zemër prej gjinit të qyteteve e deri në vizat që caktojnë kufijt e shejta të Shqipnis.
Nji diell si nuk ishte pamë ndonji herë në Kryeqytet i kishte lëshue shtizat e veta të ngrohta dhe plot hare përmbi prarimet e kostumevet kombëtare, përmbi granduniformat e oficeravet dhe fraqet e elitës së vendit; Nalt Madhnija e Tij Mbreti priste atë ditë, në Pallatin e Vet, ofertën e Kunoës që i bante Populli Shqiptar.
f. 11
N.M.T. Tij Mbreti, gjatë periudhës së jetës së Tij të pa lodhëshme, të kushtueme Atdheut, i ka folun popullit të vetë, me tonin e Tij të premë dhe me atë lartësi djesish që hyjnë thellë në shpirtin e turmave arbënore.
f. 41
Fytyra madhështore e Priësit t’onë gjenial ësht interesante të kqyret në të gjitha aspektet poliedrike të aktivitetit të Tij të palodhur.
Në zyrën e tij të punës, prej ku vendoset fati i Kombit, N.M. Tij Mbreti kalon pothuajse të gjithë ditën dhe një pjesë të madhe të natës. Tashmë e dinë, shqiptarë dhe të huaj, se priësi i ynë është një nga puntorët më të palodhur që ka nxjerë ky shekull dhe vetëm në sajë të kësaj pune të pareshtur dhe të pafjetur, si edhe në sajë të gjenialitetit të Tij të rrallë kanë mundur të arrihen për Shtetin dhe Popullin ato përparime vigane që bëjnë pjesë tani të historisë s’onë të ndritur.
Të mbush zemrën plot hare jeta e Priësit t’onë në gjirin e Familjes. N.M. Tij Mbreti – dihet fare mirë – se gjen prëhje të plottë sa herë që mundet të lërë pak punën e Tij të rëndë dhe delikate e të ndodhet me Pjestarët e Familjes së Tij.
Noltësit’ e Tyre Princeshat Mbretnore, duke ndjekur gjyrmat e ndritura të Vëllaut të Tyre të Math, janë në krah të Vëllaut dhe, kur largohen, shpjenë kudo fjalën e përparimit dhe të oksidentalizimit të vëndit.
Të gjithë shqiptarët, i math e i vogël, ndjekin me bindjen më të plottë drejtimet dhe urdhërat e Sovranit po, si kurdoherë, në krye të kësaj fushate përparimtare dhe reformatore ndodhen Pjesëtaret e ndritura të Familjes Mbretnore. Princeshat e Larta duhet të quhen, pa tjatër, Misionaret e Verbit Mbretnor.
I kemi parë të shëtisin gjithë krahinat e Mbretërisë. S’kanë kursyer mundime, s’kanë kursyer sakrifica. Kudo kanë hyrë në gjirin e popullit veçanërisht n’atë pjesë të popullit që vuan nga skami ose nga sëmundjet. Kanë marrë shënime, kanë dhënë urdhëra, kanë treguar gjithë bujariunë e Tyre me ndihma të ndryshme.
F. 42